Algoritmet dhe vetëdija: marrëdhënia midis inovacionit teknologjik dhe përgjegjësisë njerëzore në zemër të debatit bashkëkohor Algoritmet dhe vetëdija: marrëdhënia midis inovacionit teknologjik dhe përgjegjësisë njerëzore në zemër të debatit bashkëkohor

Prof. Quattrociocchi: “Magnifica humanitas” kundër delegimit të gjykimit

Në një intervistë për mediat e Vatikanit, Quattrociocchi, profesor i Informatikës në Universitetin "La Sapienza" të Romës, e cilëson Enciklikën e parë të Papa Leonit si "shumë të kthjellët" dhe të aftë për ta çuar diskutimin mbi Inteligjencën Artificiale (IA) në "një nivel shumë më të pjekur". Studiuesi tërheq vëmendjen ndaj një shoqërie që zëvendëson "verifikimin me besueshmërinë e perceptuar", ia delegon gjykimin makinave dhe rrezikon të nhatërrojë simulimin e njohurisë me vetë njohurinë.

R.SH. –  Vatikan

“(…) të ashtuquajturat inteligjenca artificiale nuk përjetojnë një përvojë, nuk zotërojnë një trup, nuk kalojnë përmes gëzimit dhe dhimbjes, nuk piqen në marrëdhënie (…)”.

Këto fjalë të Papa Leonit XIV në numrin 99 të Enciklikës Magnifica humanitas përfaqësojnë, sipas prof. Walter Quattrociocchi-t, një nga pikat më domethënëse të këtij dokumenti të parë papal kushtuar inteligjencës artificiale.

Në një intervistë dhënë për mediat e Vatikanit, profesori i rregullt i Informatikës në Universitetin "La Sapienza" të Romës dhe njëkohësisht drejtor i Center of Data Science and Complexity for Society, nënvizon se si dokumenti pontifikal kontribuon në zhvendosjen e debatit publik drejt një rrafshi më të thellë.

Përtej debatit mes entuziazmit dhe frikës

Sipas Prof. Quattrociocchi-t, enciklika Magnifica humanitas “zhvendos akrepin e diskutimit, i cili luhatet mes entuziazmit naiv dhe katastrofizmit”, duke e trajtuar çështjen nga një perspektivë metodologjike dhe epistemike, domethënë duke ftuar për të reflektuar mbi atë se çfarë është dija, si formohet ajo dhe cilat janë kufijtë e saj. Pika vendimtare, vëren ai, nuk është të përcaktohet nëse makinat mendojnë apo jo, por të kuptohet “se sa shumë këto teknologji po shndërrojnë kushtet dhe kriteret përmes të cilave një shoqëri ndërton dijen, gjykimin, të vërtetën e madje edhe marrëdhëniet”. Sipas mendimit të prof Quattrociochi, teksti i Leonit XIV është veçanërisht i kthjellët në njohjen e faktit se sfida nuk është vetëm teknike apo antropologjike, por prek vetë procesin e të nxënit. “Gjasat e vërtetësisë gjuhësore, ajo që optimizohet nga Large Language Models (Modelet e Mëdha të Gjuhës), ndërfaqësohet, ndërlidhet dhe bëhet pothuajse e pandashme nga përgjegjësia e gjykimit njerëzor”.

Simulimi i gjykimit

Një nga keqkuptimet më të përhapura konsiston në ngatërrimin e cilësisë së rezultatit (output) të një chatbot-i me natyrën e procesit që e gjeneron atë. “Ne shohim gjuhën dhe jemi menjëherë të prirur të mendojmë se ajo gjuhë është prodhuar nga diçka që arsyeton në mënyrë analoge me ne, por kjo nuk është aspak e vërtetë”. Modelet gjuhësore, shpjegon Prof. Quattrociocchi, prodhojnë tekste koherente dhe bindëse përmes korrelacioneve statistikore, pa pasur asnjë përvojë nga bota dhe as aftësi për të verifikuar informacionet. Duke sjellë ndërmend një kërkim të grupit të tij të punës, të titulluar ‘Simulimi i gjykimit’, prof Quattrociocchi pohon se për detyra komplekse këto sisteme nuk janë në gjendje të prodhojnë vlerësime realisht të besueshme. “Nuk kemi një gjykim, por një simulim të gjykimit; nuk kemi një ndërveprim, kemi një simulim të ndërveprimit”. Ndryshimi është thelbësor: njeriu vepron në një kontekst normativ, di ta njohë gabimin dhe të vetëgjykohet e të pyesë veten mbi vendimet e veta; ndërsa modelet gjuhësore lëvizin brenda sferës së “përafrimit të thjeshtë statistikor të fjalëve”.

Kur gjasa zëvendëson verifikimin

Për pedagogun dhe kërkuesin shkencor të universitetit "La Sapienza", rreziku kryesor nuk është aq shumë alucinacioni i algoritmit, sesa padyshim padukshmëria e tij. “Rreziku, më shumë sesa kur shfaqet gabimi i makinës, është kur ai nuk shfaqet”. “Pika kritike – shpjegon prof Quattrociocchi – është një shoqëri që zëvendëson progresivisht verifikimin me gjasat e vërtetësisë së perceptuar”. Nëse tradicionalisht dija lind nga ballafaqimi i burimeve dhe nga verifikimi i hipotezave, sistemet gjenerative priren ta ngjeshin të gjithë këtë në një rezultat të gatshëm dhe gjuhësisht të besueshëm. Në fushën e informacionit, ky fenomen gërshetohet me dinamikat e ekonomisë së vëmendjes. Rrjetet sociale, vëren prof Quattrociocchi, shpërblejnë atë që kap vëmendjen më shumë sesa atë që informon. Në këtë kontekst, Large Language Models (Modelet e Mëdha të Gjuhës) “e ulin dhe e industrializojnë këtë prodhim përmbajtjeje të aftë për të bindur përdoruesin” dhe, ndonëse nuk janë projektuar për të manipuluar, “ia dalin mjaft mirë të manipulojnë”.

Transparenca, përgjegjësia dhe "bias-et" (anshmëritë) e reja

Duke komentuar theksimin e Papës, në enciklikën Magnifica Humanitas, mbi faktin se inteligjencat artificiale në të vërtetë “kultivohen” dhe nuk “ndërtohen”, e prandaj rriten në mënyrë autonome, prof Quattrociocchi evidenton se si këto sisteme janë “gjëja më e largët nga koncepti i normativës që mund të ekzistojë”. Për këtë arsye, ai e sheh si çorientuese interpretimin e tyre përmes kategorive që i asimilojnë ato me qenien njerëzore. Qasja etike që kërkon transparencën e IA-së rezulton prandaj e pamjaftueshme sepse, shpjegon prof Quattrociocchi, nuk mjafton thjesht të hapet kodi apo të publikohen të dhënat e trajnimit. “Problemi është të kuptojmë se si sistemi arrin në një përgjigje, çfarë sinjali përdor dhe, mbi të gjitha, cilën rrugë të shkurtër përfshin në vete”.

Veçanërisht shqetësues është pastaj efekti mbi proceset njohëse (kognitive) dhe kulturore. “Është rritur në mënyrë mbresëlënëse numri i njerëzve që flasin për tema që nuk i njohin dhe bien pikërisht viktima të sëmundjes së dijes së sigurt, domethënë të 'epistemisë'” (term i krijuar nga një grup kërkuesish i udhëhequr nga prof Quattrociocchi për të përshkruar iluzionin komod të posedimit të një dijeje të sigurt dhe të verifikuar). Shumë përdorues – vëren studiuesi – ua delegojnë plotësisht modeleve gjuhësore prodhimin e përmbajtjeve, pa pasur mjetet e nevojshme për t'i verifikuar ato. Rezultati është hedhja në hapësirën publike e informacioneve “të paketuara në mënyrë të përsosur, por që në fakt janë boshe dhe nuk i qëndrojnë arsyetimit”. Një dinamikë kjo që, sipas prof Quattrociocchi-t, rrezikon ta bëjë gjithnjë e më të vështirë dallimin mes njohjes dhe mosnjohjes.

Një diskutim më i pjekur

Në konkluzionet, profesori i Informatikës Quattrociocchi shpreh vlerësim për kontributin e ofruar nga Enciklika në debatin bashkëkohor. Magnifica humanitas, pohon ai, “sjell një vizion shumë të kthjellët dhe shumë më pak të lidhur me infantilizmat dhe naivitetet që lindin nga njohja e pakët e temës”, duke e vendosur diskutimin në një terren më të pjekur. Urimi përfundimtar lidhet me një reflektim, gjithnjë e më të domosdoshëm, mbi pyetjen që – sipas prof Quattrociocchi-t – përshkon të gjithë dokumentin e Papa Leonit XIV Magnifica humanitas: “Çfarë nënkupton për shoqërinë tonë delegimi te makinat që simulojnë ndërveprimin dhe simulojnë gjykimin, pa e ditur se çfarë është marrëdhënia dhe çfarë është gjykimi?”.

03 qershor 2026, 10:28