Kërko

Zoja  Mari e Lurdës Zoja Mari e Lurdës

Me 11 shkurt kalendari kremton festën e Virgjërës Mari të Lurdë

Misteri i Kryqit, flijimi i Krishtit për shëlbimin e botës, është mesazhi që Zoja e Bekuar ua besoi njerëzve; e ky mesazh vjen përsëri nga Shpella e Lurdës, duke i ftuar të gjithë të pendohen, të kthehen e të shpresojnë Të kërkojmë buzëqeshjen e Marisë, pasqyrim i vërtetë i dhembshurisë së Zotit, burim i shpresës së pathyeshme. Nga Lurda Maria vijon t’u dëftojë njerëzve Kryqin e Krishtit, sintezë feje, që na siguron se pushteti i dashurisë është më i fortë se çdo e keqe, që mund të na kërcënojë

R.SH. - Vatikan

Sot më 11 shkurt Kisha katolike romake kremton festën e Virgjër Mari të Lurdës. Kjo festë e Zojës së Lurdë bazohet në 18 shfaqjet e Zojës Mari dhe vegimet, të cilat i pati 14-vjeçarja Bernadete Soubirous, në hapësirën e kohës prej 11 shkurt deri më 18 korrik të vitit 1858.

Në dhimbje mund të gjejë vend drita e shpresës. Edhe ora më e errët, si ajo e sëmundjes dhe e vuajtjes, mund të shndërrohet në një hapësirë për të lënë dritën e shpresës të hyjë në jetë. Një përvojë që mund të na ndihmojë të marrim rrugën që të çon drejt shërimit të vërtetë: atij të shpirtit. Kremtimi i sotëm, kushtuar së Lumes Mari Virgjër të Lurdit dhe Ditës Botërore të të Sëmurit, na kujton pikërisht këtë: shëndeti i vërtetë është shpëtimi që vetëm Hyji mund të dhurojë, jo në një të ardhme të pakuptueshme, por në konkretësinë e jetës sonë të përditshme, e cila është vendi ku i Pafundmi, i Përjetshmi është i pranishëm.

Një mister i thellë dhe magjepsës, i besuar një të reje, Bernadette Soubirous, e cila u takua me Zojën Mari 18 herë midis 11 shkurtit 1858 dhe 16 korrikut të po atij viti, në shpellën mbi lumin Gave, në rrëzë të Pirenejve, në Francë. Maria iu prezantua vajzës si e Papërlyera dhe për Bernadeten, me shëndet të brishtë, shumë të varfër dhe analfabete, nuk ishte e lehtë të kuptonte pafundësinë e atyre fjalëve. E megjithatë, Bernardeta pati guximin të vihej në dëgjim dhe të bëhej dëshmitare e Ungjillit para bashkëkohësve të saj. Shpërthimi i burimit të ujit nën atë shpellë ku u duk Zoja Mari ishte shenja më e madhe, që edhe sot tërheq miliona besimtarë: Zoti është burimi i jetës së vërtetë, tek Ai duhet të zhytemi, është Ai që na shpëton. Kështu, nga Lurda Virgjëra Mari vijon t’u dëftojë njerëzve shenjën e Kryqit të Krishtit, sintezë feje, që na siguron se pushteti i dashurisë është më i fortë se çdo e keqe, që mund të na kërcënojë.

T’i lutemi Zotit nëpërmjet Zojës së Lurdë:

Mari, Nënë e Papërlyer e Lurdit,
Ti nëpër thjeshtësinë e Bernardetes
na thirre të bëjmë pendesë
dhe të lutemi për mëkatarë,
bëj që të heqim dorë nga krenaria,
e cila është shkaku kryesor i të gjitha mëkateve.
Ti, duke iu zbuluar rishtas botës sonë,
dëshiron t’u afrohemi sa më shumë
të vërtetave të Birit tënd
dhe t’i njëmendësojmë ato në jetë.
Prandaj, nxjerri hire të qenurit tonë,
që të bëhemi sa më tepër
dashamirë të Birit tënd. Amen!

11 shkurt 2026, 08:45