Në Indonezi fryn një erë bashkimi dhe vëllazërimi
R.SH. – Vatikan
Në ishullin Sumba, në lindje të arkipelagut indonezian, besimtarët e famullisë "Maria Ndihmëtare e të Krishterëve" ftuan ditët e fundit bashkëatdhetarët e tyre myslimanë në një takim meditimi mbi tekstet e shenjta, lutje dhe vëllazërim. Takimi u mbyll me ndarjen e vaktit të iftarit së bashku, një moment tipik i periudhës së shenjtë që jetojnë besimtarët, Kreshmët dhe Ramazani. Jemi në provincën e Nusa Tenggara-s Lindore, në dioqezën e Waingapu-s, që përfshin të gjithë ishullin Sumba, të banuar nga një popullsi indigjene që praktikon kultin animist Marapu, e cila shekuj më parë pjesërisht zgjodhi fenë islame dhe pjesërisht — me mbërritjen e kolonizatorëve holandezë fillimisht e më pas portugjezë — zgjodhi krishterimin.
Komunitetet dhe bashkimi ndërfetar
Në famullinë kishtare të Zojës Bekuar të Waingapu-s, iftarin (vaktin e përbashkët pas agjërimit) e organizoi famullitari, don Yakobus Lodo Mema, i cili bashkoi qindra myslimanë dhe katolikë në një shpirt bashkimi dhe vëllazërimi, së bashku me Haji Ilyas Ismail, nënkryetar i degës lokale të Këshillit të Ulemave Indonezianë, dhe don Aloysius Budi Purnomo, sekretar i Komisionit për Marrëdhëniet Ndërfetare në Konferencën Episkopale të Indonezisë.
«Në takim ndjehej një atmosferë e ngrohtë dhe vëllazërore», tregon famullitari, duke njoftuar se ngjarja «lindi nga vetëdija e thjeshtë se qeniet njerëzore janë në thelb vëllezër dhe motra». «Bashkimi ndërfetar ka një kuptim të thellë për komunitetin. Kjo ngjarje afërsie është si të gjesh perla në një fushë», pohon don Mema, duke nënvizuar se «mësimi i dashurisë së Krishtit nuk zbatohet vetëm për katolikët, por u drejtohet të gjitha qenieve njerëzore».
«Në Sumba po përpiqemi të bashkojmë komunitetin në një klimë vëllazërimi», shtoi ulemaja Haji Ilyas Ismail. Çelja e agjërimit në muajin e Ramazanit, shpjegoi ai, «është një akt adhurimi i shenjtë për myslimanët. Megjithatë, kur ajo ndahet me vëllezërit dhe motrat e besimeve të ndryshme, vlera e bashkimit është edhe më e fortë». «Edhe pse ushqimi është i thjeshtë, vlera e aktit të kultit është e jashtëzakonshme», vuri re ai.
Mendimi për Lindjen e Mesme në flakë
«Është e rëndësishme të jemi prezentë, të takohemi dhe të ripohojmë angazhimin e përbashkët në nivel shpirtëror dhe veprimi për paqen», sugjeron për të përditshmen e Vatikanit L’Osservatore Romano Atë Aloys Budi Purnomo. «Në Indonezi sot ndihet shumë urgjenca për t'u lutur së bashku për paqen, sidomos tani që Lindja e Mesme është përsëri në flakë», vëren ai, duke kujtuar se në të gjithë arkipelagun e gjerë me shumicë dërrmuese myslimane (90% e 275 milionë banorëve, me rreth 10 milionë katolikë), koha e Kreshmëve dhe e Ramazanit është e mbushur me shkëmbime ndërfetare mes të krishterëve dhe myslimanëve në famulli kishtare, shkolla dhe komunitete lokale.
Në nivel institucional, siç njoftoi agjencia Fides, angazhimi i përbashkët për paqen do të shprehet më 13 mars në një takim të organizuar në Xhakarta, në selinë e Konferencës Episkopale të Kishës katolike të vendit, nga Komisioni për Marrëdhëniet Ndërfetare i ipeshkvijve indonezianë. Aty do të marrin pjesë autoritete civile, ipeshkvij dhe meshtarë, krahas liderëve fetarë islamikë dhe eksponentëve të rrjetit “Gusdurian”, i frymëzuar nga Abdurrahman Wahid (1940-2009), presidenti historik indonezian i njohur si “Gus Dur”, i angazhuar fuqimisht në dialogun dhe harmoninë midis feve në komb.
Siç shpjegon Suraji, eksponent i rrjetit “Gusdurian”, rrjeti është aktiv në 130 qytete indoneziane dhe punon palodhshëm për të promovuar bashkëpunimin ndërfetar. «Në këtë kohë në Xhakarta po vizitojmë shkollat publike, duke u folur të rinjve për vlera si paqja, toleranca, vëllazërimi. Adoleshentët dhe të rinjtë e të gjitha feve dëgjojnë dhe janë të ndjeshëm», vëren ai. «Konjuktura ndërkombëtare e shënuar nga lufta në Lindjen e Mesme — vëren Suraji — në këtë kohë të shenjtë lutjeje dhe agjërimi, na shtyn të gjithë ne besimtarët e feve të ndryshme në Indonezi të ofrojmë një kontribut dhe një vizion sipas të cilit feja promovon paqen dhe pajtimin».
Pjesëmarrja e hinduve
Midis iniciativave ndërfetare që përfshijnë edhe hindutë, në ishullin indonezian të Balit, me shumicë hinduiste, po përgatitet “Dita e Heshtjes”, “Nyepi”, viti i ri hindu që në vitin 2026 bie më 19 mars. Është një moment introspeksioni dhe pastrimi i besimtarëve hindu, por nisma përfshin edhe besimtarët myslimanë dhe të krishterë. Dëshira e përbashkët do të jetë paqja, për t'u mirëpritur në zemrën e secilit për ta ndërtuar së bashku në të gjithë botën, e cila ka nevojë urgjente për të.