I Lumi Atë Çiprijan (Dedë) Nikaj, meshtar françeskan, martir
R.SH. / Vatikan
I Lumi Ciprijan (Dedë) Nika, meshtar françeskan, martir, ( 19 korrik 1900 – 11 mars 1948)
Festa: 11 mars
At Çiprijan Nika, me emrin e tij të lindjes Dedë, ishte një meshtar françeskan shqiptar, provincial i provincës françeskane të Shqipërisë dhe guardian i kuvendit të françeskanëve në Shkodër. U arrestua nga policia sekrete komuniste nën pretendimin se kishte ndihmuar në fshehjen e një depotë armësh pas altarit të Kishës së Gjuhadolit, dhe u torturua gjatë një periudhe të gjatë. Pavarësisht torturave, ai përpiqej të bindte ndjekësit e tij për ekzistencën e Zotit me argumente filozofike. U ekzekutua me pushkatim në Shkodër më 11 mars 1948, së bashku me shokun e tij, at Mati Prennushi, dhe me ipeshkvin imzot Frano Gjini. Ata ishin pjesë e listës së 38 martirëve shqiptarë, që përfshinin gjithashtu pesë fratë dhe një ipeshkëv françeskan. At Çiprijani u shpallen të Lum më 5 nëntor 2016 në Shkodër.
Studime dhe detyra ndër françeskanët shqiptar
Dedë (Domeniko) Nikaj lindi në Shkodër më 19 korrik 1900. Pas vdekjes së prindërve në moshën 5 vjeçare, ai vazhdoi shkollimin fillor dhe të mesëm në shkollën që drejtonin françeskanët. Më pas u dërgua për të studiuar teologji në Austri. U shugurua meshtar në Romë në vitin 1924 dhe mori emrin frregulltar Çiprijan. Në vitin 1937 u bë Provincial i Provincës Françeskane të Shqipërisë dhe, në vitin 1943, guardian i kuvendit të Shkodrës.
Persekutimi dhe torturat
Në këtë periudhë në Shqipëri filluan persekutimet ndaj besimtarëve të të gjitha feve nga regjimi komunist, me një ndjekje të ashpër ndaj jezuitëve dhe françeskanëve, për shkak të veprimtarive të tyre edukative dhe mbrojtjes së traditave shqiptare. Një ngjarje e njohur ndodhi kur policia sekrete e regjimit komunist, Sigurimi, zbuloi një depo armësh pas altarit të Shën Antonit në Kishën e Shën Françeskut në Shkodër. Ky ishte një inskenim për të arrestuar françeskanët.
Një mundësi për të dëshmuar Zotin
At Çiprijani u arrestua dhe torturua. Një nga shokët e tij të burgut, Ilir Bali, e përshkruan momentin kur një ushtar e nxori me dhunë nga meditimi i tij dhe e çoi në dhomën e torturave. At Çiprijani u shpreh i fortë në besimin e tij, duke thënë: “Në këtë mundësi do të fitoj dashurinë dhe mëshirën e Zotit”. Ai përfundoi duke argumentuar për ekzistencën e Zotit sipas filozofisë së Shën Tomë Akvinit. Torturat vazhduan, por ai qëndroi i palëkundur në fenë e tij. Kur kthehej prej torturave dhe kalonte para ndonjë të burgosuri thoshte në latinisht: «Si es catholicus, ego te absolvo a peccatis tuis in nomine Patris et Filii et Spiritus Sancti».
Siç dëshmon bashkëvuajtësi i Atë Çiprijanit, Prof. Repishti, “ai, i cili ishte i torturuar më shumë se unë, përpiqej të më jepte kurajo”. Gjithashtu prof. Repishti tregon: “Kur e kthenin nga torturat (zakonisht pas mesnatës), nuk ishte në gjendje të ecte, e sillnin dy policë të cilët e përplasnin në dhomë ku shpeshherë ishte pa ndjenja. Ishte i lidhur duarsh e këmbësh”, si dhe: “Në atë kohë unë isha i ri e Kisha frikë, por Atë Çipriani më jepte shpresë dhe thoshte: «Edhe kjo do të kalojë». Kjo gjë më jepte forcë të madhe shpirtërore”. Për forcën e madhe shpirtërore të Atë Çiprianit dëshmon edhe bashkëvuejtësja tjetër, Terezina Zorba. Ja si thotë ajo: “e prune të masakruem … çorapet dhe këmisha nuk i shkëputeshin prej trupit për shkak të plagëve, porse kurajon e kishte nelt. Një ditë më thotë: «mos u ban marak se kishat e kompanjelat kan me i prish tana, por nuk ka rëndësi se ato janë gurit e tullash, por duhet të rujm rininë mos të prishet nga vlerat morale e fetare se kishat i bajmë ma t’bukra»”.
Martirizimi dhe Lumnimi
At Çiprijani u pushkatua më 11 mars 1948 në Shkodër, së bashku me Mati Prennushin dhe ipeshkvin Frano Gjini. Fjalët e tij të fundit ishin: "Rroftë Krishti Mbret! U falim armiqve tanë. Shqipëria nuk vdes me ne!".