Kërko

Shenjtërit Pjetër dhe Pali kthehen në Vatikan

Shkruar dhe interpretuar nga Michele La Ginestra me Fabio Ferrari-n në rolin e Palit, shfaqja "Pjetri dhe Pali në Romë" kthehet në Piazza Santa Marta, nga 16 deri më 18 qershor. Tri mbrëmje me bileta të shitura dhe që sponsorizohen nga «Fabbrica di San Pietro» për 400-vjetorin e kushtimit të Bazilikës së Vatikanit. Personazhet rrëfejnë zanafillën, kuptimin dhe rëndësinë e shfaqjes kushtuar dy apostujve.

Vatican News

Herë një shaka rreth vjehrrës së Pjetrit e herë një pyetjeje që do të ndryshojë historinë e njerëzimit, dy apostujt në të pesëdhjetat e tyre kthehen për një shëtitje imagjinare nëpër rrugët e Romës. Ose më saktë, këtë herë fjalë për fjalë "ad limina Apostoli", pa efekte speciale dhe pa përkrenare heronjsh. Ata debatojnë, ngacmojnë njëri-tjetrin dhe pyesin njëri-tjetrin për besimin, frikën dhe shpresën. Dhe është pikërisht ky dialog imagjinar midis Pjetrit dhe Palit që përbën subjektin e shfaqjes teatrale "Pjetri dhe Pali në Romë", spektakël që kthehet në Qytetin e Vatikanit nga data 16 deri më 18 qershor.

Nisma, e promovuar si pjesë e kremtimeve për 400-vjetorin e kushtimit të Bazilikës së Shën Pjetrit, do të zhvillohet në teatrin e hapur në Piazza Santa Marta, i cili ka kapacitet deri në 850 spektatorë. Biletat falas për të tri shfaqjet janë shitur plotësisht. Shtatëdhjetë persona në nevojë nga Roma do të marrin pjesë gjithashtu në mbrëmjen finale të së mërkurës. Shumica e tyre janë të pastrehë që jetojnë në zonën e Shën Pjetrit, mysafirë të Palazzo Migliori, që drejtohet nga Zyra e Bamirësive Papale, dhe Casa Sabotino, të drejtuara nga Binario 95. Këtyre do t'u bashkohen disa redaktorë të «Osservatore di Strada», si edhe vullnetarë të famullisë San Gregorio VII, në Romë.

E shkruar nga Michele La Ginestra, me regji të Roberto Marafante-s dhe me muzikë origjinale të Emanuele Friello-s, në skenë do të interpretojnë krahas La Ginestra-s edhe Fabio Ferrari, së bashku me Ilaria Nestovito-n, Matteo Montalto-n, Brunella Platania-n dhe Fabrizia Scaccia-n, duke krijuar një kor këngëtarësh dhe valltarësh, një lloj skene të përshtatshme dhe tërheqëse. Subjekti përfytyron një seri takimesh midis dy apostujve gjatë viteve që ata me shumë gjasa kaluan së bashku në Romë, para martirizimit të tyre. Shfaqja u shkrua në vitin 2024 me kërkesë të fra Agnello Stoia-s, famullitar i Bazilikës së Shën Pjetrit, dhe u shfaq më 29 qershor të atij viti para Derës së Shenjtë të Bazilikës së Vatikanit. Në qershor 2025, për Jubileun, u prezantua në Teatrin Sistina në një version të rishikuar. Tani kjo shfaqje kthehet në Vatikan si pjesë e kremtimeve për katërqindvjetorin e themelimit të Bazilikës.

Ideja buron nga një pyetje e thjeshtë dhe interesante: çfarë do t’i kenë thënë njëri-tjetrit Pjetri dhe Pali kur u patën takuar në Romë? Dy personazhe fare të ndryshme – peshkatari nga Galilea dhe intelektuali i kthyer në fe kur po shkonte për në Damask – të cilët angazhohen në një shkëmbim të sinqertë, ironik dhe plot dashuri në skenar, duke trajtuar temat teologjike dhe njerëzore nëpërmjet një gjuhe të kuptueshme edhe për ata që nuk shkojnë rregullisht në kishë. Falë spontanitetit të interpretuesve, skena popullore dhe humoristike i lënë vendin njëra-tjetrës duke krijuar çaste kulmimi në teatër për spektatorët e vetëdijshëm se protagonistët janë në prag të martirizimit.

Sipas La Ginestra-n, autor dhe interpretues, thelbi i subjektit është pikërisht ana njerëzore e shenjtorëve. "Më pëlqente mendimi se, përpara se të ishin shenjtorë, ata ishin para së gjithash njerëz", shpjegon autori. Ky këndvështrim përsëritet edhe kur diskutohet për natyrën e Pjetrit: "Doja që të dilte në pah: Pjetri ishte një person krejtësisht i zakonshëm, i cili bëri gabime si të gjithë ne, dhe si të gjithë ne, u fal dhe vu në gatishmëri të Mesazhit të Krishtit."

Aktori romak thekson gjithashtu rëndësinë e shfaqjes, e cila mbahet vetëm pak hapa larg varrit të Apostullit. "Po flasim për historinë e njerëzimit në vendin ku ndodhi historia." dhe shton: "Të jesh këtu, vetëm pak metra larg varrit të Pjetrit, është diçka prekëse."

Krahas reflektimit, ka edhe humor. "Mendoj se është e nevojshme, sepse diskutimet tepër serioze nuk dëgjohen, sepse janë të mërzitshme", vëren La Ginestra, i bindur se e qeshura mund të hapë rrugën për ungjillëzim dhe temat më sfiduese të besimit.

Fabio Ferrari që luan rolin e Palit, një aktor i lindur në një familje aktorësh, e sjell Apostullin te «xhentilët» siç quhen në Shkrim Shenjtë johebrenjtë, duke nxjerrë diçka edhe nga vetja. "Unë jam një i konvertuar vonë, kështu që Kungimin tim të Parë e mora në moshën 40-vjeçare, për shembull. Kohët e fundit, shpesh kam luajtur personazhe të lidhur me Kishën. Në njëfarë mënyre diçka luan brenda meje. Me sa duket, ka diçka që më thërret drejt Jezusit, kështu që është një gëzim i madh për mua."

Sipas aktorit Ferrari, të luash rolin e Palit do të thotë të pasqyrosh një figurë kryesore për përhapjen e Krishterimit: "Ai është një njeri që i vetëm ktheu në fe një kontinent. Shpesh pyes veten se çfarë zërash të fuqishëm kishin këta personazhe që ishin në gjendje t'u predikonin turmave pa mikrofon."

Nga ana tjetër, interpretimi i kësaj historie në Vatikan shton diçka të veçantë: "Të interpretosh këtu, padyshim, është një emocion i madh." Por mbi të gjitha, është lidhja personale me personazhin që e bën këtë përvojë teatrale të veçantë.

"Kjo është një nga shfaqjet që kam dashur më shumë në karrierën time", rrëfen aktori. Dhe e përfundon me fjalë që ndoshta shpjegojnë kuptimin e këtij interpretimi më mirë se çdo recension: "Ndoshta sepse trajton tema që arrita t'i kuptoja vonë në jetë, dhe që i ndjej shumë, por prekem prej tyre çdo natë."

17 qershor 2026, 09:33