Të krishterë e myslimanë në Algjeri: "Paqen e dëshirojmë në të njëjtën mënyrë"
R.SH. / Vatikan
Angazhimi për paqen dhe unitetin, së bashku me përkushtimin ndaj bamirësisë dhe lutjes, janë temat kryesore të dëshmive ofruar Leonit XIV gjatë takimit të hënën, më 13 prill, me komunitetin algjerian, në Bazilikën e Zojës së Bekuar të Afrikës.
Ruajtja e dinjitetit
Përvoja e një feje "të vërtetë" që "nuk izolon, por hap; bashkon, por nuk ngatërron; afron pa uniformuar dhe rrit vëllazërinë e vërtetë" - kujtoi në frëngjisht Monia Zergane, myslimane, jeta e së cilës është "shenjë shprese për botën tonë". Në shërbesat e Kishës Katolike, në Algjeri, të krishterët dhe myslimanët punojnë "krah për krah - tha ajo - me të njëjtat shqetësime për mirëpritjen, shërbimin, dëgjimin, kujdesin për më të ligshtin, organizimin, gjetjen e burimeve financiare dhe punën për të siguruar që qendrat e aktiviteteve të jenë vende të sigurta për ruajtjen e dinjitetit të njerëzve". Ky shërbim për më të "ligshtin”, qofshin gra, fëmijë, të moshuar ose të sëmurë, jetohet "së bashku" e krijon një "vëllazëri të vërtetë", shpjegoi Monia Zergane, e bindur se "shërbimi ndaj njerëzimit është, mbi të gjitha, shërbim ndaj Zotit". Një angazhim ky, theksoi, që ushqehet nga të gjitha gjërat "e bukura" të përfshira: aftësitë, përkushtimi, durimi, falja, dhembshuria dhe bamirësia.
Unitet me vëllezërit e mi të krishterë
"I vizitoj çdo ditë vëllezërit dhe motrat e mia të krishtera, e i shoh duke u lutur, duke festuar dhe duke e jetuar besnikërisht thirrjen e tyre", vazhdoi ajo, "e pa i ngatërruar shtigjet tona, unë, që i lutem Zotit sipas traditës myslimane, ndjej të njëjtën prirje të brendshme: duke kërkuar Zotin, duke u mësuar ta dua më shumë dhe duke lejuar veten të shndërrohem për t'u bërë më e mirë ndaj të tjerëve".
Kështu u shpreh Monia Zergane, që vijoi të shpjegonte se ndonjëherë - siç bëri pardje në Bazilikë - merr pjesë në çaste të rëndësishme të jetës së krishterë "në bashkim me motrat dhe vëllezërit e mi", të cilët nga ana tjetër "i festuan me ne myslimanët, çastet tona të festimit e ndanë edhe çastet tona të vuajtjes".
Vëllazëria e gjesteve të thjeshta
Vëllezër dhe motra ishin "ndihmë dhe ngushëllim i jashtëzakonshëm" për Monian gjatë përvojës së saj me sëmundjen, kur, rrëfeu me mirënjohje: "munda të mbështetem në afërsinë e tyre, solidaritetin e tyre të palëkundur, mirësinë e tyre dhe lutjet e tyre". Veçanërisht, afërsia e një bashkësie Fokolarësh dhe angazhimi i përditshëm për të praktikuar dashurinë për të tjerët "shpesh më sfidon dhe më bën të kuptoj se jeta nuk përbëhet kryesisht nga vepra të mëdha të dukshme, por nga bashkësia e jetuar ditë pas dite", pranoi ajo. E vetëdijshme se vëllazëria ndërtohet edhe "me gjeste të thjeshta: një buzëqeshje, një përshëndetje e përzemërt, një fjalë e mirë, një shërbim i ofruar pa pritur asgjë në këmbim, e edhe në gjërat e vogla të jetës së përditshme: përshëndetja e njëri-tjetrit në një festë, ndarja e një vakti pas një periudhe agjërimi, dëgjimi i kuptimit shpirtëror të një feste".
Paqen e dëshirojmë në mënyrë të barabartë
Një "jetë e përbashkët", në të cilën Monia Zergane zbulon çdo ditë se Zoti vepron "në takimin e sinqertë me tjetrin, i cili nuk është kërcënim, por dhuratë", për të kuptuar se "ne kemi dëshirë të barabartë për dinjitet, dashuri, drejtësi dhe paqe, e mund të ecim së bashku, në besim dhe shpresë". Në Algjeri, si në vende të tjera, "udhëtimi, ecja përpara nuk ka mbaruar" dhe çdo ditë, kujtoi muslimania, "duhet ta rimësojmë përvujtërinë dhe dashurinë", duke u lutur për të kontribuar me përvujtëri në ndërtimin e një bote në të cilën "ne mund të jetojmë, të lutemi, të punojmë dhe të ëndërrojmë vërtet së bashku".