Kosova kremton 18 -vjetorin e Pavarësisë
R.SH. - Vatikan
Sot, më 17 shkurt 2026, në të gjithë territorin e Kosovës – nga Prishtina e deri në qytetet e tjera të vendit – shënohet me nderim dhe krenari 18-vjetori i shpalljes së Pavarësisë. Në rrugët dhe sheshet e qyteteve, flamujt valojnë dhe atmosfera festive është e dukshme, duke përzierë gëzimin e këtij momenti historik me një reflektim të thellë mbi rrugëtimin e shtetit më të ri në Evropë. Këto 18 vjet të Pavarësisë për Kosovën kanë qenë vite të mbushura me energji, shpresë dhe punë të palodhur, por gjithashtu me shumë sfida të papritura dhe të vështira.
Pavarësia e Kosovës nga Serbia u shpall më 17 shkurt 2008 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në një mbledhje historike dhe të jashtëzakonshme. Ajo ditë shënoi kurorëzimin e një ëndrre të kahershme të një populli që kishte kaluar nëpër periudha të gjata vuajtjesh, diskriminimi dhe një lufte të përgjakshme, për të mbërritur në fund të një historie të dhimbshme.
Të jesh i pavarur do të thotë të jesh i aftë të realizosh diçka. Do të thotë të jesh i lirë të krijosh, të ndërtosh, të zhvillosh, të jesh. Gjatë këtyre 18 viteve, Kosova ka ndërtuar dhe konsoliduar me durim dhe përkushtim institucionet e saj demokratike. Pas zgjedhjeve parlamentare të parakohshme të vitit 2025, vendi ka arritur të formojë një Kuvend dhe një Qeveri të re, duke synuar të përballet me sfidat e kaluara dhe të nisë një periudhë të re zhvillimi. Pritshmëritë janë të mëdha, me shpresën që ky ekzekutiv të përqendrohet në forcimin e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në nivelin e politikës ndërkombëtare, një prioritet i rëndësishëm mbetet thellimi i bashkëpunimit me partnerët euroatlantikë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe avancimi në proceset integruese drejt Bashkimit Evropian. Kosova, e njohur nga mbi 121 shtete të botës, ka arritur të fitojë njohjen e shteteve të ndryshme, përfshirë Keninë, Sudanin, Sirinë dhe Bahamet gjatë vitit 2025. Sidoqoftë, disa shtete të Bashkimit Evropian ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke ngadalësuar përparimin në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në strukturat evropiane.
Edhe pse janë shënuar arritje të rëndësishme në këto 18 vite, sfidat mbeten të pranishme. Kosova vazhdon të përballet me probleme të zhvillimit ekonomik, papunësisë, emigrimit të të rinjve, luftës kundër korrupsionit dhe nevojës për reforma të thella strukturore. Tranzicioni demokratik kërkon ende përkushtim të vazhdueshëm dhe unitet politik për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme. Pavarësisht këtyre vështirësive, Kosova ka dëshmuar se është një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.
Ky 18-vjetor është më shumë se një festë e gëzueshme. Ai është një moment reflektimi të thellë dhe përgjegjësie për të ardhmen. Është një thirrje për më shumë bashkëpunim, përkushtim ndaj vlerave demokratike dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë, më të zhvilluar dhe më të premtuese për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Prandaj urojmë që ky kapitull i ri për Kosovën të jetë një rrugëtim drejt mbarësisë, stabilitetit dhe zhvillimit. Le të shërbejnë institucionet e reja me përkushtim për të mirën e çdo qytetari, duke ndërtuar një të ardhme plot dritë dhe dinjitet në familjen evropiane!.
Lutje për Kosovën
O Zot i gjithëpushtetshëm, Ati i dritës dhe i paqes,
sot i lartojmë sytë dhe zemrat tona drejt Teje,
duke Të lutur me përulësi për tokën e bekuar të Kosovës.
Bekoji, o Zot institucionet e saj. Jepu udhëheqësve urtësinë e Salomonit, që të qeverisin me drejtësi, me ndershmëri dhe me dashuri për popullin. Ndihmoji ata të shohin përtej interesave të tyre, për të ndërtuar një shtëpi të përbashkët ku mbizotëron vëllazëria e mirëkuptimi.
Bekoji, o Zot qytetarët e saj. Mbushi zemrat e tyre me shpresë dhe durim. Pas vështirësive dhe pritjes, jepu frytet e punës së tyre. Ruaje rininë e këtij vendi, që të gjejë mundësi dhe gëzim në tokën e vet, dhe mbroji të moshuarit që të jetojnë me dinjitet dhe qetësi.
Lutemi për paqe dhe pajtim në këtë vend: largo retë e konfliktit dhe të ndarjes. Bëje Kosovën një kopsht ku lulëzon mirëkuptimi mes njerëzve, një vend ku e ardhmja ndërtohet mbi themelet e forta të faljes, mirëkuptimit, dashurisë dhe respektit.
O Zot, shoqëroje Kosovën në udhën e saj drejt dritës, së mirës dhe bëje atë një dëshmi të bukurisë së jetës dhe të forcës së besimit.
Amen.