Kërko

Iran, vritet Khamenei. Vijojnë bombardimet SHBA-Izrael

Sulmet shkatërruan bunkerin e prijësit suprem të Iranit. Reagimi i Teheranit kundër qyteteve izraelite dhe vendeve të Gjirit. Mbi 200 viktima iraniane, ndërmjet tyre, shumë vajza. Pasdaranët mbyllin Ngushticën e Hormuzit.

R.SH. / Vatikan

Media shtetërore iraniane konfirmoi lajmin disa orë pasi e kishin botuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli: Ajatollah Ali Khamenei, prijësi suprem i Iranit, në pushtet të Republikës Islamike që nga viti 1989, mbeti i vrarë gjatë sulmeve të koordinuara nga amerikanët dhe izraelitët, të cilët që nga mëngjesi i djeshëm goditën shumë qytete iraniane, duke shkatërruar edhe bunkerin e Khameneit, ku mbetën të vrarë e bija, dhëndri dhe e mbesa. Operacioni, i quajtur Ulërima e luanit nga izraelitët dhe Furia epike nga Uashingtoni, qe njoftuar pas disa ditë lëvizjesh të avioneve dhe anijeve luftarake e, më pas, u konfirmua në orën 3:00 të mëngjesit, më 28 shkurt, sipas kohës së Uashingtonit, me një mesazh video nga Presidenti Trump, që njoftoi edhe qëllimin e tij “për ta bërë hi e pluhur industrinë iraniane të raketave, me objektivin kryesor, përmbysjen e regjimit, duke zhdukur Khamenein.

Mbi 200 viktima

Bombardimi mbi disa qytete, përveç kryeqytetit Teheran, Tabrizi, Isfahani, Qomi, Bushehri, Kermanshahi, Zanjani dhe Karaj, shkaktoi vdekjen e rreth 200 vetëve. Ndërmjet tyre, mbi 100 vajza, nxënëse në një shkollë fillore vajzash në Minab, në jug të vendit. Hakmarrja iraniane u lëshua me raketa dhe dronë kundër Izraelit dhe vendeve të Gjirit, përfshirë Katarin, Kuvajtin, Bahreinin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe e duke goditur bazat ushtarake amerikane, si dhe strukturat civile, siç ndodhi në Dubai. Sirenat vijuan të bien pa pushim në Jerusalem, ku janë vendosur armë kundërajrore, dhe në Tel Aviv, ky i fundit, i goditur nga iranianët, me një viktimë të konfirmuar.

E mbyllur, ngushtica e Hormuzit

Irani shpalli një periudhë zije 40-ditore, ndjekur nga shtatë ditë zije, pas vdekjes së Khameneit, ndërsa Garda Revolucionare mbylli Ngushticën e Hormuzit, rrugë strategjike detare e transportit të naftës, përmes së cilës kalon afërsisht një e pesta e naftës bruto globale. Gjatë ditës së sotme, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, do të takohet me udhëheqësit e vendeve të G7.

Ndërsa dje, në hapje të takimit të jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurimit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, foli për rrezikun e një zinxhiri ngjarjesh të pakontrollueshme, duke dënuar shkallëzimin e dhunës në Lindjen e Mesme.

01 mars 2026, 12:46