Kërko

Shën Jozefi marangoz, Georges de La Tour Shën Jozefi marangoz, Georges de La Tour

Shën Jozefi dhe puna

1 maji, ditë në të cilën Kisha kujton Shën Jozefin artizan, rast për të medituar mbi vlerën e punës. Festa e Shën Jozefit artizan u themelua nga Papa Piu XII, më 1 maj 1955. “A ju pëlqen, të dashur punëtorë e punëtore, kjo dhuratë e jona? Jemi të sigurt se po, sepse artizani i përvuajtur i Nazarethit - pati pohuar atë ditë Papa - jo vetëm që përfaqëson pranë Zotit e Kishës Shenjte dinjitetin e punëtorit të krahut, por është edhe rojtari i kujdesshëm i juaji e i familjeve tuaja

R.SH. - Vatikan

 

Shën Jozefi nderohet nga Kisha Katolike si pajtor qiellor i punëtorëve dhe model i dinjitetit profesional, veçanërisht në ditën e 1 majit (festë e themeluar në vitin 1955 nga Papa Piu XII). Nëse 2000 vjet  më parë ndokush do të kishte pasur nevojë për një zdrukthëtar, për të ndrequr ndonjë plasë në çatinë prej dërrase të strehës së vet, banorët  e zonës do t’i kishin treguar punishten e një karpentieri të Galilesë me emrin Jozef, fat i Marisë e atë i Jezusit.  Nëse dëshironi ta shihni në punë e sipër, duhet të sodisni punimet e artistëve të ndryshëm, ndërmjet të cilëve, holandezi Gerrit Van Honthorst – lindur  në vitin  1590 në Utrecht -  i cili në një nga pikturat e tij, sot e ruajtur në Ermitazh, në Pjeterburg, pikturon një skenë gati familjare: Shën Jozefin, në kulmin e punës, ndërsa i biri i mban qiriun. Është Jezusi “i ardhur si dritë në botë” që ndriçon edhe punishten e Jozefit, zdrukthëtarit të përvuajtur, i cili punon ndershmërisht për t’i siguruar bukën e përditshme familjes.

Shën Jozefi dhe Jezusi i vogël (Gerrit Van Honthorst)

Shën Jozefi dhe Jezusi i vogël (Gerrit Van Honthorst)

Në gjurmët e Shën Jozefit

Festa liturgjike e Shën Jozefit artizan u themelua nga Papa Piu XII, më 1 maj 1955. A ju pëlqen, të dashur punëtorë e punëtore, kjo dhuratë e jona? Jemi të sigurt se po, sepse artizani i përvuajtur i Nazarethit - pati pohuar atë ditë Papa -  jo vetëm që përfaqëson pranë Zotit e Kishës Shenjte dinjitetin e punëtorit të krahut, por është edhe  rojtari i  kujdesshëm i juaji e i familjeve tuaja”. Dëshmia e Jozefit, Pajtor qiellor i punëtorëve, në kohë të vështira na kujton forcën e durimit për t’i  përballuar  tatëpjetat e jetës.

Me rastin e 150-vjetorit të Dekretit Quemadmodum Deus, me të cilin Piu IX e deklaroi Shën Jozefin Pajtor të Kishës katolike, Papa Françesku, me letrën apostolike “Patris Corde” (Zemër Ati),  shpalli një vit të posaçëm kushtuar shën Jozefit. Vit, që nisi në dhjetor 2020 e do të vijojë deri më 8 dhjetor 2021. Në sfond të kësaj letre, ishte kriza, që lidhej ngushtë me Covid-109 e cila - shkruan Françesku - na bëri të kuptonim vlerën e pallogaritshme të njerëzve të thjeshtë, atyre që, larg çdo vetëshkatërrimi, ngjallin shpresat, edhe kur duken si të vdekura!

Bibla dhe punëtorët

Në Bibël takohemi edhe me mjeshtritë e mjeshtrat. Në kohën e Jezusit zanati i zdrukthëtarit nuk ishte shumë i përhapur në Palestinë. Mjeshtri i punimit të drurit prodhonte kryesisht mobilje për shtëpitë, si tryeza, karrige e sende të tjera të nevojshme për të mobiluar banesat. Prodhonte edhe trarë, shtylla e struktura të tjera prej drurit për ndërtesat. Në këtë kohë mjeshtria kryesore ishte ajo e fshatarit, a më mirë të themi, e mëditësve, që punonin tokën nga agu në muzg.

Ndërsa apostuj e parë të thirrur nga Jezusi, ishin peshkatarë. Bibla kujton edhe mjeshtri të tjera, si ajo e kovaçit, e poçarit. Pastaj zanati i skribëve,  që jepnin mësim në sinagoga, publikanët, që mblidhnin taksat e, sidomos, barinjtë, që shikoheshin si njerëz të papastër, sepse ditë natë me bagëtitë. Ata e furnizonin mishin për flijimet në tempull, po aty e kishin të ndaluar të hynin. Shikoheshin edhe si lajmëtarë, sepse duke bredhur nga fshati në fshat, në kërkim të kullotave, përhapnin kudo lajme të freskëta. Nuk është t’u çuditur prandaj, që pikërisht atyre iu besua lajmi i gëzuara i Lindjes së Krishtit.

Dinjiteti i punës

Dinjiteti i njeriut varet nga puna. Shoqëria nuk është e drejtë, nëse nuk u jep të gjithëve punë, e aq më keq, nëse i shfrytëzon punëtorët. E sot nuk mund të mos e kujtojmë edhe kremtimin e Jubileut të punëtorëve që u mbajt më Një maj të vitit 2000 në Tor Vergata, në periferi të Romës me Papën Gjon Palin e Dytë. Me atë rast Ati i Shenjtë Karol Wojtila, para mëse 200 mijë personave të mbledhur, ku bënin pjesë sindikatat, studentët, të papunët, financierët, politikanët e drejtorët e firmave, tha se “solidariteti dhe drejtimi i ndryshimeve rrënjësore që kanë përfshirë procesin e prodhimit, janë garancia etike që i mundëson popujt të bëhen protagonistë të së ardhmes së tyre. Shpikjet teknologjike janë të rëndësishme por dallimet e mosbarazitë që ekzistojnë në botë ende sot, janë ende të shumta e kërkojnë zgjidhje urgjente. Jo gjithmonë organizimi i punës e respekton dinjitetin e personit njerëzor” – tha Gjon Pali II .

“Vlera parësore e punës është e mira e njeriut, sepse e realizon si të tillë, realizon aftësitë e tij intelektuale, krijuese e prodhuese. Prej këtej, rrjedh se puna nuk ka vetëm qëllime ekonomike apo përfitimi, por sidomos qëllime, që kanë të bëjnë me njeriun dhe dinjitetin e tij”kështu pati pohuar Papa Françesku në takim me punëtorët  nga Metalurgjiku i Ternit, në Vatikan 20 mars të vititI papuni, ose ai që ka punë të përkohshme, vazhdoi Papa Bergoglio, mund të mënjanohet nga shoqëria, të çkurajohet e të bjerë në apati. Problemi i papunësisë, sidomos ndër të rinjtë, prek gati gjithë Evropën. E Bergoglio denoncoi arsyet: “Është pasojë e një sistemi ekonomik të paaftë të krijojë punë, sepse ka vendosur në qendër një idhull, që e ka emrin ‘para’! Prandaj, subjektet e ndryshme politike, shoqërore dhe ekonomike duhet të favorizojnë një sistem të ndryshëm, të bazuar mbi drejtësinë e solidaritetin….

Përmes Shën Jozefit na duket sikur Zoti vetë na përsërit: “Mos kini frikë! Feja i jep kuptim çdo ngjarjeje, të gëzuar a të trishtuar”. Zdrukthëtar i ndershëm, fati i Marisë, shën Jozefi na mëson edhe vlerën e dinjitetit dhe gëzimin “që gurron nga zemra, kur ha bukën, fryt i punës së duarve tua”. Mënyra si e kupton punën dhe bukën e përditshme babai i Jezusit, shën Jozefi e nxiti Papën Françesku për të bërë thirrje në favor të punës, sot çështje sociale urgjente, edhe në vendet me një farë niveli mirëqenieje. “Është e nevojshme ta kuptojmë - shkruante Papa Françesku - domethënien e punës, që të jep dinjitet”, që “bëhet pjesëmarrje në vetë veprën e shëlbimit”, “rast realizimi” për vetveten e për familjen, “bërthamë fillestare e shoqërisë”. Prej këndej, nxitja e Papës  Bergoglio drejtuar të gjithëve “për rizbulimin e vlerës, të rëndësisë dhe të nevojës së punës”, që të mund të krijohen kushte normale, në të cilat asnjeri nuk duhet ta ndjejë veten i përjashtuar”. Papa Bergoglio i ftoi të gjithë të angazhohen që të mund të thuhet: “Asnjë i ri, asnjë njeri, asnjë familje pa punë!”.

Papa Gjon Pali II dhe një grup punëtorësh (foto arkivore)
Papa Gjon Pali II dhe një grup punëtorësh (foto arkivore)

Punishtet e djeshme e të sotme  

Punishtja e Jozefit ishte një nga të shumtat që, në rrjedhë të historisë, ashtu si në kohët tona tëvështira,  u linin trashëgim breznive të reja - mjeshtritë e vjetra. Dije, që bëhet kulturë e punës, burim njohurish, e cila vijon në shekuj. Edhe sot artizanët janë pjesë themelore e prodhimit. Shpesh është fjala për punishte të vogla, kryesisht familjare që, për fat të keq, në këto kohë të vështira shoqërore, po mbyllen njëra-pas-tjerës.  

Një punishte artizanësh

Një punishte artizanësh

Mjeshtritë e lashta në trevat shqiptare

Të njëjtat mjeshtri apo zanate të lashta, biblike, që i gjejmë në historinë e vendeve të ndryshme të botës, vijojnë edhe në viset shqiptare. Në shekuj në Shqipëri e në trevat shqiptare ka pasur e ka njerëz, që ushtrojnë zanatin e zdrukthëtarëve e vijojnë të prodhojnë gjithfarë pajisjes prej druri. Ka edhe karpentierë, që çajnë dërrasa e trarë. E gurgdhendës me nam. E ka ende edhe shumë fshatarë: bujq sidomos, që punojnë tokat e veta a të botës. E që vijonë të pakësohen, sepse toka shqiptare nuk rrit më aq drith, sa u duhet për të jetuar! Ikin. E begatojnë  dherat e huaja, duke zëvendësuar punën e pronarit të tokës, me atë të mëditësit. Natyrisht ka akoma edhe peshkatarë e kovaçë e poçarë. E deri “publikanë”, domethënë nëpunës që mbledhin taksat, një nga zanatet e rralla “në lulëzim” …E punishte të vogla të të gjitha natyrave, edhe ato në mbyllje e sipër, sepse pikërisht mbi to peshojnë më rëndë luftërat.  

Puna është detyra kryesore e njeriut

Festa e Shën Jozefit punëtor është, pra, Dita e Punëtorëve.  Kushtetuta e Koncilit II të Vatikanit “Gaudium et Spes” na ndihmon dhe na nxit ta rizbulojmë kuptimin dhe vlerën e punës e të përballojmë çekuilbrimet ekonomike e shoqërore që ekzistojnë në shoqëritë e ndyrshme në botën e punës, dhe na thërret të rivendosim hijerarkinë e drejtë të vlerave, në radhë të parë, dinjitetin e njeriut që punon, lirinë e tij, përgjegjësinë e pjesëmarrjen, drejtësinë dhe mbrojtjen e kulturës së secilit popull dhe të modeleve të ndryshme të zhvillimit. Me pak fjalë, ky dokument i Kishës katolike na ndihmon ta kuptojmë punën si detyrë, si të drejtë të nevojshme për t’i vënë pasuritë e tokës e të teknologjisë, në shërbimin e përbashkët të njerëzimit e të shoqërisë së familjes njerëzore në shkallë botërore, duke zbatuar kështu urdhërin e Zotit i cili na thotë: “Nënshtrojeni tokën!”.

Prandaj, kjo ditë kushtuar punës në festën e Shën Jozefit punëtor, në njëren anë na kërkon drejtësi e paqe për të gjithë popujt, për të gjitha familjet e na nxit ta vëjmë në qendër të vemendjes njeriun e dinjitetin e tij dhe në anën tjetër na thërret që liria, demokracia, financat, tregu të përdoren si mjete për të ndërtuar njč të ardhme më të mirë e më të drejtë për të gjithë.

Një lutje lartuar nga Shën Pali VI, Shën Jozefit, më 1 maj 1969:

 “O Shën Jozef, Pajtor i Kishës, ti që pranë Fjalës së mishëruar punoje çdo ditë për të fituar bukën, duke nxjerrë prej Tij forcën për të jetuar e për t’u munduar; ti, që provove ankthin e së nesërmes, hidhërimin e varfërisë, pasigurinë e punës; ti, që rrezaton shembullin e figurës sate, të përvuajtur para njerëzve, por tejet të madhe përpara Zotit, mbroji punëtorët në jetën e tyre të ashpër të përditshme, ruaji nga dëshpërimi, nga revolta mohuese si dhe nga tundimet e hedonizmit: e ruaje paqen në botë, atë paqe e cila është e vetmja që mund të garantojë zhvillimin e popujve. Amen".

01 maj 2026, 10:03