Kërko

Papa: bota ka aq shumë nevojë për paqe dhe shpresë

Leon i XIV: Krishterët edhe sot përballen me "armiqësi dhe persekutime"

Vatican News

Krishterët edhe sot përballen me "armiqësi dhe persekutime", ashtu siç ndodhte në kohët e para, dhe "tundimi për t'u dekurajuar nga lodhja apo frika" mbetet "i madh". Kështu tha Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, kremtuar sot në mesditë, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, duke theksuar se "tani si atëherë, është e vështirë të mbetesh besnik ndaj mësimeve të Jezusit dhe të shpallësh Fjalën e tij: t'i përgjigjesh urrejtjes me dashuri, arrogancës me butësi, dekurajimit me qëndresë e shpresë. Për këtë është e nevojshme të ngulim rrënjët e besimit tonë dhe të misionit tonë në një marrëdhënie të thellë me Të. Kjo na jep forcën të mos dorëzohemi dhe të vazhdojmë t'u përcjellim të gjithëve, në çdo rrethanë, mesazhin e tij të shpresës, dashurisë dhe paqes. Bota ka aq shumë nevojë për këtë!"

Fjala e Papës gjatë lutjes së tome të Engjëllit të Zotit:

Vëllezër e motra të dashur,

të diel të lumtur!

Në Ungjillin e sotëm (Mt 10,26-33), Jezusi, duke i dërguar dishepujt e tij në mision, ndërmjet tjerash, u jep këtë këshill: “Atë që ju them në errësirë, thuajeni në dritë; e atë që e dëgjoni në vesh, shpalleni mbi çatitë e shtëpive"(v. 27).

Bën kështu një paralele ndërmjet asaj që dëgjojmë “në vesh”, domethënë në fshehtësinë e zemrave tona, dhe asaj që jemi të thirrur t'ua shpallim të gjithëve, duke na kujtuar se shpallja e Ungjillit është para së gjithash ndarja e një takimi personal me Të, unik për secilin prej nesh.

Forca e apostullimit, përtej teknikave dhe mjeteve, bazohet në veprën e Shpirtit Shenjt brenda nesh dhe në vërtetësinë e përgjigjes sonë. Shën Toma i Akuinit fliste për predikimin e asaj që medituam, si transmetim tek të tjerët: "contemplata aliis tradere" (krahaso Summa Theologiae, III, q. 40, a. 1, ad 2).

E nuk duhet të mendojmë se "meditimi" është përvojë e drejtë, e rezervuar për disa shenjtorë, murgjër e eremitë. Këtë mund ta bëjmë të gjithë, duke u përpjekur të ruajmë, ndërmjet pengesave të ditëve tona, çaste qetësie, në të cilat mund të qëndrojmë në heshtje para Zotit, për të dëgjuar zërin e Tij, për t'i besuar gëzimet dhe shqetësimet tona, për të rishikuar jetën tonë me të. Kjo na bën gjithnjë e më shumë njerëz me fe të fortë dhe të vetëdijshme e, si pasojë, apostuj të besueshëm dhe të lirë, burra e gra të afta për të reflektuar dritën e Ungjillit në çdo mjedis dhe çdo situatë të jetës, e për ta dëshmuar edhe aty, ku vlera e tij nuk kuptohet ose nuk pranohet.

Shën Mateu - autori i fragmentit biblik i kësaj së diele të 12të për të cilin po flasim - shkruante për bashkësitë që nuk kishin jetë të lehtë. Iu desh të përballen me armiqësi dhe persekutime, siç përballen shumë të krishterë ende sot në pjesë të ndryshme të botës, e tundimi për t'u ligshtuar dhe për t'u dorëzuar nga lodhja  a nga frika ishte tejet i madh.

Tani, ashtu si atëherë, duhet të qëndrojmë besnikë ndaj mësimeve të Jezusit dhe ta shpallim Fjalën e tij: t'i përgjigjemi urrejtjes me dashuri, arrogancës me butësi, çkurajimit me këmbëngulje. Për këtë arsye, duhet t’i thellojmë rrënjët e misionit tonë në një marrëdhënie të fortë me Të (krh. Françesku, Nxitja Ap. Evangelii Gaudium, 8). Kjo na jep forcën për të mos u dorëzuar dhe për të vazhduar t'u përcjellim të gjithëve, në çdo rrethanë, mesazhin e tij të shpresës, të dashurisë e të paqes. Bota ka shumë nevojë për të!

Virgjëra Mari na ndihmoftë të jemi dishepuj misionarë të Zotit Jezus, secili sipas thirrjes së vet.

21 qershor 2026, 21:25