Kërko

Fëmijët dhe të rinjtë në Gaza (ANSA) Fëmijët dhe të rinjtë në Gaza (ANSA)

Gaza: Pro Terra Sancta vazhdon të shpëtojë fëmijët mes luftës dhe shkatërrimit

Mes rrënojave, mbeturinave, epidemive dhe privimeve të çdo lloji, vullnetarët e OJQ-së, krahu operativ i Rojtarisë françeskane të Tokës së Shenjtë, vazhdojnë të ofrojnë arsim, asistencë psikologjike dhe humanitare në Rrip. Zëdhënësi i organizatës, Andrea Avveduto: "Është e rëndësishme të qëndrojmë për të rindërtuar njerëzit. Edukimi, një antidot i fuqishëm kundër terrorizmit"

R.SH. / Vatikan

Gaza po përballet me një krizë të rëndë humanitare, ku mijëra fëmijë jetojnë mes urisë, frikës, sëmundjeve dhe shkatërrimit të vazhdueshëm. Në këtë situatë dramatike, organizata humanitare Pro Terra Sancta po vazhdon aktivitetin e saj për të ndihmuar fëmijët dhe familjet palestineze në Gaza City.

Sipas zëdhënësit të organizatës, Andrea Avveduto, vullnetarët vazhdojnë të ofrojnë ushqim, ilaçe, ndihmë psikologjike dhe arsim, edhe në zonat më të goditura nga bombardimet. Shkolla të improvizuara janë hapur në tenda, ndërtesa të dëmtuara dhe në kompleksin e famullisë së Familjes së Shenjtë në Gaza.

Organizata Pro Terra Sancta po organizon gjithashtu edhe aktivitete dhe kampe verore për fëmijët, me qëllim rikthimin e një pjese të normalitetit dhe shpresës në jetën e tyre. “Buzëqeshja e një fëmije pas një libri, një loje apo një aktiviteti është shenjë se ata nuk ndihen të braktisur”, ka deklaruar Avveduto.

Një pjesë e rëndësishme e punës së organizatës është mbështetja psikologjike për fëmijët që kanë përjetuar trauma të rënda nga lufta dhe zhvendosja. Sipas Avveduto-s, arsimi mbetet arma më e fortë kundër terrorizmit dhe urrejtjes.

Të dhënat e UNICEF-it tregojnë përmasa alarmante të krizës në Gaza që nga tetori i vitit 2023: mbi 21 mijë fëmijë janë vrarë, 45 mijë janë plagosur ose gjymtuar, ndërsa rreth 56 mijë kanë mbetur jetimë. Pothuajse 1 milion fëmijë kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare dhe mbështetje psikologjike.

Megjithëse ndihma e Pro Terra Sancta arrin vetëm një pjesë të popullsisë, organizata e konsideron praninë e saj si një simbol shprese dhe rezistence njerëzore në mes të luftës dhe shkatërrimit.

26 maj 2026, 16:51