Kërko

2020.05.23 ASCENSIONE DEL SIGNORE

Shenjtorët e javës 10-17 maj

Është java në të cilën Kisha kremton festën e të Shëlbuemit apo Ngjitjen e Zotit në qiell, por edhe të kremten e Zojës së Fatimës e shenjtorë të tjerë të rëndësishëm, ndër të cilët i Lumi shqiptaro-rumun Vladimir Gjika

R.SH. - Vatikan

Sot, të dielën VI pas Pashkëve, më 10 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Gjonin e Avilës, meshtar e doktor i Kishës, shën Jordanin, martir; shenjtorët Kuarti e Kuinti, martirë, Shën Jobin, Shën Kataldin e të Lumin Nikola Albergatin. Dashuria ndaj Hyjit e ndaj të afërmit është lajtmotivi i liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele të kohës së pashkëve. Në Ungjill, Gjoni apostull kumton se të pagëzuarit në Krishtin nuk janë më shërbëtorë, por miq të Hyjit.

Nesër, e hënë, 11 maj, kalendari kishtar përkujton shën Injacin e Làkonit; shën Antimin, martir; shën Gualtierin apo Valterin. Liturgjia e ditës pohon se ndjekur Zotin, dishepulli i vërtetë e dëshmon Krishtin e Kryqëzuar e të Ngjallur duke i lidhur ngushtë fjalët me vepra. Meriton kështu epitetin ‘njeri i drejtë’ dhe premtimin për të kundruar fytyrën e Zotit në amshim.

Të martën më 12 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Nereun dhe Akuileun. Sipas traditës së përçuar nga Papa Damasi, ishin dy ushtarë, të cilët u kthyen në fenë e krishterë duke parë forcën e martirëve. U dënuan në Romë nën perandorin Dioklecian, u mbytën me shpatë dhe u varrosën në varrezat e Domitilës.

Të mëkurën më 13 maj, kalendari kishtar kremton festën e së Lumes Zojës së Bekuar të Fatimës së Portugalisë, e cila iu duk për herë të parë tre barinjve të vegjël pikërisht në këtë datë, më 1917. Zoja e Bekuar iu duk gjashtë herë Luçisë së Jezusit, Françeskut dhe Gjaçintës dhe u la një mesazh për mbarë njerëzimin. Ipeshkvi i Leirisë, në letrën baritore me rastin e mbylljes së pesëdhjetëvjetorit të dukjeve të Zojës, pohoi se mesazhi i Fatimës “përmbledh një përmbajtje doktrinore aq të gjerë, sa mund të pohohet me siguri se nuk i shpëton asnjë temë themelore e fesë sonë të krishterë…”.

Të enjten më 14 maj, në Vatikan kremtohet festa e të Shëlbuemit, që për arsye praktika Kisha në vende të ndryshme të botës e kremton të dielën. Po atë ditë kremtohet edhe festa liturgjike e Shën Matisë Apostull. Për Matinë flitet në kapitullin e parë të Veprave të Apostujve, kur e thërrasin për të plotësuar numrin dymbëdhjetë, duke zëvendësuar, kështu, Judën Iskariot. E zgjedhin me short, ndër dy kandidatët që kishin qenë nxënës të Jezusit qysh nga pagëzimi në lumin Jordan. Tjetri ishte Jozefi, i quajtur Barsaba. Pas Rrëshajëve Matia fillon të predikojë, si të gjithë apostujt e tjerë. Nuk kemi lajme të sakta për mënyrën dhe vendin e vdekjes së tij. Tradita thotë se u martirizuan në Jeruzalem dhe se më vonë Shën Helena, nëna e perandorit Kostandin, e mbarti trupin e tij në Trier, ku nderohet edhe sot.

Të premten, më 15 maj kalendari kishtar përkujton shën Shën Izidorin, bujk.

Ndërsa, të shtunën, më 16 maj, kalendari kishtar përkujton shën Ubaldin, shën Onoratin, shën Luigjin Orione,  shën Aleksandrin dhe të Lumin Vladimir Gjika.

I Lumi Vladimir Gjika u lind në Stamboll më 1873 nga një familje shqiptaro-rumune dhe u kthye nga ortodoksia në katolicizëm, më 1902, në Romë, gjatë studimeve për filozofi dhe teologji. Deshi të shugurohej meshtar ose murg, por Papa Piu X e këshilloi t’i kushtohej apostullimit si laik. Pas shumë shërbimesh të çmueshme për Kishën si laik, u shugurua meshtar në vitin 1923. Nga ky vit, u dërgua nga Selia e Shenjtë në Sidney, Budapest, Dublin, Buenos Aires, ku mori pjesë në kongreset eukaristike ndërkombëtare. Kreu misione apostolike edhe në Japoni, Kinë e Ceylon. Vdiq ndër torturat e sigurimit, në një burg komunist në Rumani. Ndër provat e shumta, paraqitur nga dioqeza e Bukureshtit për lumnimin e tij, janë edhe dokumentet, që u gjetën në arkivat e ish policisë politike të regjimit dhe dëshmitë e shokëve të burgut.

Më 17 maj, Kisha Katolike kremton festën e të Shëlbuemit në të dielën VII pas Pashkëve. Bie sot edhe Dita e 60-të Botërore e Komunikimeve Shoqërore. Papa Leoni XIV, në Mesazhin e tij për të e hedh vështrimin drejt teknologjive të reja, gjuhëve të tyre, valës së risive dhe lehtësive që ato sjellin në jetën e njerëzve dhe të shoqërisë, por edhe drejt paqartësive dhe rreziqeve të shumta – “mashtrimet digjitale” dhe “kibernetika” janë disa nga ato të përmendura – që ato sjellim me vete. Përveç kësaj, kalendari kishtar përkujton Shën Pjetrin Liu Venjuan, katekist kinez i martirizuar në vitin 1834 për shkak të fesë në Krishtin, shën Vitorin martir dhe shën Pashk Bajlonin, laik françeskan, pajtor i shoqatave eukaristike.

10 maj 2026, 09:48