Më 3 mars kalendari kujton shën Marinin e Cezaresë e shën Asterin, martirë
R.SH. - Vatikan
Më 3 mars kalendari përkujton shën Marinin e Cezaresë e shën Asterin, martirë.
«“Kur paqja mbizotëronte për të gjitha Kishat...”: me këto fjalë historiani Eusebi fillon rrëfimin e martirizimit të Marinit, oficer fisnik dhe i pasur i ushtrisë perandorake, në Cezarenë e Palestinës. Periudha e paqes për të cilën flet Eusebi është ajo e vendosur nga Galieni, i cili në vitin 260 kishte shpallur një edikt tolerance për të krishterët. Siç duket, jo të gjithë magjistratët e ndanin politikën e tij të zbutjes, pasi nuk munguan episodet e intolerancës si ai që ka për protagonistë fisnikun Marinin dhe senatorin Asterin, të cilët Martirologu Romak i kremton sot së bashku me titullin martirë».
Historinë e martirizimit të tij na e tregon historiani, Shën Euzebi i Cezaresë. Historia Ecclesiastica e Eusebit të Cezaresë (rreth 265-339 pas Krishtit) është rrëfimi i parë i plotë i zhvillimit të krishterimit nga origjina deri në shekullin IV, duke përuruar historiografinë e krishterë. Vepra (prej 10 librash) mbulon pasardhjen apostolike, heretzitë, persekutimet dhe triumfin e Kostandinit, duke kremtuar Kishën si një institucion perandorak.
“Asokohe të gjitha kishat gëzonin paqe”...me këto fjalë e fillon Euzebi rrëfimin mbi martirizimin e shën Marinit, oficer i ri i ushtrisë perandorake, në Cezare të Palestinës. Në sajë të aftësive të tij, Marini u emërua në postin e lartë të centurionit, të cilin e lakmonin edhe shumë të tjerë. E paditën, prandaj, si të krishterë, sepse nuk kishte pranuar të flijonte në nder të perandorit.
Kur u pyet para gjykatës, Marini pohoi, pa iu dridhur zëri: “Po, jam i krishterë!”. Gjykatësi i dha tri orë kohë për t’u menduar. Si doli nga gjykata, Marini takoi ipeshkvin Teotekno, i cili e mori për dore dhe e çoi në Kishë, ku i tregoi me gisht shpatën që i varej në ijë, dhe Ungjillin në elter. Ai zgjodhi pa ngurrim Ungjillin. E ipeshkvi i tha: “Të jesh pra i Zotit, me Zotin, i fortë në hir. Vijo rrugën që zgjodhe e shko në paqe!”. E ai shkoi. Tri orët kishin kaluar. I ulur rishtas në bankën e të akuzuarit, ripohoi edhe më me bindje e zjarr fenë e tij në Krishtin. E ata nuk pritën gjatë, por e mbytën Marinin aty për aty.
Në martirizimin e oficerit të ri ishte i pranishëm senatori Asteri, i cili me një guxim të pashoq, e mori mbi shpatulla trupin e gjakosur të martirit, për ta varrosur me nderim, duke e ditur mirë se ç’rrezik e priste. Pësoi edhe ai të njëjtin fat. Prandaj edhe përkujtohet sot, në të njëjtën ditë me shën Marinin, martir!.