Sudan: BE-ja dhe politikanë nga 30 vende dënojnë "me fjalët më të ashpra" sulmet e neveritshme kundër civilëve
R. Sh. Vatikan
Një deklaratë e përbashkët e Komisionit Evropian dhe e ministrave të mbi 30 vende të BE-së bën thirrje pas përshkallëzimit të fundit dhe serioz të sulmeve ajrore të cilat kanë shkaktuar të vrarë dhe të plagosur ndër civilë në Sudan dhe e kanë bërë ndihmën humanitare të pamundur. Dokumenti denoncon "sulmet e qëllimshme kundër personelit, automjeteve ose furnizimeve humanitare", pengesat në kalimin e ndihmës humanitare dhe veprime që "janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar humanitar dhe përbëjnë krime lufte". Situata është e tmerrshme: dhunë e përhapur seksuale dhe në bazë gjinore, uri dhe zi buke, dëbime njerëzish, shkelje dhe abuzime të kryera nga palët ndërluftuese. "Ne përsërisim urgjentisht thirrjen tonë drejtuar Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), Forcave të Armatosura të Sudanit (SAF) dhe milicive aleate që të ndërpresin menjëherë luftimet", shkruajnë politikanët të cilët dënojnë rëndë "dhunën e neveritshme kundër civilëve, veçanërisht grave dhe fëmijëve, dhe të gjitha shkeljet serioze të së drejtës ndërkombëtare humanitare." Ata gjithashtu bënë thirrje për një hetim të shpejtë të këtyre shkeljeve, të cilat po përshkallëzohen dhe po kalojnë në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në fund, deklarata mbyllet me fjalët: "Ne qëndrojmë përkrah popullit sudanez dhe organizatave humanitare vendase dhe ndërkombëtare që po punojnë pa u lodhur dhe në kushte jashtëzakonisht të vështira për të ndihmuar popullatën."