Kosova në votime të parakohshme parlamentare
R.Sh. Vatikan
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë po zhvillohen në një gjendje të thellë krize politike dhe institucionale, pas një bllokimi të pandërprerë të parlamentit, me pengesa në formimin e qeverive të qëndrueshme dhe tensione në rritje ndërmjet pozitës dhe opozitës. Nëpërmjet këtyre votimeve, shpresohet, që të kapërcehet kjo gjendje e bllokimit të institucioneve, të cilat kanë si veçori polarizimin e fortë dhe paqëndrueshmërinë kronike të qeverive.
Vëzhgim nga afër i zgjedhjeve të fundit parlamentare
Kriza i ka rrënjët te zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2025. Në atë kohë, lëvizja «Vetëvendosje» e kryeministrit Albin Kurti konfirmoi pozicionin e saj si forca kryesore politike e vendit, por nuk arriti të siguronte një shumicë të mjaftueshme për të qeverisur në mënyrë të pavarur. Kësisoj, negociatat për formimin e koalicionit qeverisës qenë të vështira, pjesërisht për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve midis «Vetëvendosjes» dhe forcave të tjera parlamentare. Pas shumë muajsh bisedimesh të pafrytshme dhe dy përpjekjeve të dështuara për të formuar qeverinë, kuvendi u shpërnda nga Presidentja Vjosa Osmani, duke hapur rrugën për zgjedhje të parakohshme. Ngërçi politik pati pasoja në funksionimin e institucioneve. Mungesa e një shumice të qëndrueshme ngadalësoi miratimin e buxhetit të shtetit, bllokoi disa reforma dhe nuk e lejoi qeverinë të shqyrtonte çështje të ngutshme ekonomike dhe shoqërore.
Çështjet e kahershme me Beogradin
Çështja e kahershme e marrëdhënieve me Serbinë e ndërlikon edhe më tej gjendjen. Fërkimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës vazhdojnë të jenë një çështje e rëndësishme në politikën e Kosovës. Qëndrimet e qeverisë Kurti kundër bashkësive serbe në veri të Kosovës ngjallën kritika si nga opozita ashtu edhe nga disa aleatë perëndimorë. Vitet e fundit, BE-ja ka shprehur shqetësim për përshkallëzimin e tensioneve duke bërë thirrje për dialog me Beogradin. Kriza institucionale u përkeqësua më tej këtë vit, kur Parlamenti nuk arriti të zgjedhë as presidentin/presidenten e re. Mosarritja e numrit të nevojshëm dhe bojkotimi i opozitës i disa seancave parlamentare çuan në shpërndarjen e kuvendit dhe e kështu që vendi shkoi prap drejt votimeve të parakohshme
Kush mund të dalë fitimtar nga këto zgjedhje
Lëvizja «Vetëvendosje» vazhdon të mbizotërojë falë popullaritetit të Albin Kurtit, veçanërisht në mesin e të rinjve dhe të emigrantëve kosovarë.
Nga ana tjetër, partitë opozitare ndërsa kritikojnë menaxhimin e qeverisë, janë të përçara dhe të paafta për një alternativë të besueshme dhe të bashkuar.
Prandaj, zgjedhjet e parakohshme përfaqësojnë një sprovë vendimtare për qëndrueshmërinë e institucioneve demokratike dhe për aftësinë e Kosovës për të përparuar në rrugën drejt integrimit në BE. Pa një zgjidhje për përçarjet dhe pa rinisje të dialogut me Serbinë, vendi rrezikon të mbetet i bllokuar në një vorbull krizash politike të përsëritura, qeverish të dobëta dhe votimesh të shpeshta.