Kosovë: Kryeministri Kurti fiton zgjedhjet, por përsëri nuk ka shumicën e nevojshme
R.SH. / Vatikan
Megjithëse doli fitimtare, partia e Kurtit prap nuk e mori shumicën absolute të nevojshme për të qeverisur e vetme dhe për më tepër humbi vota, në krahasim me zgjedhjet e dhjetorit 2025, kur pati fituar 51 përqind të tyre, por nuk ishte në gjendje të arrinte një kompromis me opozitën për të zgjedhur institucione të qëndrueshme.
Ndërkohë, në votimin e djeshëm, tri partitë kryesore konservatore të opozitës - Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) fituan përkatësisht 21, 17.5 dhe 7 përqind të votave.
Lidhur me pakicën serbe, partia kryesore që përfaqëson pakicën serbe në Kosovë, Lista Serbe, konfirmoi se kjo është e para brenda asaj bashkësie, dhe se ka marrë 6.1 përqind të votave, të barabarta me 42,761 vota.
Megjithatë, votimi vjen pas një viti e gjysmë paralize politike, me ish-Parlamentin e shpërndarë për shkak të mungesës së marrëveshjes për kryetarin e Kuvendit, pikësëpari, dhe më pas për presidentin e Republikës. Pas votimeve të djeshme, nëse tri partitë kryesore të opozitës nuk vendosin të formojnë një front të bashkuar, duke lënë mënjanë mosmarrëveshjet e kaluara, rreziku është që të përsëritet i njëjti skenar.
Për këtë arsye, Bashkimi Evropian reagoi me kujdes ndaj fitores së re të Albin Kurtit. Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, duke shprehur urimet e saj për një proces zgjedhor "të qetë, gjithëpërfshirës dhe të rregullt", u bëri thirrje forcave politike të gjejnë kompromise "të shpejta" për të ndërtuar qëndrueshmëri institucionale dhe për të përparuar në rrugën evropiane. Ajo theksoi nevojën për institucione të forta dhe për reforma të reja që të zhbllokohen fondet e Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor caktuar Kosovës dhe për të përshpejtuar negociatat e pranimit, të dyja të bllokuara për shkak të krizës institucionale.
Nga ana tjetër, Beogradi e festoi rezultatin e zgjedhjeve pa rezerva. Kështu, kryetarja e parlamentit serb, Ana Bërnabiç, e kremtoi suksesin e Listës Serbe si një "demonstrim të bashkimit dhe të forcës së palëkundur të popullit serb", duke denoncuar "përpjekjet e supozuara për manipulim nga Prishtina" gjatë zgjedhjeve. "Rezultatet nuk janë të dyshimta dhe flasin vetë: Lista Serbe fitoi 10-0 në komunitetet serbe dhe mori më shumë vota sesa në zgjedhjet e mëparshme. Populli ynë tha se kush është përfaqësuesi i tij, dhe kjo është e vetmja çështje që ka peshë", shkroi Bërnabiç në mediat sociale.
Pavarësisht fitores zgjedhore, tani hapet një periudhë negociatash për Kurtin. Kryeministrit që la detyrën do t’i duhet përsëri të negociojë për koalicione dhe marrëveshje me opozitën për t’u përpjekur të formojë një qeveri të qëndrueshme dhe, mbi të gjitha, të përpiqet të arrijë një shumicë (të paktën 80 nga 120 vota gjithsej) në Parlament, të nevojshme këto për të zgjedhur një kryetar Kuvendi dhe një president të ri Republike.
“Në javët në vijim, ne do të takohemi dhe do të bashkëpunojmë me të gjitha palët sepse, mbi të gjitha, ne kujdesemi për interesin publik, vullnetin dhe Republikën sovrane së cilës i shërbejmë me përkushtim”, deklaroi Kurti në fjalimin e tij pas fitores në zgjedhje.
Pa një shumicë të gjerë, në fakt, rreziku është që kriza institucionale të zvarritet, duke e larguar më shumë vendin nga Brukseli (dhe nga fondet që janë dhënë për reformat për vendin) si edhe duke e zhytur atë në krizën socioekonomike në të cilën ndodhet prej më shumë se një viti.