Papa dhe ëndrra e Gaudì: Sagrada Familia, vepër madhështore arti dhe feje
R.SH. / Vatikan
Me mbërritjen e Papës në Barcelonë, Bazilika e famshme e Sagrada Familia po përgatitet të jetojë një nga momentet më të rëndësishme të historisë së saj moderne. Nesër në mbrëmje, Ati i Shenjtë Leoni XIV do të bekojë Kullën e Jezusit, duke ndezur kryqin gjigant të ndriçuar që kurorëzon veprën monumentale të Antoni Gaudì dhe që tashmë dominon horizontin e kryeqytetit katalanas.
Ky akt simbolik merr një domethënie të veçantë në vitin që shënon 100-vjetorin e vdekjes së arkitektit gjenial katalanas, Antoni Gaudì. Vizita e Papës e shndërron Sagrada Familian në një nga qendrat më të rëndësishme të krishterimit dhe përfaqëson një hap vendimtar drejt përfundimit të veprës që ka formësuar identitetin kulturor dhe shpirtëror të Barcelonës.
Kulla e Jezusit, me lartësi 172.5 metra, është tashmë e përfunduar. Në majën e saj ngrihet kryqi monumental i veshur me qeramikë të bardhë dhe xham, i cili pasqyron dritën e diellit gjatë ditës dhe ndriçon natën, sipas vizionit origjinal të Gaudi. Në qendër të kryqit qëndron figura e Qengjit të Hyjit (Agnus Dei), realizuar nga artisti italian Andrea Mastrovito.
Antoni Gaudì nuk arriti ta shihte kurrë të përfunduar ëndrrën e tij. Më 7 qershor 1926 ai u godit nga një tramvaj në Barcelonë dhe vdiq tri ditë më vonë, në moshën 73-vjeçare. Në atë kohë, nga projekti i madhështor i Sagrada Familias ishin përfunduar vetëm kripta, absida dhe një nga kullat e Fasadës së Lindjes së Krishtit. Gjithçka tjetër mbetej ende një vizion: një tempull fajshlyes dhe një enciklopedi monumentale e fesë katolike e skalitur në gur.
Tre janë librat, nga të cilat qe frymëzuar arkitekti katalan për të konceptuar Sagrada Familien, këtë lavd për Hyjin në gur: libri i natyrës, libri i Shkrimit Shenjt dhe libri i Liturgjisë. Gaudi ndërthuri brenda kësaj ndërtese të shenjtë, gurë, pemë dhe jetë njerëzore, që të gjitha krijesat t’i thurnin lavde Zotit, por njëkohësisht nxorri jashtë “pikturat mbi elter”, për ta vendosur para njerëzve misterin e Zotit. Realizoi pra, një nga detyrat më të rëndësishme: kapërceu ndarjen ndërmjet diturisë njerëzore dhe diturisë së krishterë, ndërmjet ekzistencës në këtë botë kalimtare dhe jetës së amshuar, ndërmjet bukurisë së gjërave dhe Zotit si bukuri.
I biri i një farkëtari, Antoni Gaudì e gjeti frymëzimin te natyra. Pemët, lulet, format e kafshëve dhe harmonitë natyrore u bënë pjesë e gjuhës së tij arkitektonike unike. Kolonat e Sagrada Familia që ngjasojnë me trungje pemësh, sipërfaqet e lakuara, format organike dhe mungesa e këndeve të drejta e bënë krijimtarinë e tij krejtësisht të veçantë. Veprat e tij, nga Casa Batlló dhe Casa Milà deri te Park Güell dhe Casa Vicens, mbeten ndër kryeveprat më të njohura të arkitekturës botërore.
Njëqind vjet pas vdekjes së Antoni Gaudit, Sagrada Familia vazhdon të ngrihet si simboli më i njohur i Barcelonës dhe një nga monumentet më të admiruar në botë. Edhe pse mbeten ende për t’u përfunduar Fasada e Lavdisë dhe sheshi i madh urban në rrugën Carrer de Mallorca – projekte që kanë ngjallur debat dhe kundërshtime nga një pjesë e banorëve – Bazilika mishëron në mënyrë të veçantë ëndrrat, ambiciet dhe sfidat e qytetit katalanas.
Sot, Sagrada Familia nuk është vetëm kryevepra e papërfunduar e Gaudit, por edhe një simbol universal i fesë, artit dhe identitetit të Barcelonës. Çdo vit mirëpret mbi pesë milionë vizitorë nga mbarë bota, duke gjeneruar rreth 134 milionë euro të ardhura dhe duke mbetur një nga destinacionet kulturore e shpirtërore më të rëndësishme në Evropë.