Shenjtorët e javës 26 prill – 3 maj
R.SH. - Vatikan
E diel 26 prill, Kisha katolike kremton të dielën e 4-të të Pashkëve, e po sot më 26 prill, kremtohet festa e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtorës qiellore të shqiptarëve. Festa e Zojës i bashkon shpirtërisht gjithë shqiptarët rreth figurës së Zojës së Bekuar në shenjtëroren kombëtare rrëzë Kështjellës Rozafa të Shkodrës, rrënimi dhe rindërtimi i së cilës do të mbetet në shekuj si simbol i ikjes e i rikthimit të përsëritur të Nënës së Zotit në trojet e në zemrat e shqiptarëve. Fugurja e mrekullueshme e Zojës së Këshillit të Mirë, origjinali i së cilës ndodhet në Gjenacan afër Romës, pasqyron gjithë historinë e katolicizmit në Shqipëri.
Të hënën, më 27 prill, kalendari kishtar përkujton shën Simeonin, ipeshkëv i Jeruzalemit e martir, shën Liberalin dhe shën Zitën.
Të martën më 28 prill, kalendari kishtar përkujton shën Pjetrin Shanel, meshtar e martir i Oqeanisë dhe shën Luigjin Grinjon de Montfort, meshtar, themelues i Shoqërisë së Marisë.
Të mërkurën më 29 prill, kalendari kishtar përkujton shën Katerinën e Sienës, virgjër, doktoreshë e Kishës, Pajtore qiellore e Italisë dhe bashkëpajtore e Evropës.
Të enjten më 30 prill, kalendari kishtar përkujton shën Sofinë, shën Jozefin Kotolengo, shën Piun V papë dhe shën Kuirinin, martir.
Të premten më 1 maji, bie festa e shën Jozefit punëtor, i cili duke e mbajtur Familjen Shenjte të Nazaretit me punën dhe mundin e duarve të veta, u bë shembull e mbrojtës qiellor i të gjithë punëtorëve e të gjithë njerëzve që plotësojnë nevojat e familjes së tyre e të mbarë familjes njerëzore me punën e përditshme të duarve të tyre.
Po me 1 maj për Kishën katolike fillon edhe muaji i nderimit të Zojës Mari.
Të shtunën më 2 maj, kalendari kishtar përkujton shën Atanasin, ipeshkëv i Aleksandrisë dhe doktor i Kishës e shën Antonin nga Firence.
Të dielën e ardhshme më 3 maj, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 4.të Pashkëve e po më 3 maj, kalendari kishtar do të përkujtojë edhe shenjtorët Filipin dhe Jakun e Vogël, Apostuj dhe shën Evecin, Aleksandrin e Teodulin, martirë.