2026.03.31 croce - resurrezione - pasqua

Më 8 maj, kalendari kujton shën Viktorin, martir

Viktori gjendej në Milano për të kryer shërbimin ushtarak që nuk ishte i detyrueshëm, prandaj ai kërkoi të lirohej prej tij për t’iu kushtuar një veprimtarie më paqësore. Sot do ta quanim “kundër për hir të ndërgjegjes” e të gjithë menduan se s’mund të ishte tjetër, veçse i krishterë. Pasi e torturuan, iu pre koka

R.SH. - Vatikan

Lajmet më të hershme mbi martirët Viktor, Feliks e Nabor përmblidhen në himnin “Victor Nabor Felix pii…” që Shën Ambrozi, ipeshkvi i Milanos, ua ka kushtuar atyre. Të dhëna të tjera për ipeshkvin e shenjtë gjenden në veprën ‘Shpjegimi i Ungjillit sipas Lukës’ (Explanatio evangellii secundum Lucam) dhe në shkrimin ‘Veprat e martirizimit të shën Viktorit’, të cilat dalin në dritë në shekullin VIII. Të tre martirët përshkruhen si ushtarë të ardhur nga Mauritania në Milano, ku kishte shumë “emigrantë” nga Afrika prokonsullore.

Viktori gjendej në Milano për të kryer shërbimin ushtarak që nuk ishte i detyrueshëm, prandaj ai kërkoi të lirohej prej tij për t’iu kushtuar një veprimtarie më paqësore. Sot do ta quanim “kundër për hir të ndërgjegjes” e të gjithë menduan se s’mund të ishte tjetër, veçse i krishterë. Komandanti i tij mendoi se mund t’ia kthente mendjen duke e mbyllur në burg. E detyroi të agjëronte për gjashtë ditë. Pastaj, duke parë këmbënguljen e ushtarit, e tërhoqi zvarrë në hipodromin e cirkut, në afërsi të Portës Tiçineze. Aty, në praninë e perandorit Masimian Erkuleo, e urdhëroi që t’u bënte fli hyjnive. Pasi ushtari i krishterë refuzoi, këshilltari perandorak Anulini e fshikëlloi me kamxhik, për ta çuar më pas, në burgun e Portës Romane. Aty i derdhën mbi trup plumb të shkrirë, por, mrekullisht, lëngu rrëshqiste mbi mish pa lënë gjurmë. Viktori e gjeti edhe mënyrën për të ikur nga burgu, por u kap dhe u çua në pyll. Aty iu pre koka dhe mbeti i pavarrosur për një javë të tërë. Trupi i martirit u gjet nga ipeshkëv Materni dhe u varros në po të njëjtin vend ku u martirizua. Pastaj, reliket e tij u çuan në kisha të ndryshme milaneze, që i janë kushtuar martirit, i cili është pajtor i të burgosurve dhe i mërgimtarëve.

08 maj 2026, 09:58