2026.03.16 Scutari Archeologia

Pasurohet harta arkeologjike e Nënshkodrës me rrënojat e Bassanias

Në hartën arkeologjike të Shkodrës u përfshi ditët e fundit edhe një tjetër vendbanim i lashtësisë, afër Bushatit.

R.Sh. Vatikan

Kështu, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, i dha zonës arkeologjike “A” të Bushatit, në bashkinë Vau i Dejës, statusin «pasuri kulturore e paluajtshme». Marrja e këtij statusi do të thotë se kjo zonë arkeologjike do të gëzojë mbrojtje të veçantë por edhe do të jetë e vizitueshme nga ata që dëshirojnë ta shikojnë nga afër.

Me këtë vendim u miratua edhe ndarja në zona dhe rregullorja për ruajtjen dhe administrimin e këtij zbulimi arkeologjik. Gërmimet që pati ndërmarrë në këtë vend – në majë të një kodre, para shumë vitesh ekspedita e përbashkët shqiptaro-polake – kanë nxjerrë deri tashti në dritë gjurmë të një qyteti të lashtë. Ka të ngjarë që ky qytet të jetë Bassania, qendër urbane që përmendet edhe nga historiani romak Tit Livi.

Sipas z. Helidon Sokoli, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, “rezultatet e deritanishme të gërmimeve flasin për gjurmët e një qyteti ilir të para erës sonë”.

Në këtë qytet të lashtë deri tashti janë gjetur dy porta dhe kjo gjë ka bërë të mundur të kuptohet perimetri i tij.

Gërmimet e ekspeditës arkeologjike do të fillojnë rishtas në muajin maj.

16 mars 2026, 16:11