Kërko

Lindja e Mesme, thirrja e Noas: të kujtojmë se të gjithë jemi krijesa të dashurisë së pastër

Këngëtarja izraelite Noa e shpërndau mesazhin përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, teksa ndodhet në Itali dhe nuk mund të kthehet në vendin e saj për shkak të krizës që ka përfshirë mbarë rajonin. Fjalë që vijnë si vazhdimësi e një angazhimi publik që shoqëron prej vitesh rrugëtimin e saj njerëzor dhe artistik.

R.SH. / Vatikan

«Duhet të kuptojmë ndërlidhjen e të gjitha qenieve të gjalla. Ne varemi nga njëri-tjetri dhe duhet të kujtojmë se kush jemi vërtet: krijesa të dashurisë së pastër»: kjo është zemra e thirrjes së lëshuar në këto orë nga Noa, një nga zërat izraelitë më të njohur në nivel ndërkombëtar. Këngëtarja e shpërndau mesazhin përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale ndërsa ndodhet në Itali dhe nuk mund të kthehet në vendin e saj për shkak të krizës që ka përfshirë Lindjen e Mesme.

Videoja e Noa-s

Në video, artistja rrëfen shqetësimin e saj për familjen që ka mbetur në Izrael dhe për përshkallëzimin që rrezikon të përfshijë gjithë rajonin. «Jam në Itali, nuk mund të kthehem në shtëpi, jam shumë e shqetësuar për familjen time, për popullin e Izraelit, të Iranit, të Lindjes së Mesme dhe të gjithë botës», pohon ajo. Thirrja e saj fton për të parë përtej spirales së dhunës dhe për të njohur përgjegjësinë reciproke. «Zgjidhja do të vijë vetëm nga respektimi i përgjegjësisë, nga transparenca, kompromisi, dhembshuria, guximi dhe besimi», thotë këngëtarja, duke paralajmëruar se pa këtë ndryshim perspektive «do të jemi të destinuar drejt ciklit të gjakderdhjes». Megjithatë, mesazhi mbyllet me një notë shprese: «Duhet të punojmë për paqen dhe të besojmë në të. Ajo do të vijë, më shpejt nga sa mendojmë».

Një zë për paqen në botë

Këto fjalë janë pjesë e një angazhimi publik që shoqëron prej shumë vitesh rrugëtimin njerëzor dhe artistik të këngëtares Noa. E lindur në Tel Aviv në vitin 1969 me emrin Achinoam Nini, Noa është sot një nga artistet izraelite më të njohura në skenën ndërkombëtare. Karriera e saj, e zhvilluar mes koncerteve dhe bashkëpunimeve artistike, është shoqëruar shpesh nga një angazhim i fortë për dialogun dhe bashkëjetesën mes popujve të Lindjes së Mesme.

Rrugëtimi i saj është shënuar edhe nga momente simbolike takimi mes kulturave dhe feve. Në vitin 1994, ajo ishte këngëtarja e parë izraelite që performoi në Vatikan para Shën Gjon Palit II, duke interpretuar një version të "Ave Maria" që pati një jehonë të madhe ndërkombëtare. Në vitet pasuese, ajo u rikthye disa herë për të kënduar në Vatikan, edhe para Papa Françeskut.

Shumë e fortë është edhe lidhja e saj me Italinë, ku u bë e njohur falë pjesëmarrjes në Festivalin e Sanremos dhe interpretimit të saj të “Beautiful That Way”, këngës së filmit 'Jeta është e bukur' (La vita è bella) të Roberto Benigni-t. Paralelisht me karrierën muzikore, artistja Noa ka mbështetur nisma të ndryshme për paqen në rajon. Në vitin 2009, ajo përfaqësoi Izraelin në Eurovision Song Contest së bashku me këngëtaren arabo-izraelite Mira Awad me këngën “There Must Be Another Way”, të kënduar në hebraisht, arabisht dhe anglisht pikërisht si një mesazh bashkëjetese mes popujve.

06 mars 2026, 17:38