Udhëheqësit fetarë të Kosovës Udhëheqësit fetarë të Kosovës

Udhëheqësit fetarë të Kosovës kërkojnë respekt dhe përgjegjësi gjatë zgjedhjeve

Përfaqësuesit e Bashkësive fetare në Kosovë, më 28 maj 2026, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, nëpërmjet së cilës ftojnë të gjithë qytetarët e vendit tonë në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, respektit dhe përgjegjësisë shoqërore. Ata riafirmojnë rëndësinë e dialogut dhe kulturës demokratike, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore.

R.SH. / Vatikan

Udhëheqësit fetarë të Kosovës kanë publikuar, më 28 maj 2026, një deklaratë të përbashkët, ku bëjnë thirrje për respekt, dinjitet njerëzor dhe përgjegjësi shoqërore gjatë periudhës zgjedhore. Në dokumentin e nënshkruar nga përfaqësuesit e Bashkësisë Islame, Kishës Ortodokse Serbe, Kishës Katolike, Kishës Protestante Ungjillore dhe Bashkësisë Hebraike, theksohet rëndësia e dialogut, kulturës demokratike dhe refuzimit të gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit.

Udhëheqësit fetarë kërkojnë përdorimin e një gjuhe të respektueshme në debatet publike, respekt për gratë dhe vajzat, ndershmëri në komunikim, si dhe sjellje etike në media dhe platformat sociale.

“Fjalët kanë rëndësi. Ato formësojnë sjelljen. Ato ndajnë ose bashkojnë”, thuhet në deklaratë, e cila u bën thirrje qytetarëve dhe institucioneve të veprojnë me përgjegjësi dhe të mbrojnë strukturën demokratike dhe shoqërore të vendit.

29 maj 2026, 15:11