Shën Antoni, profeti që shndërroi thjeshtësinë në shpresë
R.SH. / Vatikan
Ajo që na lë trashëgimi Shën Antoni i Padovës është një ftesë drejt thelbësores, si e vetmja rrugë për të kapërcyer pengesat dhe krizat. Nga Portugalia në Itali, ky shenjt – një nga më të dashurit e devocionit popullor – ishte dëshmitar i forcës profetike të Ungjillit, i cili qëndron përherë në anën e më të pambrojturve.
Fernando Martim de Bulhões (i njohur si Fernando i Buglionit) – ky ishte emri i tij i lindjes – u lind në Lisbonë nga një familje fisnike më 15 gusht të vitit 1195 (ndonëse, sipas disave burimeve, kjo datë mund të jetë edhe viti 1190). I tërhequr nga jeta rregulltare, në moshën 15-vjeçare Ferinandi hyri në urdhrin e Kanonikëve të Rregullt të Shën Augustinit, dhe në vitin 1219 u shugurua meshtar.
Një vit më vonë, në Koimbra (Coimbra) – ku Antoni ishte zhvendosur ndërkohë – mbërritën trupat e pesë misionarëve françeskanë të cilëve u ishte prerë koka në Marok. Kjo ngjarje tronditi mbarë Portugalinë dhe e shtyu Antonin drejt karizmës françeskane.
Antoni kërkoi të bëhej pjesë e Vëllezërve të Vegjël (Françeskanëve), me qëllimin për t'u nisur si misionar në Marok, mirëpo rrethanat ia pamundësuan realizimin e këtij projekti. Kështu, valët e jetës e sollën atë në Itali midis viteve 1220 dhe 1221. Mori pjesë në Kapitullin e Përgjithshëm të Françeskanëve në Asizi, pas të cilit jetoi për një periudhë pranë Forli-t (Forlì). Më pas, me mandat të shën Françeskut të Asizit, shën Antoni shërbeu si predikues në Romanjë (Romagna), në veri të Italisë dhe në Francë; në vitin 1227 ai u emërua Epror Provincial i Françeskanëve të Italisë Veriore. Shën Antoni ndërroi jetë më 13 qershor të vitit 1231, gjatë një udhëtimi duke u kthyer drejt Padovës, qytetit që e adoptoi dhe që sot mban emrin e tij.
Lutje Shën Antonit nga Padova
O i lumi dhe i mrekullueshmi shenjti shëna Ndue,
ti që zgjodhët shtegun e thjeshtësisë
për të gjetur thesarin e vërtetë të jetës,
ktheje vështrimin tënd plot dritë mbi ne.
Në këto kohë stuhish e krizash,
kur zhurma e botës na errëson shpirtin,
na mëso ta gjejmë paqen tek ajo që vlen vërtet.
Na dhuro hirin e një zemre të thjeshtë,
të aftë për të dëgjuar zërin e Zotit
dhe dhimbjen e të pambrojturve.
Ti që je pajtori i gjërave të humbura,
na ndihmo të gjejmë sërish shpresën e zbehur,
besimin e tronditur dhe dashurinë që na lidh me njëri-tjetrin.
Bëj që hapat tanë të ecin gjithmonë
drejt horizontit të paqes dhe të pajtimit.
O predikues i ëmbël i Ungjillit,
na mbaj nën mbrojtjen tënde
dhe prire jetën tonë drejt dritës që nuk perëndon kurrë.
Amen.