South Sudanese asylum seekers crossed into Ethiopia gather at informal settlements in Matar town, in Gambella region

Sudani Jugor dhe paqja e brishtë: mbi 825,000 fëmijë nuk kanë ushqim

Përshkallëzimi i luftimeve në trevat qendrore dhe veriore të Sudanit Jugor po shkakton një krizë të re humanitare në vend. Gati 300,000 vetë janë shpërngulur vetëm në shtetin Jonglei. Kisha dhe bashkësia ndërkombëtare bëjnë thirrje për dialog të menjëhershëm.

R.Sh. Vatikan

Përshkallëzimi i dhunës në javët e fundit në shtetet Jonglei, Unity dhe Ekuatoria po lë pa kurrfarë ushqimi 825,000 fëmijë në Sudanin Jugor. Agjencia e Kombeve të Bashkuara që mbron fëmijët, UNICEF, porsa bëri një paralajmërim tjetër në lidhje me përkeqësimin e rreptë të gjendjes humanitare dhe të sigurisë në Sudanin Jugor. Sidoqoftë, ditët e fundit, pavarësisht se mjetet e komunikimit e kanë lënë në harresë këtë vatër luftimesh, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara shprehu "shqetësim të madh" rreth përshkallëzimit të luftimeve në shtetet Jonglei dhe Ekuatoria Lindore, si dhe në zona të tjera të Sudanit qendror dhe verior, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të ulin menjëherë tensionet dhe të ndërpresin armiqësitë. Sudani i Jugut u shkëput nga Sudani më 9 korrik 2011, pas shumë krimesh dhe masakrash që u kryen kundër të krishterëve nga pushteti qendror sudanez.

Kthim te dialogu

Këshilli i Sigurimit i OKB-së u bëri thirrje palëve të angazhohen për dialog paqësor, duke theksuar se gjendja e rëndë dhe shkeljet e marrëveshjes së paqes të vitit 2018 po dëmtojnë qëndrueshmërinë e shtetit dhe po vështirësojnë ndihmat humanitare. Vetëm në Jonglei, raporton UNICEF, të paktën 280,000 vetë janë shpërngulur, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë. "Ne besojmë se 53% e të shpërngulurve janë fëmijë", raporton agjencia e OKB-së. Për disa, kjo është hera e dytë ose e tretë që ikin. Shpërngulen pa asgjë, flenë në kampe refugjatësh të mbetura nga lufta civile dhe nuk kanë as shërbimet më themelore.

Marrëveshjet e vitit 2018

Situata e sigurisë është jashtëzakonisht e turbullt. Sudani i Jugut, vendi më i ri në botë, i pavarur që nga viti 2011, u zhyt në luftë civile në vitin 2013 pas përplasjes politike midis presidentit Salva Kiir dhe zëvendëspresidentit të atëhershëm Riek Machar. Pavarësisht marrëveshjes së paqes të vitit 2018 dhe formimit të një qeverie të bashkimit kombëtar, tensionet dhe përplasjet e armatosura midis forcave qeveritare dhe kundërshtarëve po rigjallërohen shkallë-shkallë dhe pa reshtur. Machar, zëvendëspresidenti i parë pas marrëveshjeve të vitit 2018, gjendet në arrest shtëpiak që prej marsit të vitit 2025.

Thirrja e Kishës vendase

Kardinali Stephen Ameyu Martin Mulla, kryetar i Konferencës ipeshkvnore të Sudanit të Jugut, shprehu alarm dhe çudi për "mungesën e plotë të respektimit të «Marrëveshjes së Rigjallëruar të Paqes», nënshkruar në vitin 2018 në Adis Abeba. "Ne e përsërisim urgjentisht thirrjen tonë për dialog, unitet, paqe dhe pajtim", deklaroi kardinali, duke përmendur kërkesën e Papa Françeskut drejtuar udhëheqësve të Sudanit të Jugut në vitin 2023: "Mjaft me gjakderdhje". "Qytetarët", përfundoi kardinali Mulla, "nuk janë pronë por qenie njerëzore dhe duhet ta ndjesh dhimbjen e tyre, urinë e tyre për paqe dhe dëshirën e tyre për të jetuar në liri".

16 shkurt 2026, 12:20