2020.02.24  quaresima

Krezhmët na ftojnë t’ia hapim zemrën Zotit e të afërmit

Kishas na kujton të cilat janë mënyrat për ta jetuar sa më mirë periudhën e Kreshmës. Agjërimi, lëmosha, lutja e impenjimi për kthimin e zemrës kah Zoti, janë praktika tradicionale, që na edukojnë si ta përjetojmë gjithnjë e më rrënjësisht, dashurinë e Krishtit.

R. SH. / Vatikan

Jemi në javën e parë të kohës së Kreshmëve, që paraprin dhe na përgatit për kremtimin e Pashkëve të Jezu Krishtit. Po, Kreshmët janë kohë, gjatë së cilës duhet të përpiqem rizbulojmë mëshirën e Zotit, rizbulim që na shtyn të bëhemi edhe ne të mëshirshëm për vëllezërit tanë. Kështu Kisha gjatë kohës liturgjike të Kreshmës vë në plan të parë dëgjimin e Fjalës së Zotit, përmes Ungjillit të pesë të dielave të Krezhmëve.

E para diel, që kremtuan të dielën e kaluar, na bëri të reflektojmë mbi gjendjen e njeriut mbi tokë. Ungjilli na foli për tundimet e Krishtit në shkretëtirë dhe për fitoren e tij mbi djallin. Edhe ne, na kujton Kisha, jemi të thirrur të luftojmë kundër zotëruesve të kësaj bote të errët, në të cilën djalli vepron e nuk lodhet, as sot, ta tundojë njeriun, që dëshiron t’i afrohet Zotit. Me fitoren e Krishtit mbi të, edhe ne kemi shpresë për jetën tonë.

Ungjilli i Shndërrimit të Zotit, në të dielën e dytë të Kreshmës, na vendos para syve lavdinë e Krishtit. Është ftesë për t’u distancuar nga zhurma e jetës së përditshme për t’u zhytur në praninë e Hyjit. Ai dëshiron të na përçojë çdo ditë, një Fjalë që hyn thellë në shpirt, ku ndan të mirën nga e keqja dhe na e forcon vullnetin për të ndjekur Zotin.

të dielën e tretë të Krezhmës, Jezusi i kërkon samaritanes ujë. Është dhurata e Shpirtit Shenjt, që i bën të krishterët “adhurues të vërtetë”, në gjendje t’i luten Atit “në shpirt e në të vërtetën”. Vetëm ky lloj uji mund të na e shuajë urinë për të mirën, të vërtetën e të bukurën!

E diela e të verbërit që nga lindja, i cili shërohet nga Jezusi, na e paraqet Krishtin si drita e botës. Mrekullia e shërimit është shenja se Krishti, bashkë me sytë e ballit, dëshiron të hapë edhe sytë e zemrës, që feja jonë të bëhet gjithnjë e më e thellë e që ta njohim Atë si të vetmin Shëlbues, që e nxit njeriun të jetojë si “bir i dritës”.

Për të dielën e pestë, atë të ringjalljes së Lazrit. Feja në ngjalljen e të vdekurve dhe shpresa në jetën e pasosur na i hapin sytë për të parë qëllimin e fundmë të jetës sonë. Zoti e ka krijuar njeriun për ringjalljen e për jetën e, kjo e vërtetë i dhuron përmasën autentike e përfundimtare historisë së njerëzve, ekzistencës së tyre personale e jetës së tyre shoqërore, kulturës, politikës dhe ekonomisë.

Gjithnjë gjatë kësaj kohe Kisha na kujton edhe të cilat janë mënyrat për ta jetuar sa më mirë periudhën e Kreshmës. Agjërimi, lëmosha, lutja dhe impenjimi për kthimin e zemrës kah Zoti, janë praktika tradicionale, që na edukojnë si ta përjetojmë gjithnjë e më rrënjësisht, dashurinë e Krishtit.

Më anë të agjërimit duke u privuar nga diçka, mësohemi ta largojmë vështrimin nga vetvetja për të zbuluar Dikë tjetër, Zotin në të afërmit tanë.

Më anë të lëmoshës, mësojmë të mos i konsiderojmë idhuj pasuritë e të mirat personale dhe të mos e zëvendësojmë Zotin me to.

Më anë të lutjes, mësojmë të gjejmë kohë për Zotin, të hyjmë në bashkim intim me Të, të shpresojmë pa u zhgënjyer në jetën e amshuar, që Ai na ofron.

Ndërsa kthimi në rrugën e Zotit do të thotë ta lejojmë Shpirtin Shenjt Zot të na shndërrojë, si Shën Palin në rrugën e Damaskut, të na e orientojë jetën sipas vullnetit të Zotit Atë, të na çlirojë nga egoizmi e nga instinkti i dominimit mbi të tjerët dhe të na e hapë zemrën për bamirësinë e dashurinë e Krishtit.

25 shkurt 2026, 10:02