Lorenzo Bonechi "Shën Françesku duke u predikuar zogjve" Lorenzo Bonechi "Shën Françesku duke u predikuar zogjve"

Shikimi i Françeskut mbi botën, përmes artit

"Krijesat e Krijuesi. Shën Françesku dhe arti bashkëkohor". U hap dje ekspozita në MAXXI të Romës, e krijuar si pjesë e nismave kushtuar tetëqindvjetorit të vdekjes së Shën Françeskut të Asizit. Do të jetë e hapur deri më 20 shtator.

R.SH. / Vatikan

Duhet parë përtej figurës ikonografike të Shën Françeskut të Asizit, për të treguar mënyrën si e shikonte botën dhe vlerën etike të mendimit të Varfanjaku i Azisit, siç e thërret bota! Ky, mesazhi i ekspozitës, krijuar nga Beatrice Buscaroli, hapur këto ditë në Romë, në Fondacionin MAXXI - Muzeu Kombëtar i Arteve të Shekullit XXI. Vegimi i jetës, i shprehur në Këngën e Krijesave, bëhet pikënisje për riinterpretimin e artit italian nga periudha pas Luftës II Botërore, e deri në ditët e sotme.

Arti rrëfen mendimin e Françeskut

Shën Françesku nuk është thjesht subjekt përfaqësimi: është prani e aftë për të drejtuar shikimin dhe për të zbuluar mundësi të reja në marrëdhëniet ndërmjet njerëzimit, natyrës e  shenjtërisë.

"Figura e tij, pas 800 vjetësh, vazhdon t’i magjepsë njerëzit dhe t’u bëjë pyetje, duke përfshirë shumë artistë - e shumë dashamirë të tjerë të artit", shpjegon Davide Rondoni, President i Komitetit Kombëtar për Kremtimin e tetëqindvjetorit të vdekjes së Shën Françeskut të Asizit. "Ata e bënë të mundur këtë ekspozitë, duke krijuar mundësinë për të kuptuar se si artistët e sotëm merren me një figurë që jetoi e vdiq 800 vjet më parë. Njeriu është qenie fetare, që strehon brenda vetes  dëshira për të pafundmen, për t’i lidhur modelet e jetës së tij, me një model të vetëm. Brenda këtij horizonti përshtatet figura e Varfanjakut të Asizit, i cili që nga koha e Giottos është, padyshim, një nga figurat më të rëndësishme dhe më të vëna në pikëpyetje".

Feja e thellë e prekëse e Shën Françeskut

Në ekspozitë janë të përfshirë shumë artistë bashkëkohorë. Ndër të tjerë, janë veprat e Pier Paolo Calzolari-t, Stefano Arienti-t dhe Bruna Esposito-s. Zbulojnë një peizazh simbolik të përshkuar nga shenja natyrore dhe prani të brishta. Alberto Burri, Mario Giacomelli, Giorgio Morandi dhe Ennio Morlotti meditojnë mbi materien, kohën dhe përmasën themelore të jetës. Ekspozita vazhdon me vizionet e Mario Schifano, Maria Lai, Antonio Del Donno dhe Paolo Canevari, e arrin kulmin me vepra nga artistë të brezave më të fundit që riinterpretojnë temën françeskane përmes simbolit, figurës dhe metamorfozës së gjallesave.

Ekspozita pasurohet më tej nga paraqitja e veprave të papara deri tani, krijuar nga Jacopo Benassi, Chiara Calore, Aron Demetz, Fulvio Di Piazza, Marco Cingolani, Andrea Mastrovito, Alessandro Pessoli dhe Nicola Samorì. "Mund të ketë shumë arsye pse dikush tërhiqet nga figura e Françeskut - vazhdon Davide Rondoni – nga dashuria për Krijimin - tek dashuria për miqtë e tij - e tek besimi i tij i thellë. Shumë zemra artistësh rrahin kur kujtojnë një Artist, si Shën Françesku! Por rrahin edhe më shumë kur preken nga madhështia e Tejetlartit, i cili nuk u fsheh, por u bë  fëmijë i butë, që lind në Shpellë – e vdes në Kryq!”. Duke na lënë pas “artin e madh”, që na kujton bukurinë e Zotit!".

25 maj 2026, 10:49