Kërko

I Lumi Anton Zogaj – meshtar dhe martir

I Lumi dom Anton Zogaj u pushkatua pranë Porto Romano, në Durrës më 09 masr 1948. Qe famullitar i Durrësit, sekretar i kryeipeshkvit Imzot Prennushit, meshtar jashtëzakonisht i përgatitur në të gjitha drejtimet, u burgos dhy u torturua mizorisht nga regjimi komunist. E lanë të mbyllur disa ditë në një banjo të qelbur, në sa priste ditën e pushkatimit, mё 09 mars tё vitit 1948.

R.SH. / Vatikan

Dom Anton Zogaj lindi më 26 korrik 1908 në Kthellë të Shqipërisë, pikërisht në krahinën e Mirditës, por u rrit në territorin e Kosovës së sotme. Studioi në Seminarin Papnor të Shkodrës dhe e vazhdoi formimin e tij në Austri.

Në momentin e marrjes së pushtetit nga partia komuniste në Shqipëri, ai ishte famullitar i Katedrales së shën Luçisë në Durrës dhe sekretar i argjipeshkvit, Imzot Vinçenc Prennushit.

U arrestua në vitin 1945 dhe, siç u ndodhi edhe të tjerëve, u torturua pothuajse deri në vdekje. dëshira e tij e fundit, që të paktën butonat e veladonit të tij të ruheshin, u realizua pikërisht nga ipeshkvi i tij, i cili ishte i burgosur bashkë me të: ai arriti t'i nxirrte ato jashtë burgut. Sekretari u pushkatua më pas pranë portit romak të Durrësit, në vendin e quajtur Spitallë, më 9 mars 1948.

Gjatë hetuesisë e torturuan shtazarisht, duke i kërkuar edhe që të tregonte sekretin e rrëfimit, gjë që dom Anton Zogaj nuk e bëri asnjëherë. Një dëshmitar Vlash Curri, dëshmon se në atë periudhë një herë i kërkoi një të riu që punonte me të, Agimit, i biri i një rojeje të burgut, që ta pyeste të atin për dom Antonin. I ati i tha: nuk kam parë kurrë një njeri që i ka përballuar me një forcë të tillë e me po aq guxim torturat e tmerrshme që ka pësuar.

I përfshirë në listën e 38 martirëve shqiptarë të kryesuar nga Imzot Vinçenc Prennushi, dom Anton Zogaj u lumnua në Shkodër më 5 nëntor 2016. Në të njëjtin grup bëjnë pjesë edhe nëntëmbëdhjetë meshtarë të tjerë dioqezanë.

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Anton Zogaj, meshtar

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

09 mars 2026, 15:50