Këshilli i komisarëve të BE, mbledhur në Bruksel (REUTERS) Këshilli i komisarëve të BE, mbledhur në Bruksel (REUTERS)

Kur Evropa zgjodhi paqen përmes bashkëpunimit

Më 9 maj 1950, në Paris, u bë publike Deklarata e mbajtur nga Robert Schuman, asokohe Ministër i Jashtëm i qeverisë franceze. Ky fjalim konsiderohet akt i parë zyrtar politik në të cilin mori formë ideja e një Evrope të bashkuar fillimisht ekonomikisht e, në fund të fundit, politikisht, ndërmjet shteteve të ndryshme të kontinentit.

R.SH. - Vatikan

Sot festojmë Ditën e Evropës. 9 maji përkujton ditën — shtatëdhjetë e gjashtë vjet më parë — kur Kontinenti i Vjetër vendosi ta ndryshonte fatin e tij, duke u nisur në një rrugë bashkëpunimi dhe integrimi të destinuar ta transformonte thellësisht historinë.

Deklarata e Schuman

Më 9 maj 1950, në Paris, u bë publike Deklarata, e mbajtur nga Robert Schuman, asokohe ministër i jashtëm francez. Ky fjalim konsiderohet akti i parë zyrtar politik, në të cilin ideja e Evropës së bashkuar mori formë, fillimisht në planin ekonomik e, në fund të fundit, në atë politik, ndërmjet shteteve të ndryshme të kontinentit. Propozimi i Schumanit parashikonte krijimin e një organizate mbikombëtare për përdorimin e përbashkët të prodhimit të qymyrit dhe çelikut, dy burime kryesore jo vetëm për zhvillimin industrial, por edhe - e veçanërisht në atë kohë - për industrinë e luftës. Ideja themelore ishte aq e thjeshtë - sa edhe inovative dhe shkatërruese: të bëhej e pamundur një luftë e re ndërmjet kombeve evropiane, veçanërisht Francës dhe Gjermanisë, historikisht rivale, duke ndërthurur ekonomitë e tyre aq ngusht, sa konflikti i armatosur të bëhej mundësi jopraktike. Teksti i Deklaratës propozonte krijimin e Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut (ECSC), që do të përfshinte Francën, Gjermaninë Perëndimore, Italinë, Belgjikën, Holandën dhe Luksemburgun. Shtetet anëtare do të bashkonin organizimin dhe prodhimin e këtyre burimeve strategjike, duke ia besuar një institucioni të pavarur mbikombëtar, të aftë për të marrë vendime në interes të përbashkët, jo atë të qeverive individuale. BEQÇ përfaqësonte realizimin e parë konkret të projektit evropian dhe hapin e parë drejt procesit të integrimit, të paracaktuar të zgjerohej me kalimin e kohës. Ishte  eksperiment i paparë politik dhe ekonomik, i cili paraqiti idenë e sovranitetit të përbashkët ndërmjet shteteve. 

Pasojat shkatrrimtare të luftës

Në vitin 1950, kombet evropiane po përpiqeshin ende të ngriheshin përsëri në këmbë, pas pasojave shkatërruese të Luftës II Botërore, përfunduar vetëm pesë vjet më parë. Kontinenti pësoi shkatërrime materiale, krizë ekonomike dhe plagë të thella sociale e politike. Në këtë kontekst, qeveritë evropiane zhvilluan bindjen se bashkëpunimi ekonomik mund të bëhej instrument kryesor për sigurimin e paqes. Për këtë arsye, arritën në përfundimin se bashkimi i prodhimit të qymyrit dhe çelikut do ta bënte një konflikt të ri ndërmjet Francës dhe Gjermanisë jo vetëm të vështirë, por edhe të pazbatueshëm. Siç deklaroi vetë Robert Schuman, lufta ndërmjet dy kombeve do të bëhej "jo vetëm e papërfytyrueshme, por materialisht edhe e pamundur". 

Hapi i parë

Shtatëdhjetë e gjashtë vjet më parë, besohej me të drejtë se bashkimi i interesave ekonomike do të kontribuonte në rritjen e standardeve të jetesës dhe do të ishte hapi i parë drejt një Evrope më të bashkuar. Anëtarësimi në ECSC ishte i hapur për vendet e tjera, me një synim gjithëpërfshirës që shkëputej nga dinamikat e së kaluarës dhe shënonte një epokë të re bashkëpunimi. Në vitin 1957, me ECSC-së u bashkua Komuniteti Ekonomik Evropian, i themeluar me Traktatin e Romës, që do të zgjeronte procesin e integrimit në tregun e përbashkët. Ky evolucion institucional do të forcohej me kalimin e kohës deri në lindjen e Bashkimit Evropian, në vitin 1992, me Traktatin e Maastrichtit, e më pas, edhe me reforma të mëtejshme, duke arritur kulmin në strukturën aktuale, të konsoliduar nga Traktati i Lisbonës, që hyri në fuqi në vitin 2009. Fjalimi i Schumanit hapi, kështu, rrugën për krijimin e Bashkësive Evropiane, të konceptuara si bazë konkrete për bashkimin e ardhshëm politik, me një perspektivë federale, megjithëse ky objektiv mbetet edhe sot çështje debati ndërmjet Shteteve anëtare. 

Një mundësi për të kujtuar unitetin evropian

 Deklarata e Schumanit konsiderohet si pikë fillestare e procesit të integrimit evropian. Nga kjo ide, me kalimin e kohës dolën institucione gjithnjë e më të strukturuara, duke arritur kulmin në Bashkimin e sotëm Evropian, të themeluar mbi vlera të përbashkëta si paqja, solidariteti, bashkëpunimi dhe respekti ndërmjet popujve. Me këto parime u bashkuan gradualisht mbrojtja e të drejtave themelore, liria e lëvizjes dhe ndërtimi i një hapësire të përbashkët të qytetarisë evropiane.

Dita e Evropës, pra, nuk është thjesht përvjetor simbolik, por mundësi për të kujtuar se uniteti evropian është rezultat i një zgjedhjeje të vetëdijshme historike, lindur nga dëshira për të kapërcyer konfliktet e kaluara dhe për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët, të bazuar në bashkëpunimin ndërmjet shteteve dhe qytetarëve.

Ftesë, në të tashmen!

Në të njëjtën kohë, ky përvjetor na fton të reflektojmë mbi sfidat e së tashmes: tensionet ndërkombëtare në rritje, krizat ekonomike, flukset migratore, si dhe tranzicionet dixhitale dhe klimatike, të cilat kërkojnë përgjigje të koordinuara dhe përforcojnë nevojën për një Evropë të aftë të veprojë si front i bashkuar. Në këtë kuptim, fryma e Deklaratës së Schumanit mbetet shumë e rëndësishme edhe sot, duke kujtuar se bashkëpunimi ndërmjet popujve nuk është vetëm ideal, por nevojë konkrete për të siguruar stabilitetin, përparimin, paqen!

09 maj 2026, 13:47