Kërko

Shenjtja Ursulën Ledohovska Shenjtja Ursulën Ledohovska

Më 29 maj kalendari kujton Shën Ursula Ledohovska-n, rregulltare

Shenjtja Ursula Ledohovska, themeluese e motrave Orsoline të Zemrës së Jezusit në agoni, u shpall e Lume në Poznan të Polonisë më 20 qershor 1983 e shenjte, në Romë, më 18 maj 2003. Të dyja kremtimet solemne i kryesoi vetë Papa Gjon Pali II

R.SH. / Vatikan

Më 29 maj, Kisha kujton me nderim Shën Ursulën Ledohovska, gruan e guximshme që ia kushtoi gjithë jetën Zotit, edukimit dhe shërbimit ndaj më të varfërve. E lindur më 17 prill 1865 në Losdorf të Austrisë, me emrin Julia Maria Ledohovska, ajo u rrit në një familje fisnike polake të mbushur me besim dhe përkushtim fetar. Nga kjo familje dolën figura të rëndësishme të Kishës, mes tyre edhe motra e saj, Maria Tereza Ledohovska, dhe vëllai i saj Vladimir, i cili më vonë u bë epror i përgjithshëm i jezuitëve.

Që në rini, Ursula tregoi shpirt të ndjeshëm dhe dashuri për njerëzit. Pas viteve të shkollimit, familja u vendos pranë Krakovisë dhe aty lindi edhe thirrja e saj rregulltare. Në moshën 21-vjeçare ajo hyri në kuvendin e motrave orsoline në Krakovë, ku më 1899 bëri kushtet e përjetshme. Brenda pak vitesh u dallua si mësuese, edukatore dhe organizatore e zonja. Hapi konvikte për vajza të reja dhe i afroi ato më pranë fesë përmes Shoqatës së Bijave të Zojës.

Jeta e saj mori një kthesë të vështirë kur u dërgua në Shën Peterburg për t’u kujdesur për studentet polake në mërgim. Në një kohë tensionesh politike dhe përndjekjesh ndaj shtetasve austriakë, Ursula u detyrua të vishte rroba civile për të vazhduar misionin e saj pa pengesa. Megjithatë, ajo nuk u tremb kurrë. Me vendosmëri dhe besim, vazhdoi të ndihmonte të rinjtë dhe nevojtarët.

Shpirti i saj misionar e çoi më pas në Finlandë, Suedi, Danimarkë dhe vende të tjera të Evropës Veriore. Në Finlandë themeloi një shkollë moderne në ajër të pastër për vajzat me shëndet të dobët, duke sjellë metoda të reja edukimi. Kudo ku shkonte, Ursula sillte shpresë, kujdes dhe dashuri njerëzore.

Në vitin 1920, duke ndjekur një dëshirë të thellë të zemrës së saj, ajo themeloi një kongregatë të re: Motrat Orsoline të Zemrës së Jezusit në agoni. Motrat njiheshin në Poloni si “orsolinet ngjyrë hiri” për shkak të petkut të tyre, ndërsa në Itali si “motrat polake”. Kongregata u rrit shpejt dhe u bë një strehë shërbimi për të varfrit, të rinjtë dhe të sëmurët.

Kur Ursula ndërroi jetë në Romë, në vitin 1939, la pas një vepër të madhe: 35 shtëpi rregulltare, mbi një mijë motra dhe shumë shkrime shpirtërore në gjuhën polake. Shenjtëria e jetës së saj u njoh zyrtarisht nga Kisha kur Papa Gjon Pali II e shpalli të Lumtur më 20 qershor 1983 në Poznan dhe Shenjte më 18 maj 2003 në Romë. Jeta e saj mbetet edhe sot një dëshmi force, besimi dhe dashurie pa kufij ndaj njeriut.

 

 

29 maj 2026, 10:08