Lufta në Lindjen e Mesme: sulme të gjera mbi Teheranin
R.SH. / Vatikan
Gjatë natës, Izraeli ka kryer një ofensivë të re ajrore në shkallë të gjerë kundër kryeqytetit iranian, Teheranit, duke deklaruar se kjo shënon “një fazë të re të konfliktit”. Sulmet goditën veçanërisht lagje në lindje dhe në perëndim të qytetit, disa ndërtesa civile, një stacion autobusi dhe një rrugë të rëndësishme tregtare në qendër të qytetit. Sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një video tregon edhe një anije iraniane transportuese dronësh të përfshirë nga flakët pas një sulmi.
Nga ana tjetër, pas një pauze disa orëshe, Irani rifilloi lëshimin e raketave kundër Izraelit, veçanërisht drejt Tel Avivit, por alarmet u aktivizuan edhe në rajone të tjera izraelite. Raketa u hodhën edhe drejt disa vendeve të Gjirit, si në Bahrein, pranë zonës ku ndodhet ambasada izraelite, si dhe kundër bazës ajrore amerikane Prince Sultan në Arabinë Saudite dhe në Jordani.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se një operacion tokësor në Iran do të ishte “humbje kohe”. Ai shtoi se lufta mund të zgjasë derisa të eliminohet programi bërthamor iranian dhe nuk ka vendosur një afat kohor për përfundimin e konfliktit. Sipas disa informacioneve të publikuara nga CNN, kjo luftë mund t’i kushtojë Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth 890 milionë dollarë në ditë.
Ndërkohë, përplasjet me armë janë zgjeruar edhe në Liban, ku forcat izraelite kanë kryer sulme ajrore në disa zona dhe në periferi të kryeqytetit Bejrut. Bilanci humanitar po bëhet gjithnjë e më i rëndë: sipas UNICEF, rreth 200 fëmijë kanë humbur jetën në Lindjen e Mesme që nga fillimi i përshkallëzimit të fundit të konfliktit.
Në planin ndërkombëtar, aleatët e NATO kanë dënuar sulmin iranian kundër Turqisë dhe kanë shprehur solidaritet me të. Ndërkohë, zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara në emër të sekretarit të përgjithshëm António Guterres, bëri thirrje për rifillimin sa më të shpejtë të dialogut për të shmangur vrasje të tjera të civilëve.
Disa vende evropiane kanë reaguar ndryshe ndaj konfliktit: Spanja ka deklaruar se nuk do të lejojë përdorimin e bazave të saj ushtarake, ndërsa Gjermania nuk planifikon të dërgojë mbështetje të re ushtarake në rajon. Pas sulmit me dron ndaj një baze britanike në Qipro, Britania e Madhe, Franca dhe Greqia kanë vendosur të forcojnë mbrojtjen ajrore në Mesdheun lindor.