Kërko

Më 12 mars kalendari kujton Shën Luigjin Orione, meshtar

Don Orioni ndihmonte këdo që kishte nevojë për ndihmë, pa e pyetur se kush je apo nga vjen e të cilit komb apo fe i përket. Bijtë e tij, orioninët, të përhapur në shumë vende të botës, kryejnë misionin edhe në Shqipëria e pikërisht në Elbasan dhe Shirokë. Kudo janë, ndihmojnë përforcimin shpirtëror të besimtarëve, përgatitjen profesionale të të rinjve, asistojnë pleqtë, njerëzit me aftësi të kufizuara fizike e mendore, m sëmundje të pakurueshme.

R.SH. - Vatikan

Më 12 mars kalendari kishtar përkujton Shën Luigjin Orione, meshtar e themelues i Veprës së Vogël të Provanisë Hyjnore, për të mirën e të rinjve dhe të gjithë personave të mënjanuar.

Kështu, mes të fundmëve, zbulojmë se jemi të gjithë vëllezër

Një botë me motra dhe vëllezër është një botë që pasqyrohet në zemrën e Zotit, aty ku të gjithë jemi të dashur në të njëjtën mënyrë. Nga kjo vetëdije, në jetën e Shën Luigjit Orione lindi shtysa për t’u kujdesur për të fundit e shoqërisë dhe për ata që kishin nevojë për një mesazh shprese.

Dëshmitar i bamirësisë mes të rinjve, të sëmurëve, të varfërve dhe të dëmtuarve nga tërmetet, don Orione lindi në Pontecurone, në dioqezën e Tortonës, Itali, më 23 qershor 1872. Në moshën 13-vjeçare hyri ndër Fratërit e Vegjël në Voghera. Pas një periudhe në oratorin e Torinos të themeluar nga Shën Gjon Bosko, në vitin 1889 hyri në Seminarin e Tortonës. Vazhdoi studimet teologjike, duke u strehuar në një dhomëz të vogël mbi Katedrale. Këtu mundi t’u afrohej djemve të cilëve u jepte mësime katekizmi, por dhomëza e tij e ngushtë nuk mjaftonte, prandaj ipeshkvi i dha lejen për të përdorur kopshtin e selisë së episkopatës.

Më 3 korrik 1892, ai i dha jetë oratorit të parë të titulluar sipas Shën Luigjit. Në vitin 1893 hapi kolegjin e Shën Bernardinit dhe në vitin 1895 u shugurua meshtar. Luigji Orione themeloi Kongregatën e Bijve të Provanisë Hyjnore dhe Misionaret e Vogla të Bamirësisë; Eremitët e Provanisë Hyjnore dhe Motrat Sakramentine: realitete këto që u angazhuan në shumë fronte, të gjitha të lidhura nga mandati për të qenë shenjë e dukshme e dashurisë së Zotit dhe bamirësisë. Don Luigji Orione dërgoi meshtarët dhe motrat e tij rregulltare në Amerikën Latine dhe në Palestinë që nga viti 1914. Ndërroi jetë në Sanremo në vitin 1940.

Pikat kyçe të trashëgimisë së tij:

  • Lidhja me Shën Gjon Boskon: Formimi i tij i hershëm në Torino ndikoi shumë në metodën e tij edukative me të rinjtë.

  • Dashuria për "të fundit": Karizma e tij fokusohej te shtresat më të margjinalizuara të shoqërisë.

  • Provianisë Hyjnore: Emri i kongregatës së tij reflekton besimin e patundur se Zoti kujdeset për çdo nevojë përmes bamirësisë njerëzore.

12 mars 2026, 12:31