I Lumi Ndoc Suma, meshtar dhe martir I Lumi Ndoc Suma, meshtar dhe martir

I Lumi Ndoc Suma, meshtar dhe martir

Dom Ndoc Suma, meshtar i dioqezës së Shkodrës, ushtroi shërbesën e tij në shumë fshatra të dioqezës së Sapës. U arrestua kur ishte famullitar në Pistull dhe u akuzua për kontakte me agjentë subversivë të dërguar nga jashtë. I dënuar me tridhjetë vjet punë të detyruar, ai vuajti vetëm një pjesë të dënimit, duke vdekur më 22 prill 1958. I përfshirë në listën e 38 martirëve shqiptarë të udhëhequr nga mons. Vinçenc Prennushi, u shpall i Lum në Shkodër më 5 nëntor 2016.

R.SH. / Vatikan

Dom Ndoc Suma lindi në Nënshat, në veri të Shqipërisë, më 31 korrik 1887. Kreu vitin e parë të studimeve filozofike në Seminarin Papnor të Shkodrës, pastaj u transferua në Innsbruck, në Austri. U shugurua meshtar në kapelën e Seminarit të Shkodrës më 21 shtator 1911 dhe kremtoi Meshën e parë tre ditë më vonë në fshatin e tij.

Iu përkushtua, pa kursim, popullit, duke jetuar mes tij dhe duke mbledhur legjendat dhe traditat e lashta shqiptare.  Njihej gjithashtu edhe si një etnolog i mirë. Në vitet 1932-1936 në revistën “LEKA” botoi punimin “Mitologjia”, që pati shumë sukses. Energjik por i qetë, me një zë të fuqishëm, u vlerësua shumë nga besimtarët e famullive të Kçirës, Komanit, Naraçit, Laç Vaut të Dejës dhe Pistullit, në dioqezën e Sapës.

Në këtë vend të fundit, më 8 dhjetor 1946, u arrestua nga regjimi komunist. Me ardhjen e qeverisë komuniste, në fund të vitit 1944, gjendja në Shqipëri u rënduar shumë e sidomos për Kishën Katolike e dom Ndoci tha: “Ne ia kemi dhuruar jetën tonë Zotit dhe popullit, le të ndodhë ç’të dojë, por ne do të qëndrojmë me popullin”. Arsyen e arrestimit e mësoi gjatë gjyqit: akuzohej për kontakte me agjentë subversivë të dërguar nga jashtë. Pasi u kthye në qelinë e tij, komentoi me hidhërim: «Vetëm tani e kuptova çfarë paskam bërë». Dënimi i tij ishte tridhjetë vjet punë të detyruar, por vdekja erdhi ta lirojë më 22 prill 1958.

Dom Ndoci qe martir gjatë torturave, në gjyq, në burg në punën e detyruar, por edhe më martir në durimin e sëmundjes së gjatë dhe të dhimbshme. Nuk shprehu kurrë urrejtje apo zemërim për xhelatët e vet, por si një qengj i butë plot me dashurinë e Krishtit u flijua për fillimin e një jetë të re

I përfshirë në listën e 38 martirëve shqiptarë të udhëhequr nga mons. Vinçenc Prennushi, ndër të cilët edhe nëntëmbëdhjetë meshtarë dioqezanë të tjerë, u lumturua në Shkodër më 5 nëntor 2016.

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Ndoc Suma, meshtar

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

22 prill 2026, 15:34