Ukrainë: në flakë Katedralja e Fjetjes së Shën Marisë pas një sulmi rus

Dronë dhe raketa ruse mbi Ukrainë. Përfshihet nga flakët edhe Katedralja e Fjetjes së Shën Marisë në Kiev. Kur lufta godet edhe kujtesën e një populli. Reagim i ashpër nga mitropoliti Epifani, kreu i Kishës Ortodokse të Ukrainës, por edhe nga Kisha Ortodokse Ukrainase e lidhur me Patriarkatën e Moskës, përmes një note të mitropolitit Kliment të Nizhyn-it dhe Pryluky-t. Kryeipeshkvi Imzot Kulbokas: në lutje „për kthimin tek e vërteta, te Zoti”.

Vatican News

Katedralja e Fjetjes së Shën Marisë (Zojës së Madhe) në kompleksin monastik Kyiv-Pechersk Lavra – një nga simbolet kryesore fetare të Ukrainës dhe zonë e mbrojtur si trashëgimi botërore e UNESCO-s – është dëmtuar rëndë nga një sulm rus. Zjarri, i cili ra në çatinë e ndërtesës së shenjtë gjatë natës, shpërtheu gjatë një vale të re bombardimesh që përfshiu kryeqytetin dhe qytete të tjera të Ukrainës. Sipas autoriteteve lokale, nga ky sulm mbetën të plagosur të paktën njëzet persona, si dhe u dëmtuan linjat elektrike të qytetit, duke lënë pa energji rreth 140.000 banorë të Kievit.

Mitropoliti Epifani, kreu i Kishës Ortodokse të Ukrainës, e dënoi sulmin duke e cilësuar si një krim „kundër njerëzimit, kundër historisë dhe kundër krishtërimit”. „Plagët e Katedrales së Fjetjes së Shën Marisë përfaqësojnë tragjedinë e popullit ukrainas të plagosur nga lufta”, komentoi gjithashtu edhe kreu i Departamentit Sinodal për Informimin dhe Edukimin i Kishës Ortodokse Ukrainase, mitropoliti Kliment i Nizhyn-it dhe Pryluky-t, duke shtuar: „Kisha Ortodokse Ukrainase dënon me vendosmëri agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës, i cili ka shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve dhe shkatërrimin e vendeve të shenjta. Zoti nuk i bekon luftërat”.

Një dëshmi nga Kievi erdhi për mediat e Vatikanit edhe nga Nunci Apostolik në Ukrainë, kryeipeshkvi Imzot Visvaldas Kulbokas. „Rusët goditën një simbol shumë të rëndësishëm”, deklaroi imzot Kulbokas duke iu referuar sulmit mbi Katedralen, ku një dron goditi çatinë dhe shkaktoi një „zjarr të madh që dëmtoi edhe pjesën e brendshme” të ndërtesës. „Kur vëzhgojmë dhe ndiejmë dridhjet e këtyre shpërthimeve — komentoi prelati —, pothuajse nuk mbetet asnjë përgjigje tjetër, sepse përballë bombardimeve, është vetëm Zoti dhe ti, nuk ka asnjë dorë njerëzore të aftë për të ndërhyrë. Në këtë kuptim, edhe ky bombardim i radhës, mua personalisht më jep një nxitje për të vazhduar lutjen për kthimin e përgjegjësve të kësaj lufte, dhe të çdo lufte, te Zoti”.

Katedralja e Fjetjes së Shën Marisë

Katedralja e Fjetjes së Shën Marisë është Kisha kryesore e kompleksit monastik Kyiv Pechersk Lavra, i njohur gjithashtu si Monastiri i Shpellave të Kievit. Ajo është një nga vendet më të shenjta të ortodoksisë sllave lindore dhe një nga simbolet më të rëndësishme fetare dhe kulturore të Ukrainës. Katedralja i kushtohet Fjetjes së Marisë, Nënës së Hyjit. Ndërtimi i saj filloi në vitin 1073 dhe përfundoi në vitin 1078; sipas traditës, në ndërtim morën pjesë mjeshtra të ardhur nga Kostandinopoja, çka dëshmon për lidhjen e fortë shpirtërore dhe kulturore me Perandorinë Bizantine.

Kjo nuk është hera e parë që Katedralja sulmohet apo dëmtohet. Përgjatë historisë së saj, ajo pësoi dëmtime të shumta: tërmeti i Kievit i vitit 1230, pushtimi mongol i Batu Khan-it në vitin 1240, inkursioni tatar i vitit 1482 dhe zjarri i madh i vitit 1718. Megjithatë, episodi më dramatik ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më 3 nëntor 1941, Katedralja u shkatërrua nga një shpërthim gjigant që e rrafshoi pothuajse tërësisht. Përgjegjësia për këtë shpërthim ka qenë për një kohë të gjatë objekt debatesh, por një pjesë e madhe e historiografisë bashkëkohore ia faturon operacioneve të minimit të kryera nga sovjetikët gjatë tërheqjes së tyre nga Kievi.

Pas vitit 1991, me pavarësinë e Ukrainës, rindërtimi i saj u kthye në një projekt kombëtar. Punimet filluan në vitet '90 dhe Katedralja u rishugurua në vitin 2000. Lavra e Kievit, së bashku me Katedralen e Shën Sofisë, është regjistruar që nga viti 1990 në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Sulmi rus i këtyre orëve rikthen në vëmendje çështjen e zonave të UNESCO-s në vende lufte, të cilat po goditen gjithnjë e më shpesh gjatë muajve të fundit. Sipas autoriteteve lokale, sulmi plagosi të paktën njëzet persona dhe dëmtoi linjat e energjisë elektrike të qytetit, duke lënë afërsisht 140.000 banorë të Kievit pa energji elektrike.

15 qershor 2026, 16:27