Ecce Homo: piktori Antonello da Messina dhe lindja e një perspektive të re
R.SH. Vatikan
Blerja nga ana e shtetit italian të veprës «Ecce Homo» të Antonello da Messina jo vetëm që e bën këtë kryevepër rishtas publike, por gjithashtu sjell në plan të parë një nga reflektimet më të thella mbi fytyrën e Krishtit në pikturën e Rilindjes. Paneli i vogël, i pikturuar në të dyja anët dhe i konceptuar për devocion personal, paraqet Krishtin e kurorëzuar me gjemba në njërën anë dhe Shën Jeronimin në pendesë, në anën tjetër. Ky panel shënon gjithashtu një hop vendimtar në karrierën e Antonellos, kur tema e «Ecce Homo»-s u bë një hapësirë eksplorimi formal dhe shpirtëror për artistin.
Një vepër e hershme dhe themelore
Piktura i përket fazës së hershme, themelore për krijimtarinë e Antonellos, që i përket periudhës rreth viteve 1460–1465. Gjatë këtyre viteve, piktori përvetësoi mësimet e pikturës flamande me një intensitet të veçantë. Vepra konsiderohet interpretimi më i hershëm i njohur i temës në krijimtarinë e këtij piktori italian. Te kjo janë tashmë të dukshme tiparet që më vonë do të bëheshin të veçanta në eksplorimin e fytyrës së Krishtit të këtij artisti. Në këtë pikturë përcaktohen elementët që më vonë u bënë strukturorë, siç janë parapeti, pamja ballore nga afër dhe vendosja e fytyrës në qendër. Paneli i vogël (afërsisht 20 × 15 centimetra) dhe figuracioni i dyfishtë na thonë se vepra ishte menduar për një mjedis të mbyllur, pothuajse shtëpiak. Dialogu midis fytyrës së vuajtur të Krishtit dhe figurës së Jeronimit, model i pendesës dhe i asketizmit, ndërton një udhëtim meditativ që e çon shikimin nga shqyrtimi i dhimbjes drejt brendësisë së saj. Struktura me dy anë, para dhe mbrapa, e rrallë për krijimtarinë e Antonellit, e shndërron pikturën në ikonë për meditim, ku të soditurit e Krishtit që vuan nga shikuesi, plotësohet hijshëm me pendesën e Shën Jeronimit, në anën tjetër.
Seria Ecce Homo: Një studim i fytyrës
Antonello iu rikthye temës së «Ecce Homo»-s disa herë, jo për të përsëritur një formulë të suksesshme, por për të parë nga afër mundësitë shprehëse të fytyrës. Piktori iu afrua temës në disa versione, të cilat tani ruhen në koleksione të rëndësishme ndërkombëtare, të cilave u shtohet një panel i humbur i njohur përmes dokumentacionit fotografik. «Krishti në Kolonë» në Luvër është një lakim i mëtejshëm i këtij hulumtimi, dhe ka në qendër Fytyrën e Shenjtë gjatë mundimeve të Kalvarit.
Panelet e pikturuara midis viteve 1460 dhe 1470 kanë një strukturë të thjeshtë: Krishti paraqitet në gjysmë lartësi, i vetmuar, në një sfond të errët, i pozicionuar pas një parapeti që e afron atë me shikuesin. Te ky panel për të cilin po flasim, imazhi ruan një tendosje të rëndë. Fytyra duket e dobët, e përmbajtur në vuajtje, dhe ndikimi i artit nordik shfaqet në saktësinë analitike të sipërfaqes së pikturuar dhe vëmendjen ndaj paraqitjes së shkëlqyer të trupit. Kjo nuk është një skenë e Mundimeve të Krishtit mbushur me personazhe, as një rrëfim koral i dhimbjes: është një fytyrë e veçuar, nga afër, e kapur në çastin në të cilin vuajtja shndërrohet në vështrim. Dhimbja nuk i besohet efekteve dramatike, por një rrëfimi të ngadalshëm artistik.
Verizmi i portretit
Fytyra e Krishtit, larg nga ideali i bukurisë abstrakte, shfaq tipare që disa interpretues i kanë quajtur si të papërputhshme me traditën klasike. Në fakt, Antonello dukej se po orientohej drejt një forme të verizmit të portretit, ku fizionomia nuk ndërtohet mbi modele ideale, por mbi një prani njerëzore konkrete dhe të dallueshme. Krishti shfaqet si një i ri, i ganduar nga mundimet. Kjo zgjedhje, e ndikuar nga kultura figurative flamande dhe vëmendja e saj analitike ndaj realitetit, paraqet një mënyrë të re të përfaqësimit të Fytyrës së Shenjtë, duke e larguar atë nga përsosmëria formale për ta rikthyer te përmasa e përvojës njerëzore.
Nga rreptësia rinore te pjekuria shprehëse
Te piktura «Ecce Homo» të ekzekutuar rreth vitit 1470, siç është ai i ruajtur në Palazzo Spinola në Xhenova, Antonello arriti një drejtpeshim më të madh formal. Paraqitja ballore e fytyrës krijon një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me shikuesin, ndërsa vuajtja shfaqet përmes modulimit të padukshëm të shprehjes dhe tendosjes së heshtur të shikimit. Krishti shfaqet i pezulluar në një hapësirë pa koordinata kohore, larg çdo sfondi përshkrues. Versioni tjetër, që gjendet në Muzeun Metropolitan, në Nju Jork (1470), paraqet një modulim shprehës të ndryshëm. Këtu, Antonello thekson cilësinë ndriçuese të lëkurës dhe thellon përmasën emocionale të pamjes. Sytë janë mbuluar nga një reflektim i lëngshëm që na kujton lotët por pa i shndërruar në një gjest teatral. Dhimbja bëhet e perceptueshme, por mbetet brenda kufijve të durimit, nuk ka piskamë.
Kulmi i këtij hulumtimi arrihet në panelin që gjendet te Collegio Alberoni, në Piacenza, të pikturuar në gjysmën e parë të viteve 1470 (rreth viteve 1473–1475). Fytyra te ky version, fiton tipare monumentale, struktura volumetrike bëhet më e përmbledhur dhe sipërfaqja e pikturuar arrin një kohezion të jashtëzakonshëm ndriçues. Në këtë vepër, lotët janë paraqitur me qartësi të pagabueshme. Tragë të brishta e të tejdukshme kalojnë nëpër fytyrë, duke e shndërruar pikturën në një ekuilibër të përsosur midis vëzhgimit natyror dhe meditimit rreth misterit të dhimbjes.
Ndërtimi i lotit
Në këtë proces, loti shfaqet si një element i ndërtuar dalëngadalë: fillimisht buron nga të skuqurit dhe lagështia e shikimit. Në veprat e pjekurisë bëhet një shenjë më vete, që dallohet nga gjaku i Mundimeve dhe fiton vlerë shprehëse të posaçme.
Përvoja ikonografike e «Ecce Homo» më në fund përmblidhet te «Krishti në Kolonë», pikturë që gjendet në Luvër, realizuar ndërmjet viteve 1475 dhe 1479. Te kjo, piktori e ndryshoi rrënjësisht qasjen. Trupi anohet dhe shikimi ngrihet lart, duke futur një përmasë kontemplative që çon drejt dialogut me Atin. Imazhi nuk ka më pamjen ballore të paneleve të mëparshme dhe përfton një dimension më të brendshëm.
Në ikonografinë e krishterë lotët janë të rrallë
Në traditën e arteve figurative të Mundimeve të Krishtit, lotët e Krishtit janë një element tepër i rrallë. Për shekuj me radhë, rrëfimi i dhimbjes së Shëlbuesit iu besua kryesisht gjakut, plagëve, mjeteve të martirizimit dhe lëvizjeve të trupit. Vajtimi, megjithëse i dëshmuar në tekstet e Ungjillit, pothuajse gjithmonë mbetet i nënkuptuar. Megjithatë, ndërmjet shek. XV-XVI, u zhvillua një ndjeshmëri e re, e lidhur me përhapjen e devocionit dhe dëshirës për të nxitur pjesëmarrjen më të drejtpërdrejtë të besimtarëve në misterin e Mundimeve. Në këtë rrethanë, lotët marrin një rëndësi të veçantë. Ato nuk janë thjesht një hollësi natyraliste por shenjë që e afron figurën hyjnore me përvojën njerëzore.
Në rastin e piktorit Antonello da Messina, lotët kanë një funksion të dyfishtë. Nga njëra anë, i përgjigjen synimit që kanë të gjitha fuguret, duke ngjallur emocione të matura dhe të vetëdijshme. Nga ana tjetër, përbëjnë një eksperiment të hollë artistik. Përçimi i lotit do të thotë përçim i tejdukshmërisë së elementit, i dridhjes së dritës dhe vazhdimësisë me ngjyrimet e mishit në panel.
Rëndësia e kësaj pikture
Brenda serisë për të cilën folëm, paneli që u ble këto ditë nga Italia merr një rëndësi të veçantë sepse dokumenton zanafillën e hulumtimit të këtij artisti rreth temës së Mundimeve të Krishtit. Vepra tashmë shfaq qartë dëshirën për ta përmbledhur rrëfimin e Ungjillit te fytyra e Shëlbuesit. Kjo fytyrë bëhet vendi i parapëlqyer i zbulesës. Prania e Shën Jeronimit në pjesën e pasme e përforcon këtë interpretim.
Fytyra – vendi ku ndodhën Mundimet e Krishtit
Seria e pikturave «Ecce Homo» dëshmon një nga shndërrimet më të thella në pikturën e Rilindjes. Piktori Antonello da Messina i redukton dora-dorës elementët rrëfimtarë për të ndërtuar një imazh të bazuar në marrëdhënien midis Krishtit dhe shikuesit. Në këtë proces, fytyra bëhet hapësira në të cilën Mundimet përqendrohen dhe janë të perceptueshme. Lotët, të pranishëm vetëm në disa versione, por të përgatitur në të gjithë ndërtimin e shikimit dhe dritës, nuk e shumëfishojnë vuajtjen. Përkundrazi, ata përbëjnë shenjën e saj më thelbësore dhe të matur, duke i kthyer kontemplacionit të sotëm një nga imazhet më thelbësore të dhimbjes njerëzore të pikturës së shek. XV.