Ipeshkvi Imzot Berardi: diplomaci dhe lutje për të shmangur një “humnerë” dhune
R.Sh. Vatikan
R.SH. – Vatikan
“Prisnim një fjalë nga Papa, një fjalë të fuqishme”, fjalën e atij që “e njeh situatën tonë dhe pra e kupton se këto probleme nuk mund të zgjidhen me dhunë, por me dialog dhe me diplomaci”. Ipeshkvi Imzot Aldo Berardi, Vikar Apostolik i Arabisë Veriore, me juridiksion mbi katër vende të Gjirit Persik – Bahrein, Kuwait, Qatar dhe Arabia Saudite – bëhet zëdhënës i ndjenjave të besimtarëve katolikë të vikariatit, gjithsej tre milionë, të cilëve në orët e fundit u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi, ashtu si të gjithë qytetarëve të tjerë, dhe ta jetojnë të dielën larg famullive kishtare që kanë mbetur të mbyllura “për arsye sigurie – shpjegon imzot Berardi nga Awali, ku ndodhet selia e Vikariatit Apostolik të Arabisë Veriore – nuk mund të rrezikojmë, mbetjet e raketave mund të bien mbi Kisha. Kemi vendosur t’i mbyllim për disa ditë duke pritur që të rikthehet pak më shumë qetësi. Ja pse fjala e Papës është e fuqishme, një fjalë urtie dhe inkurajimi”.
Sulme iraniane janë regjistruar në Dubai, Doha, Bahrein, Kuvajt – shtete me baza ushtarake amerikane, ose që janë aleate me SHBA-ës. Po ashtu edhe në vise të tjera të Gjirit Persik. Sulmet ndodhën menjëherë pasi SHBA-ës dhe Izraeli nisën sulme të përbashkëta në të gjithë Iranin. Në këto sulme, Izraeli bën të ditur se ka asgjësuar disa figura të larta të regjimit iranian. Por nga ana tjetër, sipas njoftimeve të mjeteve të shtypit iranian, të paktën 53 persona janë vrarë në një shkollë vajzash në qytetin Minab, në jug të vendit.
Ipeshkvi imzot Aldo Berardi, Vikari Apostolik i Arabisë Veriorei, u bëri thirrje besimtarëve të luten për paqe dhe kërkoi qetësi dhe maturi.
Duke folur për Agjencinë e Lajmeve Fides, imzot Berardi tha: “Tashpërtash, nuk dimë shumë. I kemi pezulluar të gjitha veprimtaritë. Kam ftuar meshtarët e Mëkëmbësisë të mblidhen dhe të kremtojnë Meshën për paqe, sonte, në orën 7 të mbrëmjes sipas orës së vendit”.
Vikaria Apostolike e Arabisë Veriore përfshin Bahreinin, Kuvajtin, Katarin dhe Arabinë Saudite.
Agjencitë e lajmeve vendase nuk kanë dhënë hollësi në lidhje me një shpërthim të regjistruar në Bahrein, pikërisht aty ku ndodhen selitë e Komandës Qendrore të Forcave Detare të Shteteve të Bashkuara dhe Flotës së Pestë të SHBA-së. Raportet tregojnë gjithashtu se raketat balistike iraniane shënjestruan një bazë ushtarake amerikane në Kuvajt pas sulmit të përbashkët ushtarak kundër Iranit që u krye sot nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Në një letër drejtuar besimtarëve, imzot Berardi u bëri thirrje komuniteteve të mos turbullohen, të ruajnë qetësinë dhe të zbatojnë masat e sigurisë dhe ndërkaq të luten.
“Në këto çaste turbullimi”, shkruan ipeshkvi, “u kërkoj të gjithë besimtarëve të Mëkëmbësisë të qëndrojnë të qetë, të bashkuar në lutje dhe të vëmendshëm ndaj sigurisë së të gjithëve. Ju lutemi ndiqni me kujdes udhëzimet e autoriteteve civile dhe merrni të gjitha masat paraprake të nevojshme në shtëpitë, vendet e punës dhe famullitë tuaja”.
Ai gjithashtu udhëzoi meshtarët dhe rektorët e famullisë të marrin masa të përshtatshme, të kujdesshme për të siguruar jetën e atyre që u janë besuar kujdesit të tyre baritor. Ipeshkvi bëri thirrje për vëmendje të veçantë ndaj të moshuarve, të sëmurëve dhe më të brishtëve, duke vënë në dukje se çdo ndryshim në veprimtaritë e famullisë do të bëhet i ditur nëpërmjet kanaleve zyrtare.
“Zoti ju mbroftë ju dhe familjet tuaja, dhe Zoja jonë e Arabisë, Nëna jonë, na ruajtë të gjithëve”, përfundoi ipeshkvi Berardi.