Ukraina, Moska dhe Kievi konfirmojnë armëpushimin e Trump
R. SH. / Vatikan
Armëpushim tre-ditor, nga 9 deri në 11 maj, e shkëmbim prej një mijë të burgosurish, nga secila palë. Ky, njoftimi i djeshëm i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, duke e paraqitur marrëveshjen ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës si hapi i parë i mundshëm drejt përfundimit të konfliktit. "Jam i kënaqur të njoftoj një armëpushim tre-ditor në luftën ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës", shkroi Trump në Truth Social, duke vënë në dukje se Rusia feston Ditën e Fitores, por se edhe Ukraina luajti "rol të rëndësishëm në Luftën II Botërore".
Presidenti amerikan foli për pezullimin e të gjitha veprimeve ushtarake dhe shkëmbimin prej një mijë të burgosurish, duke falënderuar të dy presidentët, Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky, për marrëveshjen e arritur.
Ukraina, viktima të shumta para armëpushimit
Miratimi erdhi edhe nga Kremlini. Yuri Ushakov, këshilltar i politikës së jashtme të Putinit, shpjegoi se Moska e konsideron iniciativën e propozuar nga Shtetet e Bashkuara "të pranueshme". Armëpushimi, saktësoi, vjen pas bisedës së fundit telefonike Putin ̵ Trump, gjatë së cilës të dy udhëheqësit kujtuan rolin që luajtën vendet e tyre përkatëse si aleatë në Luftën II Botërore dhe diskutimin e mundësinë e pezullimit të armiqësive gjatë festimeve të Ditës së Fitores. Edhe Zelensky konfirmoi marrëveshjen, por këmbënguli se Moska duhet ta respektojë atë. "Sheshi i Kuq është më pak i rëndësishëm për ne, sesa jeta e të burgosurve ukrainas që mund të kthehen në shtëpi", shkroi ai në X. Presidenti ukrainas njoftoi edhe se e kishte urdhëruar ushtrinë të mos sulmonte zonën e Sheshit të Kuq gjatë paradës së 9 majit. Në një dekret të botuar në faqen e internetit të presidencës, Kievi saktësoi se, për kohëzgjatjen e ceremonisë, ajo zonë do të përjashtohej nga plani për përdorimin e armëve ukrainase. Megjithatë, armëpushimi dukej i brishtë që në orët e para të mëngjesit. Sipas Forcave Ajrore Ukrainase, Rusia sulmoi vendin gjatë natës me një raketë balistike Iskander-M dhe 43 dronë, pavarësisht armëpushimit. Mbrojtja ajrore e Kievit thuhet se rrëzoi ose neutralizoi 34 mjete ajrore pa pilot, ndërsa në gjashtë vende u regjistruan sulme me raketa e me dronë.
Kisha e Ukraina
Në Ukrainë, 66% e popullsisë i beson Kishës. Të përpiqemi e të kuptojmë pse e si ka evoluar kjo marrëdhënie me kalimin e kohës.
Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, njoftoi nga Moska se Rusia do të ishte gati të priste një delegacion amerikan, nëse Uashingtoni vendos ta dërgojë një të tillë. "Nuk ka ende asgjë specifike, por sigurisht që Rusia është gjithmonë e gatshme ta bëjë këtë", pohoi. Megjithatë, Peskov sqaroi se aktualisht nuk janë planifikuar bisedime të drejtpërdrejta ndërmjet Trump dhe Putin, dhe se një zgjatje e mundshme e armëpushimit përtej 11 majit nuk është diskutuar ende. Në ditën kur Rusia kremton fitoren sovjetike në Luftën II Botërore, Zelensky, në vend të saj, thekson anëtarësimin evropian të Ukrainës. "Sot është Dita e Evropës", shkroi ai në X, duke theksuar se Kievi e feston atë "jo me ceremoni zyrtare apo slogane", por me vetëdijen se është "tashmë pjesë integrale e familjes evropiane". Mbrojtja e Ukrainës, shton, do të thotë mbrojtja e "Evropës sonë" dhe e drejta e vendit për të zgjedhur lirisht të ardhmen.
Pas Moskës, edhe Kyiv shpall armëpushimin
Në Moskë, ndërkaq, në Sheshin e Kuq, filloi parada ushtarake për 81-vjetorin e fitores në Luftën e Madhe Patriotike. Në fjalimin e tij, Putin kujtoi "heroizmin e popullit sovjetik", i cili, tha ai, dha "kontribut vendimtar në mposhtjen e nazizmit" duke e "shpëtuar botën". Presidenti rus, më pas, e lidhi atë kujtim me luftën aktuale në Ukrainë, duke argumentuar se bëma e brezit fitimtar frymëzon ushtarët e sotëm të angazhuar në "operacionin ushtarak special", të thirrur për t'u përballur me "forcë agresive të armatosur dhe të mbështetur nga i gjithë blloku i NATO-s". "Unë besoj fuqimisht se kauza jonë është e drejtë. Ne jemi të bashkuar", përfundoi Putin, duke paralajmëruar, kështu, si Kievin, ashtu edhe mbarë Evropën.