Kërko

Parlamenti Evropian në Strasburg. Parlamenti Evropian në Strasburg.

BE: Parlamenti voton për Ballkanin. Mali i Zi dhe Shqipëria ecin mirë por u tërhiqet vëmendja Kosovës

Strasburg – më 17 qershor, Parlamenti Evropian miratoi pesë raporte që shqyrtojnë progresin drejt pranimit në BE të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Vatican News

Rezultatet janë shumë të ndryshme. Mali i Zi mund të bëhet anëtar i BE-së deri në vitin 2028; Shqipëria mund të përfundojë negociatat e pranimit deri në vitin 2027, duke e shtyrë pranimin në një datë të mëvonshme; raportet për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën nuk tregojnë përparim të rëndësishëm krahasuar me vitin e kaluar; në fund, Bosnjë-Hercegovina duhet t'i japë fund obstruksionizmit të saj dhe të përtërijë angazhimin e saj për anëtarësim në BE. Më konkretisht, eurodeputetët mirëpritën – me 486 vota pro, 101 kundër dhe 75 abstenime – “përparimin e qëndrueshëm të Malit të Zi në reformat që lidhen me BE-në”, me qëllimin përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2026 për t’u pranuar anëtar i BE-së deri në vitin 2028.

Lidhur me Shqipërinë, raporti u miratua me 483 vota pro, 103 kundër dhe 70 abstenime. Eurodeputetët pranuan “përparimin e shpejtë që Shqipëria ka bërë vitet e fundit” dhe u bënë thirrje autoriteteve të sigurojnë zbatimin e plotë të legjislacionit të miratuar. Pavarësisht këtij përparimi, Parlamenti deklaron se “vendi ende përballet me disa sfida, duke përfshirë kapërcimin e polarizimit të brendshëm politik dhe përmirësimin e kulturës politike, forcimin e sundimit të ligjit dhe konsolidimin e reformave kundër korrupsionit”.

Në një raport tjetër të miratuar me 412 vota kundër, 174 kundër dhe 58 abstenime, eurodeputetët përgëzuan Kosovën për “angazhimin e saj të vazhdueshëm” për anëtarësimin në BE, ndërsa shprehën “shqetësim për vështirësitë e Prishtinës për të formuar një parlament dhe qeveri plotësisht funksionale për më shumë se një vit”. Ata i bënë thirrje qeverisë të përshpejtojë reformat që lidhen me BE-në, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, lirive themelore dhe luftës kundër korrupsionit. Raporti theksoi se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit mbeten thelbësore për ambiciet evropiane të Kosovës. Në një raport të miratuar me 411 vota pro, 120 kundër dhe 120 abstenime, Parlamenti përsërit "mbështetjen e tij të plotë për angazhimin e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE", duke theksuar se "përparimi në negociata vazhdon të varet nga reforma të qëndrueshme dhe të thella". Eurodeputetët shprehën keqardhje për mungesën e përparimit që nga raporti i vitit 2025, veçanërisht në sundimin e ligjit, reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.

Në fund, me 478 vota pro, 116 kundër dhe 54 abstenime, eurodeputetët përsëritën mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Bosnjës dhe Hercegovinës në BE "mbi bazën e unitetit, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit". Bashkimi Evropian bën thirrje për reforma për të forcuar institucionet demokratike, për të siguruar respektin për sundimin e ligjit, për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar si edhe për të siguruar të drejtat themelore për të gjithë qytetarët. Parlamenti u bën thirrje udhëheqësve politikë të Bosnjës dhe Hercegovinës që të "përtërijnë angazhimin e tyre për anëtarësim në BE dhe të zbatojnë reformat e vonuara pa vonesë të mëtejshme".

Në dy raporte të tjera, të miratuara po sot, eurodeputetët paralajmëruan për prapambetjen në fushën e demokracisë në Gjeorgji dhe në Turqi dhe bënë thirrje për reforma si edhe për një përgjigje më të fortë të BE-së.

19 qershor 2026, 12:21