Kërko

FILE PHOTO: Mojtaba Khamenei visits Hezbollah's office in Tehran

Iran: Mojtaba Kamenei zgjidhet Udhëheqës i Suprem

Dita e dhjetë e luftës në Lindjen e Mesme: Garda Revolucionare i premton besnikëri Udhëheqësit të ri të Epërm që porsa u zgjodh nga paria e Republikës Islamike. Mojtaba është djali i dytë i Ali Kameneit, që u vra në fillim të luftës, njeri shumë i afërt i pasdaranëve. Presidenti Trump komentoi: "Pa miratimin tim, nuk do të zgjasë shumë."

R.Sh. Vatikan

"Emri i Kameneit do të jetojë". Me këto fjalë e njoftoi dje, Asambleja e Ekspertëve, emërimin e pasardhësit në postin e Udhëheqësit Suprem të shtetit iranian. Ky do të jetë Mojtaba Kamenein, djali i dytë i ajatollahut që u vra në ditën e parë të luftës. Këtij iu betua Garda Revolucionare e Iranit për besnikëri, respekt dhe bindje, e cila po ashtu foli për "agimin e një epoke të re për vendin". Emërimi u brohorit edhe nga rebelët Huthi të Jemenit.

 Nga ana tjetër, presidenti i SHBA-së Donald Trump komentoi në një intervistë: "Nuk do të zgjasë shumë nëse nuk merr miratimin nga Shtëpia e Bardhë."Izraeli, nga ana e vet, njoftoi po ashtu se do të "vazhdojë ta ndjekë" udhëheqjen iraniane.

Veprime luftarake në terren

Në një kohë kur sulmet izraelite dhe amerikane kundër Iranit vazhdojnë, Gjysmëhëna e Kuqe dha alarmin dje për rrezikun e shiut acid. Shkak për të mund të bëhen gazrat dhe tymrat toksike në atmosferë, prandaj edhe u bëhet thirrje banorëve të qëndrojnë brenda.

Sidoqoftë luftimet vijojnë pa ndërprerje. Kështu, një qendër komande «Basixhi» – forca paraushtarake iraniane – u qëllua nga ushtria izraelite.

Nga ana tjetër Irani vijon me lëshime raketash dhe dronësh nga Irani drejt vendeve të Gjirit Persik. Si pasojë, në ishullin Sitra në Bahrein, 32 civilë u plagosën, katër prej tyre rëndë, përfshirë fëmijë. Rafineria Al Ma'ameer u dëmtua gjithashtu nga një zjarr i madh. Shpërthime janë raportuar në Doha dhe në Katar, dhe gjatë natës janë kryer sulme në Kuvajt dhe në Arabinë Saudite, ku SHBA-të po evakuojnë ambasadën e tyre. Operacionet izraelite po vazhdojnë gjithashtu në Liban, të përqendruara në zonat që konsiderohen fortesa të lëvizjes pro-iraniane Hezbollah.

Reagimet

Ambasadori izraelit në Uashington, Michael Leiter, ka përmendur edhe një herë mundësinë e ndërhyrjes me këmbësori në Iran, kur tha se nuk mund ta përjashtojë. Në të njëjtën kohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha qartë se vendimi për përfundimin e luftës do të "miratohet" me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Ndërkohë, pas sulmeve të përsëritura në bazën Akrotiri në Qipro, Turqia ka vendosur të rreshtojë gjashtë avionë luftarakë F-16 "për të mbrojtur komunitetin turk".

I dërguari i Kinës në Arabinë Saudite, Zhai Jun, shprehu "shqetësim të thellë" për tensionet në rritje në rajon, duke e quajtur paqen dhe fundin e armiqësive si "mënyra thelbësore për të dalë" nga kriza.

Rriten çmimet e naftës

Në fund vijnë pasojat ekonomike që janë tepër të frikshme: çmimi i naftës arriti në 115 dollarë për fuçi, por Trumpi nuk shqetësohet nga kjo rritje: "Çmimi do të ulet kur kërcënimi iranian të shkatërrohet", tha ai. "Është një çmim shumë i vogël për t'u paguar për të siguruar paqen dhe sigurinë botërore".

09 mars 2026, 15:25