Tymi nga shpërthimet përhapet mbi Teheranin Tymi nga shpërthimet përhapet mbi Teheranin

Iran, Trump: duan të negociojnë, por Teherani e përgënjeshtron

Në ditën e tretë të luftës në Lindjen e Mesme, me Iranin që lëshon raketa dhe dronë mbi të gjitha vendet e Gjirit Persik, Izraeli hap një front të ri me Libanin pasi gjatë natës Hezbollahu gjuajti raketa kundër fqinjit të tij. Presidenti amerikan Trump tha se lufta do të zgjasë të paktën 4 javë dhe pohon se është kontaktuar nga Teherani për të negociuar, por Ali Larijani, zyrtari më i lartë i sigurisë në Iran, e përgënjeshtron këtë.

R.SH. – Vatikan

Në orët e fundit, forcat aleate të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë goditur përsëri në Teheran, ku regjistrohen rreth njëzet viktima, në aeroportin e Kermanshah-ut, në perëndim të vendit, dhe në Minab ku llogariten të paktën 160 të vdekur. Vazhdon edhe përgjigja iraniane mbi Izraelin me shpërthime të dëgjuara në Jeruzalemin Lindor, Tel Aviv dhe Haifa, si dhe mbi vendet e Gjirit Persik: tym është parë edhe mbi selinë e ambasadës amerikane në Kuwait City, lëshime raketash në Erbil, në Kurdistanit irakian, por edhe mbi bazat amerikane në Bahrein ku ka një të vdekur, në Dubai, Abu Dhabi dhe Doha. Një dron iranian ka arritur edhe në bazën britanike të Akrotirit në ishullin e Qipros.

Zgjerimi i konfliktit në Liban

Ajo që shqetëson tani, megjithatë, është zgjerimi i konfliktit në Liban ku, siç paralajmërojnë forcat mbrojtëse izraelite, operacionet mund të zgjasin disa ditë: Hezbollahu gjatë natës lëshoi raketa dhe dronë kundër Izraelit, gjë që nuk kishte ndodhur që nga nëntori i vitit 2024. Përgjigja ishte e menjëhershme, me urdhrin e evakuimit nga ana e forcave mbrojtëse izraelite për të paktën 53 fshatra në jug të Libanit, ndërsa kanë filluar operacionet në periferitë e Bejrutit, fortesë e milicisë shiite, prej kohësh aleate me Iranin. Ndërkohë, qeveria libaneze e presidentit Aoun ka thirrur një mbledhje urgjente: në vend numërohen tashmë të paktën 31 të vdekur dhe 149 të plagosur.

SHBA: konflikti do të zgjasë të paktën 4 javë

Operacioni kundër Teheranit do të zgjasë të paktën katër javë, sipas presidentit amerikan Trump, i cili tha se është kontaktuar nga Irani siç duket për të negociuar; hipotezë kjo e përgënjeshtruar më pas nga zyrtari më i lartë i sigurisë iraniane aktualisht në detyrë, Ali Larijani, i cili deklaroi: “Nuk do të negociojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Në Iran, siç u njoftua dje, emërimi i Udhëheqësit të ri Suprem pritet të ndodhë brenda një ose dy ditësh.

02 mars 2026, 10:36