Në foto: Nihad Suljiq nga Bosnjë-Hercegovina, fituesi i çmimit CESPIC. Në foto: Nihad Suljiq nga Bosnjë-Hercegovina, fituesi i çmimit CESPIC.

Çmimi i parë i paqes CESPIC, një premtim i bërë Papë Françeskut

I sponsorizuar nga fondacioni «Zoja e Këshillit të Mirë», çmimi iu dha më 11 mars në Shqipëri «Projektit të Përbashkët të Librave të Historisë» dhe Nihad Suljiqit, themeluesit të shoqatës boshnjake «Djeluj.Ba», për punën e tyre në mbështetje të migrantëve. «Në Ballkan, ne e dimë se çfarë do të thotë luftë prandaj u rrimë pranë refugjatëve.» (Në rrasën e varrit në fotografi shkruhet: «Këtu janë varrosur emigrantë dhe të shpërngulur. Në nder të tyre u ngul ky dru i gdhendur i kujtesës».)

R.Sh. Vatikan

Ishte viti 2016 kur Nihad Suljiq, lindur në 1990 në Tuzla e kuptoi se ushqimi, uji dhe një biletë autobusi nuk do të ishin të mjaftueshme për një  grup refugjatësh që të fillonin një jetë të re. Djaloshi e kuptoi gjithashtu se që nga ai moment, angazhimi i tij për migrantët që kalonin tranzit përgjatë rrugës ballkanike do të shtyhej më tej. Angazhimi i tij humanitar dhe kontributi i tij, e bënë që ai të meritonte Çmimin e parë të Paqes «Cespic» që iu dha sot në Tiranë.

Çmimi mbështetet nga Fondacioni «Zoja e Këshillit të Mirë» të Tiranës, në bashkërendim me Qendrën Evropiane për Shkencën e Paqes, Integrimin dhe Bashkëpunimin (CESPIC), në bashkëpunim me «Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa»  dhe Qendrën për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Ky vlerësim u jepet individëve dhe organizatave të përkushtuara për promovimin e paqes, pajtimit dhe bashkëpunimit, me një fokus të veçantë në rajonin e Ballkanit. Çmimi iu dha gjithashtu «Projektit të Përbashkët të Librave të Historisë», projekt i zbatuar nga Fondi Evropian për Ballkanin, për rolin e tij edukativ në kapërcimin e ideologjive nacionaliste.

Çmimi, premtim që iu pat bërë Papa Françeskut

Çmimi i Paqes Cespic u krijua për dy arsye, shpjegoi për mediat e Vatikanit Raul Caruso, profesor i Ekonomisë së Paqes në Universitetin Katolik të Zemrës së Shenjtë dhe drejtor i Cespic: "Për vite me radhë, si Universitet dhe si Fondacion, kemi punuar në çështjet e paqes për të përmbushur një premtim të bërë Papa Françeskut disa vite më parë. Prandaj edhe u krijua një grup pune për paqen. Patëm edhe një shtysë tjetër që erdhi nga lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, nga lufta në Gazë, dhe pjesërisht edhe nga ajo që po ndihej në vendet e Ballkanit." "Po përqendrohem në këtë zonë," vazhdon Caruso, "sepse është një tokë që ka përjetuar përgjatë shekujve luftëra vëllavrasëse nga të cilat është ngritur prap në këmbë, edhe pse është përshkuar rishtas nëpër to. Mesazhi është ky: kini kujdes nga skajet e Evropës, është periferi që duhet të pranohet në Evropën e madhe, Bashkimin Evropian. Ky mesazh duhet bërë i njohur, sepse me sa duket, në pjesën tjetër të Evropës, paqja nuk diskutohet më."

Lana nëntë muajshe që u mbyt në lumë

I riu Nihad Suljić, themelues i shoqatës Djeluj.Ba, që do të thotë «Vepro!», mbështet migrantët duke ofruar ndihmë dhe duke marrë pjesë në procedurat e identifikimit dhe varrimit të atyre që humbasin jetën në kufij, "veçanërisht përgjatë kufirit midis Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës", një numër viktimash që nuk mbaron kurrë sepse "shumë lumenj i marrin me vete ata që përpiqen të kalojnë kufirin dhe nuk gjenden më kurrë". Nihadi e kujton mirë viktimën më të vogël në moshë, Lanën e vogël, vetëm nëntë muajshe, një foshnje siriane që u mbyt së bashku me prindërit e saj ndërsa përpiqej të kalonte lumin. "Puna ime zhvillohet përgjatë kufirit midis Serbisë dhe Bosnjës dhe përgjatë lumit të madh Drin", vazhdon Suljiq, duke shpjeguar një tjetër angazhim të shoqatës, në bashkëpunim me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) me seli në Hagë. Bëhet fjalë për gjetjen e emrit të viktimave nëpërmjet analizës së ADN-së, e cila bën të mundur identifikimin e atyre që janë varrosur si të paidentifikuar (NN). "Asnjë qenie njerëzore nuk duhet të varroset pa emër", por për fat të keq, kërkimet shpesh ose nuk fillojnë, ose kryhen vetëm pas një kohe të gjatë.

Veprimtaria e trafikantëve

Tuzla, shpjegon Nihadi, është qyteti i tretë më i madh në Bosnjë dhe Hercegovinë, pas Sarajevës dhe Banja Lukës, dhe është ndër të parët ku arrijnë migrantët pas kalimit të kufirit serb. Në Tuzlë këta njerëz bien në kontakt me aktivistët humanitarë. Shoqata «DjelujBa!» hidhet në veprim duke përgatitur ushqim dhe veshmbathje për kampet e migrantëve, duke organizuar veprimtari humanitare dhe duke krijuar mundësi ​​për takime dhe dialog.

"Bosnja dhe Hercegovina," vazhdon Nihad, "është një vend tranziti për 99% të refugjatëve, situata e të cilëve nuk është e mirë. Nuk u kushtohet vëmendja e duhur nga qeveria dhe organizatat ndërkombëtare që punojnë me ta." Por në Bosnjë, ka edhe "njerëz të mirë që ndihmojnë më shumë se kushdo tjetër, sepse ata e dinë se çfarë do të thotë të largohesh nga shtëpia për shkak të luftës, varfërisë dhe dhunës." Në Ballkan, shton ai, "ne e kuptojmë më mirë se kushdo çfarë do të thotë kjo gjë, dhe për këtë arsye shprehim solidaritetin tonë më të thellë me refugjatët dhe migrantët që hasim." Sipas të dhënave të fundit, afërsisht 4,000 persona janë bllokuar në kufirin boshnjako-serb.

Rruga ballkanike, ndonëse ka pasur rënieje në vitin 2025, mbetet një rrugë kryesore tranziti për flukset që drejtohen drejt vendeve të BE-së. Por diçka ka ndryshuar vitet e fundit, jo vetëm në numrin e mbërritjeve, por edhe në kombësinë e migrantëve. "Ka shumë që vijnë nga Sudani. Më parë ishin sirianë, afganë dhe pakistanezë. Numri është ulur sepse ndjekin edhe  rrugë të tjera, por në të njëjtën kohë – ky është mendimi im, por nuk kam prova – ata që mbërrijnë, madje edhe shumë të mitur të pashoqëruar, nuk shihen sepse nuk mbërrijnë në kampe zyrtare, nuk regjistrohen fare. Gjithçka është në duart e trafikantëve dhe kriminelëve."

Kultura e kujtimit

Një pjesë e rëndësishme e punës së shoqatës lidhet me kulturën e kujtimit në një shoqëri ende të plagosur nga lufta e viteve 1990. "Ne përpiqemi të përfshijmë të rinj, aktivistë dhe gazetarë për të mbështetur paqen midis grupeve të ndryshme etnike, midis myslimanëve dhe serbëve. Do të doja të krijoja një drejtpeshim të ri, i cili nuk është i vështirë kur punohet me individë, por bëhet më sfidues kur merresh me politikë. Kur jeton në një mjedis me urrejtje atëherë nuk ngre pyetje në lidhje me ekonominë, të ardhmen, të drejtat e njeriut e kështu me radhë."

Çmimi i Paqes Cespic "nuk është vetëm i imi", përfundoi Nihad Suljić, "por u përket të gjithë njerëzve në mbarë botën, veçanërisht në Bosnjë dhe Hercegovinë, të cilët luftojnë për të drejtat e njeriut, humanizmin, demokracinë dhe gjithçka që është e mirë."

12 mars 2026, 08:55