Kurdistani irakian, të krishterët: me këtë konflikt druhemi se do të zhdukemi
R.SH. / Vatikan
Kurdistani irakian ndodhet në mes të konfliktit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Izraelit dhe Iranit, pavarësisht se nuk përfshihet në të. Por është në shënjestër, sepse territori ka interesa nga të dyja palët. Dilan Adamat, i bashkësisë së krishterë që flet aramaike, bisedoi me mediat e Vatikanit për konfliktin dhe bombardimet, ndërsa ishte në Ankawa, periferi e krishterë e kryeqytetit Erbil, ku lindi. I rritur në Francë, u kthye në atdheun e tij për të themeluar "Kthimin", organizatë jofitimprurëse, që mbështet të krishterët irakianë në diasporë, të cilët dëshirojnë të kthehen në atdheun e tyre.
Frika e të krishterëve në Erbil
Vetëm pak ditë më parë, forcat iraniane nisën një operacion kundër grupeve kurde në rajonin gjysmë-autonom të Kurdistanit irakian, ndërsa të mërkurën në mbrëmje, ndërtesat që i përkisnin Kishës Kaldease në Erbil u goditën, me atë që kryedioqeza lokale e përshkroi si "sulm i dukshëm me dron" që, për fat të mirë, nuk pati viktima. Ndryshe nga konfliktet e mëparshme, siç është lufta kundër ISIS-it, shpjegon Adamat, sot nuk ka "vijë të qartë fronti, e asnjë vend për t'u strehuar". Është gjithçka shumë e rastit, shton ai, e kjo është edhe arsyeja pse njerëzit kanë frikë, sepse "raketat mund të bien kudo, veçanërisht këtu në Ankawa, tani lagjja më e madhe e krishterë në Irak, e ndoshta pak a shumë në të gjithë Lindjen e Mesme, vetëm disa qindra metra larg nga baza ushtarake amerikane në Aeroportin Ndërkombëtar të Erbilit".
Banorët, vazhdon Adamat, janë mësuar me kriza dhe lufta - situatat më të këqija ishin gjatë konfliktit të vitit 2003, konfliktit të vitit 1991 dhe luftës civile (2006-2008) - e kështu "ata dinë si të përshtaten e si të jetojnë pa energji elektrike kur ka mungesë. Jeta vazhdon, banorët, edhe pse natyrisht nuk ndjehen të lumtur për atë që po ndodh, janë më të qetë nga sa mund ta përfytyronin; sheh njerëz që shkojnë në punë, në tregje, në restorante. E ne po presim hapat e ardhshëm, në ditët ose javët në vijim. Nuk është lufta jonë, por ne jemi ende të përfshirë, në shënjestër nga të dyja palët, sepse të dyja palët kanë interesa në territorin tonë".
Kurdistani irakian, pikërisht për shkak të heterogjenitetit të tij etnik dhe fetar, është në konflikt. Adamati e shpjegon këtë edhe me praninë e "disa grupeve kurdësh iranianë që janë këtu, sepse nuk mund të veprojnë nga Irani. Selia e tyre është vetëm një orë larg nga Erbili: ata kanë zyra, fusha dhe familje, dhe së fundmi u sulmuan nga Irani me raketa. Ne jemi disi të përfshirë dhe mund të shpresojmë vetëm për të mirën".
Të krishterët në rrezik zhdukjeje
Shqetësimi më i madh për Adamatin dhe, në përgjithësi, për të gjithë bashkësinë, është se të krishterët "do të fillojnë të dorëzohen. Asnjë nga këto luftëra - ajo ndërmjet Iranit dhe Irakut, ajo në Kuvajt, lufta e vitit 2003, beteja kundër Shtetit Islamik - nuk ishin luftërat tona. Të gjitha janë të motivuara nga gjëra që nuk kanë të bëjnë fare me të krishterët irakianë. Megjithatë, në 25 vitet e fundit, kemi humbur 90% të popullsisë sonë. Kush mbeti këtu, nuk ka më shumë shpresë".
Për atë që jetoi për shtatë vjet në Irak, është e qartë se të krishterët tani e presin me dorëheqje konfliktin e radhës që do t'i përfshijë. "Frika ime më e madhe - përfundon ai - është se do të fillojmë të humbasim shpresën, e kjo tashmë po ndodh. Pasojat do të jenë të tmerrshme, sepse do të humbasim një nga komunitetet më të vjetra të krishtera në botë, komunitet që ende flet aramaisht. Tani në vend kanë mbetur vetëm 130,000 prej nesh, nga 46 milionë. Ky konflikt nuk do të bëjë gjë tjetër, veçse do ta shtojë emigrimin si dhe rrezikun e zhdukjes së bashkësisë së krishterë irakiane".