Liban, ministri i Jashtëm kërkon ndihmë nga Selia e Shenjtë për të krishterët e Jugut
R.SH. – Vatikan
Libani i drejtohet Selisë së Shenjtë duke kërkuar ndihmë dhe mbrojtje për të ruajtur praninë e të krishterëve në jug të vendit, në kufi me Izraelin. Ata janë goditur, pas shpërthimit të dhunës së re në Lindjen e Mesme, nga bombardime të pandërprera dhe urdhra evakuimi që kanë shkaktuar një krizë të madhe humanitare.
Është Youssef Raggi, ministër i Punëve të Jashtme i vendit të Cedrave, Libanit, që përmes platformës së tij në rrjetin social X bën të ditur se gjatë ditës ka pasur një bisedë telefonike me kryeipeshkvin imzot Paul Richard Gallagher, sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare. Dialogu mes të dyve u konfirmua edhe nga drejtori i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni.
Kontakte diplomatike
Imzot Gallagher dhe ministri libanez Raggi, njofton ky i fundit, “kanë shkëmbyer mendime mbi zhvillimet e fundit në Liban dhe mbi situatën e vështirë të fshatrave kufitare në jug. I kërkova Selisë së Shenjtë të ndërhyjë dhe të ndërmjetësojë për të ndihmuar në ruajtjen e pranisë së krishterë në ato fshatra, banorët e të cilëve kanë mbështetur gjithmonë shtetin libanez dhe institucionet e tij zyrtare ushtarake dhe nuk janë tërhequr kurrë nga ky angazhim”.
Imzot Gallagher, sipas asaj që raporton politikani libanez, “ka pohuar se Selia e Shenjtë po merr të gjitha kontaktet diplomatike të nevojshme për të ndalur përshkallëzimin në Liban dhe për të parandaluar zhvendosjen e qytetarëve nga tokat e tyre”. Ai gjithashtu ka siguruar se “Libani ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë në lutjet e Shenjtërisë së Tij, Papës Leoni XIV”.