Më 23 shkurt kalendari kujton Shën Polikarpin e Izmirit, ipeshkëv e martir
R.SH. - Vatikan
Më 23 shkurt, kalendari kishtar përkujton Shën Polikarpin e Izmirit, ipeshkëv e martir, dishepul i Shën Gjonit Apostull e Ungjilltar dhe mik i Shën Ignacit të Antiokisë. U bë ipeshkëv i Smirnës a Izmirit gjatë mbretërimit të Trajanit. Si teolog gëzonte autoritet të madh dhe ishte një nga barinjtë shpirtëror të Kishës më të vlerësuar të kohës. Ai nderohet si shenjtor nga shumë Kisha të krishtera dhe kujtimi i tij liturgjik kremtohet më 23 shkurt ose 26 janar (për koptët, 8 mars).
Të jetuarit për Zotin i bën të përjetshme veprat dhe fjalët
Jeta jonë si një instrument në duart e Zotit, sepse i krishteri «nuk jeton për veten, por është në shërbim të Hyjit. Jeta është e Zotit, e është gjithashtu edhe e juaja kur ta keni përfunduar». Në horizontin e treguar nga këto fjalë gjendet stili që mban të gjithë përvojën e fesë së të pagëzuarve. Një stil i përvetësuar deri në fund nga Shën Polikarpi, ipeshkëv i Smirnës, i vendosur në krye të atij komuniteti të krishterë nga vetë Apostujt, siç njoftoi më vonë Shën Ireneu i Lionit, dishepulli i tij.
Shën Polikarpi, ikonë e një Kishe që jeton përmes transmetimit të fesë nga njëri brez te tjetri, kishte lindur në Smirnë në vitin 69 p.K. dhe ishte vendosur në krye të të krishterëve të qytetit rreth vitit 100. Shtatë vjet më vonë, ai ishte dëshmitar i kalimit në qytet të Shën Injacit, ipeshkëv i Antiokisë, i cili po dërgohej, nën shoqërim, në Romë, ku më pas pësoi martirizimin. Polikarpi e përbujti dhe më vonë Injaci i shkroi një letër që ka mbërritur deri te ne: në këtë shkrim ruhet ftesa për të kujtuar se jeta e krishterë është një ofertë për Zotin. Në vitin 154, ipeshkvi i Smirnës shkoi në Romë për të diskutuar me Papa Aniçetin datën e Pashkëve. Pas kthimit të tij në Smirnë, shpërtheu një persekutim dhe Polikarpi, i cili refuzoi të mohonte fenë në Krishtin Zot, u vra me shpatë në orën dy të pasdites së 23 shkurtit të vitit 155.
Fundin e tij e njohim nga një dokument, që mban datën e 23 shkurtit të vitit 155. Është një tregim me vlerë të madhe historike, agjiografike e liturgjike. I zvarritur para Prokonsullit Stacio Kuadratit- rrëfehet në dokument – Polikarpi u ftua ta mohonte Krishtin, por ai u përgjigj me këto fjalë duke tundur kokën:
“Që prej 86 vjetësh i shërbej e nuk më ka bërë kurrnjë të keqe: e si të blasfemoj kundër Mbretit tim që më shëlboi?
- A e di se mund të të djeg përsëgjalli? – i tha Prokonsulli.
- Zjarri me të cilin më kërcënoni – përgjigji Shën Polikarpi – të djeg për një çast, por pastaj kalon; unë ia kam frikë n zjarrit të amshuar të dënimit!”
E ndërsa digjej i gjallë në mesin e amfiteatrit të Smirnës (Izmirit të sotëmnë Turqi)), Polikarpi i lartonte Zotit një uratë të shkurtër, por nga zemra: “O Zot, qoftë lavdëruar emri yt i adhuruar në shekuj të shekujve, nga Jezu Krishti, meshtar i amshuar e i gjithëpushtetshëm – e qoftë i nderuar emri yt së bashku me Jezusin e Shpirtin Shenjt sot e përgjithmonë e jetës!”.
E sakaq, trupi i pjekur nga zjarri u shndërrua në një grusht hi. Mbetën, siç vijon të tregojë dokumenti i përmendur- vetëm pak eshtra, që u ruajtën si gurë të çmuar dëshmie për Krishtin e Gjallë.
U shpëtuat falas
(Nga Letra e Shën Polikarpit martir drejtuar Filipianëve)
Polikarpi emeshtarët që janë me të, Kishës së Hyjit, që banon si shtegtare në qytetin Filipi: mëshira dhe paqja e Hyjit të gjithëpushtetshëm dhe e Jezu Krishtit shpëtimtarit tonë u dikofshin begatisht mbi ju!
Marr pjesë plotësisht në gëzimin tuaj në Zotin tonë Jezu Krishtin, sepse keni zbatuar dashurinë më të vërtetë. Keni ndihmuar në udhën e tyre shenjtërit e lidhur me vargonj, me vargonjtë që janë byzylykë e margaritarë të mirëfilltë për ata që u zgjodhën nga Hyji e nga Zoti ynë. Gëzohem, sepse rrënja e fortë e fesë suaj, që u kumtua para jush që në fillim, qëndron deri më sot dhe mbart fryte në Jezu Krishtin Zotin tonë. Ai, për mëkatet tona pranoi të shkojë deri në vdekje, por “Hyji e ringjalli, duke e zgjidhur nga ankthi i vdekjes” (Vap 2,24) e ju besoni në të, pa e parë, me gëzim të madh e të lavdishëm, gëzim që shumë vetë e dëshirojnë. Ju e dini mirë se u shpëtuat falë hirit, jo falë veprave tuaja, por për vullnet të Hyjit, me anë të Jezu Krishtit (Ef 2,8-9).
“Prandaj, pasi të jeni përgatitur me mend për të vepruar”, (1Pj 1,13), “shërbejini Hyjit me frikë” (Ps 2,11) e me vërtetësi, duke i lënë mënjanë thashethemet e kota dhe gabimet trashanike dhe “duke besuar në atë që e ngjalli Zotin tonë Krishtin nga të vdekurit dhe i dha lavdi” (1Pj1,21), sepse e uli në të djathtën e vet. Atij i nënshtrohen të gjitha gjërat në qiell e në tokë, atij i bindet cdo qenie e gjallë. Ai do të vijë për t’i gjykuar të gjallët e të vdekurit e Hyji do t’u kërkojë llogari për gjakun e tij atyre që nuk besuan në të.
Ai që e ringjalli nga të vdekurit, do të na ringjallë edhe ne, nëse do të kryejmë vullnetin e tij, nëse do të jetojmë sipas urdhërimeve të tij e nëse do të duam çfarë deshi ai, duke e larguar çdo padrejtësi, mashtrim, shpifje, dëshmi të rreme, “duke mos e kthyer të keqen me të keqe, as dëmin me dëm” (1 Pj 3,9), goditjen me goditje, mallkimin me mallkim, por duke mbajtur parasysh mësimin e Zotit, i cili tha: Mos gjykoni e nuk do të gjykoheni; falni e do t’u falet; jini të mëshirshëm e do të gjeni mëshirë; me atë masë me të cilën do të matni, do t’u matet edhe juve (khs Mt 7,1) dhe: lum të varfërit e të përndjekurit për shkak të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve (khs Mt 5,3.10).