Presidenti iranian Pezeshkian tregon në televizion draft-marrëveshjen e nënshkruar Presidenti iranian Pezeshkian tregon në televizion draft-marrëveshjen e nënshkruar

SHBA-Iran, presidentët nënshkruajnë marrëveshjen e paqes nga distanca

Presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, përkatësisht Donald Trump dhe Massoud Pezeshkian, kanë nënshkruar nga distanca draftin e marrëveshjes që hap rrugën për 60 ditë negociata intensive me qëllim përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme. Marrëveshja përfshin gjithashtu edhe çështjen e Libanit, ku megjithatë përshkallëzimi i konfliktit nuk ndalet: Izraeli ka njoftuar vdekjen e një ushtari të tij gjatë luftimeve në jug.

Vatican News

Mbrëmjen e djeshme u nënshkrua marrëveshja e paqes mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një nga pikat e parashikuara në negociatat e 60 ditëve të ardhshme është angazhimi i Teheranit për të holluar uraniumin e pasuruar që zotëron, ndërsa Uashingtoni, në këmbim, do të heqë menjëherë të gjitha sanksionet, duke filluar nga ato ndaj naftës iraniane.

Ceremonia në Zvicër

Nënshkrimi u bë nga distanca mes presidentit iranian Pezeshkian dhe presidentit amerikan Trump, i cili ndodhet për vizitë në Francë dhe firmosi dokumentin në Versajë në praninë e presidentit francez Emmanuel Macron. Ceremonia zyrtare është programuar për nesër në një resort në Lucernë të Zvicrës, në praninë e zëvendëspresidentit amerikan JD Vance dhe kryetarit të Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, të cilën Irani tashmë e ka cilësuar si “të panevojshme”.

Reagimet

Presidenti amerikan Trump u shpreh i kënaqur me marrëveshjen dhe, në margjinat e samitit G7 në Evian të Francës, deklaroi: “Me këtë marrëveshje, Teherani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore, por nëse ajo nuk respektohet, ne do të rikthehemi të sulmojmë.”

Nga ana tjetër, kryetari i Parlamentit iranian, Ghalibaf, tha: “E mbajmë gishtin mbi këmbëz. Pesimizmi dhe mosbesimi im ndaj Amerikës janë në nivelin më të lartë.”

Marrëveshja u mirëprit edhe nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili e cilësoi atë si “një marrëveshje të mirë” për t’i dhënë fund luftës që, sipas tekstit, ka nisur më 28 shkurt.

Nyja libaneze

Drafti prej 14 pikash parashikon gjithashtu përfundimin e armiqësive në Liban. Sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem, e ka quajtur marrëveshjen “një fitore të madhe” për Iranin, i cili prej kohësh mbështet këtë milici islamiste shiite.

Megjithatë, në vendin e njohur si “Toka e Kedrave”, Liban, konflikti vazhdon në praktikë. Izraeli njoftoi sot vdekjen e një ushtari të forcave të sigurisë gjatë luftimeve, pa specifikuar më tej, në jug të vendit, si dhe interceptimin e disa raketave të lëshuara kundër ushtrisë së tij.

18 qershor 2026, 12:01