Sulm i përgjakshëm xhihadist në Nigeri, raporti i OKB-së: mbi 20 viktima
Vatican News
Një sulm i përgjakshëm, që i atribuohet militantëve xhihadistë të grupit „Lakurawa”, ka lënë pas vetes mbi 20 të vdekur në komunitetin Fesken Rafi, në shtetin Kebbi të Nigerisë veriperëndimore, pranë kufirit me Nigerin. Sulmi ka ndodhur disa ditë më parë, por u bë i ditur vetëm gjatë fundjavës përmes një raporti konfidencial të sigurisë të përgatitur për Kombet e Bashkuara. Sipas këtij dokumenti, bastisja dëshmon rikthimin e aktiviteteve të grupit pas disa muajsh qetësie relative.
Organizata xhihadiste „Lakurawa” është mjaft aktive në brezin kufitar mes Nigerisë dhe Nigerit. Ndonëse lindi si një lëvizje vetëmbrojtjeje për të luftuar banditizmin vendas, grupi u radikalizua gradualisht: nisi t'u zhvaste taksa komuniteteve rurale, të kryente rrëmbime personash dhe të sulmonte hapur civilët e trupat e sigurisë. Grupi vazhdon të mbetet mjaft operativ në këtë zonë, pavarësisht operacioneve të ushtrisë nigeriane dhe sulmeve ajrore që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën dhjetorin e kaluar kundër bazave të Shtetit Islamik dhe aleatëve të tij në veriperëndim të vendit.
Dhuna në Nigeri nuk njeh të ndalur
Ky episod konfirmon përkeqësimin e prekshëm të sigurisë në një rajon që lëngon prej kohësh nën tensionet e forta etnike dhe sociale. Shteti Kebbi banohet kryesisht nga komunitetet Hausa, Fulani dhe Zarma, dhe pozicioni i tij gjeografik e bën jashtëzakonisht të pambrojtur ndaj depërtimit të grupeve të armatosura nga Nigeri, Mali dhe Burkina Faso.
Sipas analistëve, „Lakurawa” shërben sot si një urë lidhëse që mbart paqëndrueshmërinë e Sahelit drejt veriut të Nigerisë, duke ushqyer dyshimet për lidhje të mundshme me Shtetin Islamik në Sahel dhe fraksione të tjera xhihadiste rajonale. Ky sulm është pjesë e një vale dhune në rritje: pas disa vitesh përmirësimi relativ, numri i viktimave nga terrorizmi dhe bandat e armatosura ka rritur sërish kuotat, ndërsa në veriperëndim të vendit po ndërthuren rrezikshëm kryengritja xhihadiste, krimi i organizuar dhe gjakmarrja mes komuniteteve vendase.