Venezuela, shpërthime në Karakas. Trump: Maduro dhe bashkëshortja e tij janë kapur

Venezuela është goditur nga një seri sulmesh që presidenti Maduro i ka quajtur “agresion i SHBA-së”. Presidenti kolumbian Petro kërkon thirrjen e menjëhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të Organizatës së Shteteve Amerikane. Trump, ka konfirmuar se «Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe presidenti, Nicolás Maduro, është kapur së bashku me bashkëshorten e tij".

R.SH. – Vatikanit

Karakasi është goditur gjatë natës nga një seri shpërthimesh dhe fluturime të avionëve në lartësi të ulët, të ndjera rreth orës 2 të mëngjesit sipas orës lokale në disa lagje të qytetit. Pak më parë presidenti amerikan, Donald Trump, ka konfirmuar se «Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe presidenti, Nicolás Maduro, është kapur së bashku me bashkëshorten e tij dhe është transferuar jashtë vendit». Trump shtoi se operacioni është kryer në koordinim me forcat amerikane të zbatimit të ligjit dhe njoftoi një konferencë për shtyp të planifikuar për orët e ardhshme në Mar-a-Lago.

Objektivat e sulmeve ajrore amerikane

Sipas asaj që raportojnë burime gazetareske të pranishme në terren, të paktën shtatë shpërthime kanë tronditur zonën metropolitane, duke detyruar shumë banorë të dalin në rrugë. Zjarre dhe kolona tymi janë vërejtur në disa pika të kryeqytetit dhe ndërprerje të energjisë elektrike kanë prekur disa zona të Karakasit. Sulmet thuhet se kanë goditur instalime ushtarake dhe infrastrukturë strategjike, përfshirë bazën ajrore Generalissimo Francisco de Miranda në La Carlota, kompleksin ushtarak të Fuerte Tiuna, Akademinë Ushtarake të Mamos në La Guaira, bazën ajrore dhe aeroportin e Higuerotes, si edhe zona të tilla si Catia dhe lagjja 23 de Enero. Presidenti venezuelian, Nicolás Maduro, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare dhe ka kërkuar mobilizimin e popullsisë, duke denoncuar atë që e ka cilësuar si një «agresion ushtarak tepër të rëndë».

Në një seri komunikatash zyrtare, qeveria e Karakasit ua ka atribuuar sulmet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke folur për një «agresion të rëndë ushtarak» dhe për një shkelje flagrante të Kartës së Kombeve të Bashkuara, veçanërisht të parimeve të sovranitetit dhe të ndalimit të përdorimit të forcës. Qeveria Maduro ka akuzuar Uashingtonin se synon të përvetësojë burimet strategjike të vendit, duke nisur nga nafta dhe mineralet, dhe se po përpiqet të realizojë një ndryshim regjimi përmes asaj që quhet një «luftë koloniale», e zhvilluar me mbështetjen e «oligarkive fashiste lokale». Sipas Karakasit, sulmet kanë pasur në shënjestër edhe zona rezidenciale të komandës së lartë ushtarake dhe disa nga strukturat kryesore të forcave të armatosura venezueliane.

03 janar 2026, 11:29