Katakombet e shën Marçelinit e shën Pjetrit, në Romë Katakombet e shën Marçelinit e shën Pjetrit, në Romë

Më 2 qershor, kalendari kishtar përkujton Shën Marçelinin e Shën Pjetrin, martirë

Marçelini e Pjetri ishin të dy të krishterë të bashkësive të para romake. Po sa u zbulua se kishin përqafuar fenë e Krishtit, u zvarritën jashtë qytetit, gjatë Rrugës romake Labikana, pranë trojeve të lateranëve, atje ku sot lartohet Bazilika e Shën Gjonit në Lateran (Romë). Këtu, Marçelinin e Pjetrin i detyruan t’i bëjnë varrin vetes duke e gërmuar me duar. Si u bë gati gropa, ua prenë kokat për shkak të fesë së tyre në Krishtin, në zonën Torpignattara rrugës Casilina më 2 qershor të vitit 302

R.SH. - Vatikan

Më 2 qershor, kalendari kishtar përkujton Shën Marçelinin e Shën Pjetrin, martirë romakë të shekullit IV. Shenjtorët martirë Marçelini, meshtar e Pjetri, ekzorcist, siç na njofton Papa Shën Damasi, qenë dënuar me vdekje gjatë persekutimeve të perandorit romak Dioklecianit kundër të krishterëve.

Të vdesësh si i krishterë do të thotë t’i lesh botës një shenjë, një dëshmi që magjeps dhe tregon fytyrën e vërtetë të dashurisë. Do të thotë të zbrazësh nga brenda logjikën e dhunës dhe të kryeneçësisë, e cila ka kërkuar gjithmonë të heshtë zërin e atyre që i sjellin njerëzimit shpresën e Zotit të Jezu Krishtit. Një kryeneçësie të tillë nuk iu dorëzuan shenjtorët Marçelini dhe Pjetri – i pari meshtar dhe i dyti ekzorçist (që në atë kohë ishte një lloj shërbese më vete).

Ngjarja e tyre vendoset gjatë persekutimit të egër të urdhëruar nga Diokleciani: ishte viti 304 dhe prifti Marçelini isht arrestuar në Romë për shkak të fesë së tij në Krishtin. Në burg ai njohu Pjetrin, një ekzorçist, dhe të dy së bashku filluan të predikonin duke shpallur Ungjillin e Jezusit. Për këtë arsye, ata i dërguan në një pyll dhe i detyruan të hapnin vetë varrin e tyre, ku edhe i varrosën pasi i prenë kokën. Qëllimi ishte që t’i zhduknin pa lënë asnjë gjurmë, por ky plan dështoi.

Falë një matrone (gruaje fisnike) romake, trupat e dy shenjtorëve patën një varrim dinjitoz në Rrugën Labicana (Via Labicana) në Romë. Historia e priftit dhe e ekzorçistit të vrarë në pyll u përcoll në breza falë vetë xhelatit që kreu ekzekutimin; i prekur thellë nga dëshmia e tyre, ai ia tregoi këtë ngjarje Papës së ardhshëm, Damasit.

02 qershor 2026, 12:07