Kërko

Jürgen Habermas gjatë një takimi me gazetarët në Shkollën e Athinës, gusht 2013. (Shkrepje e Louisa Gouliamaki / AFP) Jürgen Habermas gjatë një takimi me gazetarët në Shkollën e Athinës, gusht 2013. (Shkrepje e Louisa Gouliamaki / AFP)

U nda nga jeta Habermas, filozofi i dialogut rreth fesë dhe arsyes me Papën Ratzinger

Filozofi gjerman Jürgen Habermas, një nga mendimtarët më me ndikim evropianë të shekullit të njëzetë, ndërroi jetë në moshën 96 vjeç. Teoricien i veprimit komunikues dhe i demokracisë deliberative, Habermas reflektoi mbi rolin e gjuhës dhe arsyes në jetën publike. Përmendet për dialogun e famshëm me kardinalin e atëhershëm Jozef Ratzinger mbi marrëdhënien ndërmjet fesë dhe modernes.

R.Sh. Vatikan

Në një epokë të plagosur nga lufta, përplasjet kulturore dhe kriza e demokracisë, Jürgen Habermas – i cili ndërroi jetë më 14 mars 2026, në Starnberg, pranë Mynihut, në moshën 96 vjeç – ia kushtoi gjithë veprën e tij idesë se bashkëjetesa njerëzore mund të qëndrojë në këmbë vetëm me dialog. Filozof i gjuhës dhe i demokracisë deliberative, ai i dha trajtë mendimit evropian për më shumë se gjysmë shekulli. Në vitet e fundit, rrugëtimi i tij e çoi drejt një shtegu diskutimi me teologun Jozef Ratzinger. Qe një nga diskutimet më domethënëse rreth marrëdhënieve midis besimit dhe arsyes në shoqërinë bashkëkohore.

I lindur në Düsseldorf në vitin 1929, Habermas ishte një nga filozofët, sociologët dhe ideologët më të mëdhenj të politikës të shekullit të njëzetë. Ish- student i Teodor Adornos dhe i Max Horkheimerit, pjesëtar i Shkollës së Frankfurtit dhe autori i teorisë së famshme të "veprimit komunikues", e cila ndikoi në debatin filozofik, politik dhe ligjor evropian për disa dhjetëvjeçarë.

Gjuha si shpagim dhe themel i arsyes

Që në moshë të re, Habermas tregoi mjaft interes për gjuhën. Dhe jo vetëm për shkak të prirjes së tij intelektuale por edhe pse kishte lindur me buzë lepri, një keqformim i gojës nga i cili vuante qysh në fëmijëri dhe ia vështirësonte të folurin. Kështu, gjuha u bë mjet për shpagimin e tij personal por dhe për pohimin e dinjitetit të komunikimit midis qenieve njerëzore.

Pas studimeve në Bonn, Göttingen dhe Cyrih, u diplomua në vitin 1954 me një tezë rreth filozofit Schelling dhe filloi të bashkëpunonte me «Shkollën e Frankfurtit», duke punuar si asistent i filozofit Teodor Adorno. Profesor në Heidelberg dhe Frankfurt, dhe më vonë drejtor i institutit «Max Planck» në Starnberg, ai qe një nga figurat qendrore të filozofisë gjermane midis viteve 1960 dhe 1990. Anëtar i brezit të dytë të Shkollës së Frankfurtit, ai e rishikoi këndëvshtrimin marksist të kësaj shkolle të mendimit filozofik, duke e transformuar atë në një teori të racionalitetit dhe të komunikimit që shkon drejt demokracisë deliberative. Kjo fjalë do të thotë një demokraci ku vendimet i marrin të gjithë shtetasit pasi janë ballafaquar dhe kanë shqyrtuar temat e shtruara për diskutim, dhe jo thjesht si shumicë votash në qendra votimi.

Teoria e veprimit komunikues dhe etika e diskursit

Vepra e tij më e njohur, «Teoria e veprimit komunikues», propozon idenë se racionaliteti nuk lind nga imponimi, por nga dialogu mes bashkëbiseduesve të lirë dhe të barabartë. Prej këndej buron "etika e diskursit", që do të thotë se një normë është e drejtë nëse mund të pranohet nga të gjithë ata që janë përfshirë në ballafaqim, pa kufizime. Prandaj, themeli i bashkëjetesës qytetare nuk është tradita, por mirëkuptimi i vërtetuar në mënyrë të arsyeshme.

Sidoqoftë, besimi në procesin e arsyeshëm të dialogut duket më i brishtë sot përballë tensioneve të shekullit të 21-të, përballë luftërave, kthimit të nacionalizmit, përçarjeve kulturore dhe fetare, por edhe përballë sfidave që sjell bioteknologjia dhe inteligjenca artificiale. Racionaliteti komunikues duket  se është në gjendje të shuajë konfliktet, por, nga ana tjetër, jo gjithmonë lind parimet e thella morale që kërkojnë shoqëritë.

Sidoqoftë, figura publike  e Habermasit ka qenë gjithashtu e diskutueshëm. Në disa raste, filozofi gjerman pati mbështetur ndërhyrjet ushtarake perëndimore, të justifikuara në emër të të drejtave të njeriut, siç ishte bombardimi i NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999 ose disa ndërhyrje ushtarake të Perëndimit pas 11 shtatorit, gjëra për të cilat u kritikua nga ata që i vlerësuan qëndrime të tilla si në kundërshtim me idealin e tij të dialogut të arsyeshëm.

Dialogu me kardinalin Ratzinger mbi besimin, arsyen dhe shekullarizimin

Pavarësisht prejardhjes së tij laike dhe jobesimtare, në vitet e fundit Habermasi i kushtoi vëmendje të dukshme marrëdhënies midis besimit dhe arsyes. Dialogu i tij me kardinalin Jozef Ratzinger mbetet emblematik. Më 19 janar 2004, kardinali Ratzinger – asokohe Prefekt i Kongregacionit për Doktrinën e Besimit, e që më vonë u bë Papa Benedikti XVI – u takua me Habermasin në Akademinë Katolike në Bayern për një debat publik të përmbledhur më vonë në vëllimin «Dialektika e shekullarizimit: Mbi Arsyen dhe Fenë.»

Në qendër të atij debatit pati qenë pyetja: «A mund ta injorojë plotësisht demokracia moderne fenë, apo i nevojiten burimet e saj morale?» Habermasi dhe Ratzingeri ranë dakord në një pikë: besimi nuk është thjesht çështje personale, sepse nga ai mund të burojnë motive etike dhe po ashtu mund të shfaqë kufizime.

Megjithatë, dy filozofët ndryshonin qysh në pikënisjet e tyre. Habermas nisej nga shteti kushtetues demokratik dhe parimi i justifikimit të arsyeshëm të ligjeve, ndërsa teologu Ratzinger frymëzohej nga doktrina e krishterë, në të cilën arsyeja shihet si dritë hyjnore dhe besimi si udhërrëfyesi i saj.

Nga dialogu, sidoqoftë, dolën disa pika të përbashkëta. Për shembull, të dy hodhën poshtë relativizmin absolut moral, si dhe fundamentalizmin fetar. Ata gjithashtu theksuan nevojën për "pastrim të ndërsjellë": besimi duhet të pranojë kritikën racionale për të shmangur devijimet ideologjike, ndërsa arsyeja duhet të pranojë se jo gjithçka mund të reduktohet te teknologjia apo logjika e veglave. Prandaj, feja mund të luajë një rol publik, me kusht që të mund ta përkthejë përmbajtjen e saj në një gjuhë të kuptueshme për të gjithë qytetarët.

Nga kjo pikënisje, lindi ideja e një shoqërie "post-shekullare": një realitet që nuk nënkupton një Evropë fetare, por që pranon se feja përcjellë simbole dhe arsye morale që vetëm racionaliteti laik lufton t'i prodhojë.

Trashëgimi për të ardhmen e Evropës

Reflektimet e dy mendimtarëve kishin të bënin kryesisht me të ardhmen e Evropës. Habermas dhe Ratzinger ranë dakord për mbrojtjen e demokracisë liberale, por kritikuan shmangien e saj teknokratike dhe reduktimin e shoqërisë në një treg interesash. Brenda këtij kuadri, besimi fetar, pa mëtuar privilegje politike, mund të kontribuojë në rivendosjen e thelbit etik në jetën publike, duke kujtuar vlerën e personit, të drejtat themelore dhe drejtësinë sociale.

Në dritën e krizave aktuale të demokracisë, rritjes së populizmit dhe të përplasjeve kulturore, dialogu i tyre duket çuditërisht i rëndësishëm ende sot. "Post-shekullarizimi" që parashikonte Habermasi dhe Papa Ratzinger kërkon një kulturë politike më të pjekur: në gjendje të dallojë ndërmjet shekullarizimit dhe nihilizmit; ndërmjet mendësisë së hapur dhe mbylljes në guackën ideologjike; midis besimit që angazhohet për dialog dhe fesë që kërkon pushtet.

Vdekja e Habermasit shënon kështu fundin e një epoke të madhe të mendimit evropian. Prapseprap, dialogu që ai nisi me Papën Ratzinger mbetet një pikë referimi për ata që vazhdojnë ta mendojnë Evropën jo thjesht si treg ose si institucion administrativ, por si projekt kulturor dhe moral, të themeluar te dialogu ndërmjet arsyes, pluralizmit dhe përgjegjësisë historike.

16 mars 2026, 12:58