Khamenei ka vdekur. 37 vitet e pushtetit të ajatollahut që pasoi Khomeinin
R.Sh. Vatikan
Televizioni shtetëror iranian konfirmon vdekjen e Ali Khameneit, Udhëheqësit të Epërm të Iranit. Një prezantues i televizionit shtetëror iranian njoftoi me lot në sy vdekjen e ajatollahut, i cili kishte qenë në pushtet për 37 vjet. Televizioni iranian nuk tregoi me hollësi rrethanat në të cilat u vra Ali Khamenei, 86 vjeç, as nuk përmendi sulmet e së shtunës mbrëma izraelite dhe amerikane në rezidencën e tij në Teheran.
Foto dhe imazhe arkivore po transmetohen nga televizioni shtetëror, me një shirit të zi në ekran si shenjë zie. Një periudhë zie dyzetditore dhe shtatë ceremoni zyrtare u shpallën në vend. "Me martirizimin e Udhëheqësit të Epërm, rruga dhe misioni i tij nuk do të shuhen e as do të harrohen, por do të ndiqen me më shumë energji dhe zell", komentoi një prezantues televiziv. «Marg bar diktator», që në shqip do të thotë «vdekje diktatorit», ishte slogani më shpeshtë që thirrnin protestuesit, së pari në vitin 2022 kundër vdekjes së dhunshme të së resë Mahsa Amini, dhe më pas në dhjetor 2025, gjatë demonstratave të fundit.
Sidoqoftë, asnjë opozitar iranian nuk do ta kishte imagjinuar kurrë se kjo vdekje e dëshiruar do të vinte nga një sulm izraelit dhe brenda rezidencës së fortifikuar të Khameneit. Thashethemet që qarkullonin rreth vdekjes së Ali Khameneit e çorientuan të gjithë hierarkinë iraniane e cila shpresonte që të përsëritej ringjallja e tij, siç ndodhi pas përfundimit të «Luftës Dymbëdhjetë Ditore».
«Nëse Udhëheqësi i Epërm nuk do të kishte qenë këtu në qershor, ne do të kishim filluar të grindeshim midis nesh dhe nuk do të kishte pasur nevojë që Izraeli të ndërhynte», – u pat shprehur për shtypin presidenti Masud Pezeshkian disa muaj më vonë, duke kujtuar se, kur lindën disa mosmarrëveshje, Kamenei «ishte aty, duke udhëzuar se çfarë duhej dhe çfarë nuk duhej bërë».
Tani, ajatollahu që pati ndikim në fatin e Iranit për 37 vjet - nga 47 gjithsej që janë vitet e Republikës Islamike – nuk rron më. Sipas burimeve izraelite, fotot e trupit të tij, të gjetura në rrënoja, iu treguan Donald Trumpit dhe Benjamin Netanyahut.
Thashethemet rreth "fundit të afërt" të Kameneit, sa herë që ai shtrohej në spital "në gjendje të rëndë", vijuan për të paktën pesëmbëdhjetë vjet. Me syzet e tij në formë breshke, mjekrën e bardhë dhe çallmën e zezë të rezervuar për pasardhësit e Profetit, ai mishëronte figurën më enigmatike në regjimin teokratik iranian. I lindur në vitin 1939 në qytetin e shenjtë të Mashhadit, në Iranin lindor, në një familje që prodhoi disa klerikë shiitë, Kamenei studioi filozofinë islame deri në vitin 1962 sa në Naxhaf në Irak dhe në Kom, ku ndoqi kurset e Komeinit. Megjithatë, kundërshtarët e tij gjithmonë theksonin njohuritë e tij "shumë të kufizuara" për fenë.
Veprimtaria e tij kundër shahut Reza Pahlavit, bëri që të arrestohej gjashtë herë nga viti 1962 deri në 1975 si edhe një burgim të shkurtër në vitin 1978, pak para Revolucionit Islamik që i dha fund monarkisë Pahlavi.
Deri në vitin 1979, në moshën dyzetvjeçare, ai ishte ndër figurat kryesore në regjimin e ri të Komeinit. Kështu, Khomeynī e shpërbleu duke e emëruar fillimisht komandant të Pasdaranit, Gardës Revolucionare, më pas anëtar të Këshillit dhe së fundmi imam të lutjeve të së premtes në Teheran, si dhe përfaqësues të tij në Këshillin të Epërm të Mbrojtjes. Në vitin 1981, në kulmin e luftës Iran-Irak, Khamenei u bë kleriku i parë që mbajti detyrën e presidentit të Republikës, për dy mandate, deri në vitin 1989.
Gjatë presidencës së tij, ai shmangu konfliktin me Komeinin, duke refuzuar me kokëfortësi çdo armëpushim për t'i dhënë fund konfliktit. Pas vdekjes së udhëheqësit në vitin 1989, u zgjodh si Udhëheqësi i ri i Epërm nga Asambleja e Ekspertëve, një organ prej 80 klerikësh përgjegjës për emërimin dhe shkarkimin e udhëheqësit.
Kamenei nuk e pati kurrë karizmën e paraardhësit të tij, por padyshim që pati gjithë ashpërsinë e Komeinit. Nga vitet 1997 deri në 2005, Kamenei bllokoi të gjitha përpjekjet e presidentit reformist Mohammed Katamit për të hapur institucionet dhe shoqërinë.
Në vitin 2006, ai bllokoi një dekret që autorizonte gratë iraniane të merrnin pjesë në stadium. Në një regjim që i dha Udhëheqësit të Epërm, kompetenca më të gjera se presidentit të Republikës, Khamenei qe në gjendje të diktonte drejtimin e përgjithshëm të Iranit në fusha të ndryshme, që shkojnë nga ushtria deri te politika e jashtme dhe energjia bërthamore. Në vitin 2013, një hetim i agjencisë së lajmeve Reuters zbuloi një përmasë të tretë të pushtetit të Kameneit: ekonominë. Udhëheqësi i Epërm, i lavdëruar shpesh për stilin e tij të jetesës të prujtur dhe të rreptë, drejtonte në të vërtetë një fond prej 95 miliardë dollarësh, shumë më tepër sesa pasuria që i kundërshtonte në gjykatë shahut të rrëzuar, Reza Pahlavit.
Ishte kjo një perandori e themeluar mbi rrënjët e një organizate të quajtur «Setad», e cila e pati ngritur pasurinë e saj nëpërmjet shpronësimeve. Qëllimi përfundimtar, shpjegonte agjencia britanike e lajmeve, supozohej se ishte bamirësia, sepse synonte mbështetjen e veteranëve të luftës dhe të vejushave. Në vitet e fundit, «Setad» ishte shndërruar në një gjigand biznesi me aksione në çdo sektor të ekonomisë iraniane: nga financat, te industria e naftës, te telekomunikacioni, farmaceutika, "madje edhe kultivimi i midhjeve".
Njeriu që sundoi Republikën Islamike la një post që nuk konsiderohet më i paprekshëm. Në qarqet iraniane përflitej prej kohësh se djali i tij, Mujtaba, po përgatiste trashëgiminë. Ka shumë të ngjarë që emri i këtij të fundit të bëjë pjesë në zinxhirin e komandës të krijuar ditët e fundit, por nuk ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe. Kamenei duket se u largua pa i zgjidhur hesapet me Uashingtonin. Në vitin 2020, ai u pat betuar për "hakmarrje të pamëshirshme" kundër atyre që janë përgjegjës për vdekjen e gjeneralit Kasem Sulejmani dhe "martirëve" të tjerë. Tani, edhe ai bën pjesë në këtë listë të vdekurish.