Kërko

Nga veprimtaritë e Programit Botëror të Ushqimit (WFP) në Gaza. Nga veprimtaritë e Programit Botëror të Ushqimit (WFP) në Gaza.

Drejtueset e WFP-së për Afrikën dhe Amerikën Latine: Nuk do të ketë paqe në një botë të uritur

Kinday Shamba dhe Lena Savelli u tregojnë mediave të Vatikanit për vlerën e vizitës së Papa Leonit XIV në selinë e Programit Botëror të Ushqimit në Romë. Ato diskutojnë në lidhje me mungesën e ushqimit – "prodhimi lokal është i pandërprerë, problemi është qëndrimi që mbahet dhe krizat". Dy drejtueset, po ashtu, flasin edhe për vendimet e dhimbshme që mungesa e fondeve i detyron të marrin.

Vatican News

Ekziston një hapësirë nëpër të cilët përshkohet gjithmonë lufta dhe kjo është uria. Këto dy plagë «ushqejnë» njëra-tjetrën, megjithatë njerëzit vazhdojnë të mendojnë se janë diçka për të cilën nuk mund të bëhet asgjë. Nuk është e vërtetë: nëpër botë ka ushqim që mund të përdoret. Problemi është se kujt ia mban xhepi ta blejë, kush mundet t’u mbijetojë krizave të ardhshme klimatike pa i humbur njëherë e përgjithmonë të korrat e veta?

Financimet kanë pësuar shkurtime. Dhe ata që paguajnë çmimin për vendime që merren larg janë një baba ose një nënë që nuk hanë drekat apo darkat vetëm e vetëm që fëmija i tyre të ketë ushqim, ose një punonjës humanitar që është i detyruar që ndihmat t’i racionojë gjithnjë e më shumë, duke vendosur se kush është i pari në listë dhe kush mund të lihet pas.

Këto nuk janë histori që shuajnë urinë por rrëfime që hapin zgavra në zemrat e njerëzve, pikërisht si ato që treguan për mediat e Vatikanit Kinday Shamba dhe Lena Savelli, drejtuese të Programit Botëror të Ushqimit (WFP) përkatësisht, për Afrikën Perëndimore dhe Qendrore dhe Amerikën Latine dhe Karaibet.

Vlera e njohjes së punës të Programit Botëror të Ushqimit nga ana e Papës

Shamba dhe Savelli japin kontributin e tyre çdo ditë në kontinente të largëta, sadoqë sot, më 22 qershor, të dyja janë të pranishme në selinë e Programit Botëror të Ushqimit në Romë. "Unë jam myslimane, por jam po aq e prekur sa çdo i krishterë," thotë Kinday Shamba, "sepse ky takim është mirënjohje për punën tonë dhe të atyre që punojnë në kushte të vështira, ndonjëherë duke rrezikuar jetën e tyre." Po ashtu edhe Lena Savelli shpreh ndjenjat e saj kur thotë: "Për rajonin tonë, ky është një nder i madh dhe shkon përtej protokollit. Feja më e praktikuar këtu është katolicizmi dhe vlerat e doktrinës shoqërore të Kishës – dinjiteti njerëzor, solidariteti dhe kujdesi për më të ligështit– janë në përputhje me detyrat që ka Programi Botëror i Ushqimit."

Uria të çon te lufta

Mirënjohje për shërbimin, pra, por edhe një zë që ngrihet kundër përdorimit të urisë si armë në të gjithë botën. Kjo është porosia që Shamba uron të dalë nga vizita e Leonit XIV. Falë përvojës në zona të vështira si Saheli, ajo ka parë se si, pa ndihmë humanitare, njerëzit varfërohen dhe ngaqë nuk kanë me se të rrojnë, atëherë rritet rreziku që të bashkohen me grupet e armatosura.

"Një goditje pas tjetrës"

Puna e WFP-së në kontinent ndërthur ndihmën e menjëhershme humanitare me përpjekjet afatgjata të rindërtimit. Projektet janë në zbatim e sipër në Mali, Burkina Faso, Niger, Pellgun e Liqenit Çad, Nigerinë veriore, Kamerun dhe Çad.

Përveç konflikteve, të cilat po i detyrojnë njerëzit të ikin, ka edhe çështje që lidhen me klimën: "përparimi i shkretëtirës në disa pjesë të Sahelit po e bën tokën gjithnjë e më të thatë dhe reshjet janë gjithnjë e më të pakta". Prandaj, WFP po punon me bashkësitë vendase për të shfrytëzuar sa më mirë burimet në dispozicion, duke i rritur të korrat në kulm dhe duke ruajtur ujin e paktë të shiut në dispozicion.

Vende nevojash por edhe mundësish

Për më tepër, në Afrikë, WFP po merret me problemin e përhershëm të krizave të urisë dhe pasigurisë, të cilave shpesh, në lajmet e shumta të mediave perëndimore, nuk u kushtohet vëmendja e nevojshme ndërkombëtare. Shamba citon shembullin e Republikës së Afrikës Qendrore, ku "nuk ka luftë tash disa vjet tashmë, por ka nivele të larta të pasigurisë ushqimore dhe refugjatë që jetojnë në vështirësi ". Pikërisht atje, në ato vende ku "ka nevoja të mëdha, por edhe mundësi të mëdha", Shamba do ta merrte Papën, sikur të ishte e mundur, për ta parë gjendjen me sy. Kurse Savelli, do ta shoqëronte Atin e Shenjtë në Peru  por edhe në zona të shumta të tjera ku vepron WFP, si Venezuela dhe Haiti, sa për të përmendur vetëm disa sosh.

Ose rreziko kokën, ose mos ha bukë

Savelli reflekton mbi krizën në Haiti, ku gati gjysma e popullsisë vuan nga uria. Ky është një fakt që ta copëton zemrën, pasojë vendimesh afatshkurtra dhe afatgjata: "Duhet të hash vetëm një herë në ditë ose të hash ushqimet më të lira, të cilat nuk plotësojnë as nevojat tuaja kalorike dhe as ushqyese. Kjo gjë do të thotë të mos jesh në gjendje të shkosh në treg nga frika e dhunës, ose të detyrohesh të shpërngulesh pa qenë në gjendje të kultivosh më ushqimin tënd. Duhet të zgjedhësh: ose rrezikon me kokë për të kërkuar ushqim, ose të mbetesh pa të."

Prodhim i lartë, mundësi të vogla për ta përdorur

Është paradoksi i Amerikës Latine, eksportueses më të madhe neto të ushqimit në botë, në gjendje të prodhojë mjaftueshëm për të ushqyer dyfishin e popullsisë së saj, megjithatë uria vazhdon. Problemi qëndron te pabarazitë që lidhen me mundësitë ekonomike për ta blerë ushqimin: "Nëse i shikojmë të gjitha rajonet e botës, ky është ai vend ku një dietë e shëndetshme kushton më shumë për person: më shumë se 5 dollarë në ditë.

Rënia dramatike e financimeve

Kur nënvleftësohen gjithë këto fakte, atëherë ka edhe zbritje të financimeve gjë që çon, pastaj, te caktimi edhe njëherë i përparësive, madje edhe për Programin Botëror të Ushqimit, një organizëm që fitoi çmimin Nobel për 2020. Vitin që kaloi, nga 33 milionë njerëz nevojtarë që kishte në Amerikë, vetëm 8.6 milionë morën ndihma. Në situata të tilla duhen marrë edhe vendimet më të vështira: duhen zvogëluar racionet që të ndihmohen sa më shumë njerëz, ose të zgjedhësh kë të ndihmosh më parë: fëmijët, gratë shtatzëna apo emigrantët?

«Financimet, thotë Samba, janë shumë nën nevojat që ka. Në disa shtete arrijnë të mbulojnë vetëm 10-20% të nevojave të popullsisë. Kjo gjë ka pasoja të rënda sepse duhet zvogëluar numri i njerëzve që duhet të marrin ndihmë ose duhet reduktuar edhe numri i punonjësve të Programit Botëror Ushqimor.»

22 qershor 2026, 14:33